Home KRYESORE Paralajmërimi i grupit anti-Basha, çfarë do të ndodhë pas 22 korrikut në...

Paralajmërimi i grupit anti-Basha, çfarë do të ndodhë pas 22 korrikut në PD

Për kundërshtarët e Lulzim Bashës në Partinë Demokratike zgjedhjet e 22 korrikut janë një proces që dihet sesi do të përfundojnë. Ish-nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi thotë se përballë Eduard Selamit, gara e Lulzim Bashës nuk është reale.

Në një intervistë për në “Report TV”, Patozi parashikon dhe nismën që do të ndërmarrë ai dhe grupi që e mbështet atë. Pritet që gjatë kësaj jave deputetë dhe ish-drejtues të Partisë Demokratike do të kërkojnë në mënyrë institucionale ndërprerjen e garës dhe zhvillimin e zgjedhjeve normale në Partinë Demokratike.

“Në ditët në vijim do të ketë zhvillime të reja. Do të ketë kërkesa institucionale për të ndërprerë farsën, nëse nuk ndodh do të shikojmë të gjitha mënyrat që ajo ditë të mos jetë e bekuar, por për t’u harruar”,- deklaroi Astrit Patozi.

Me afrimin e datës së zgjedhjeve pritet që situata në PD të tensionohet edhe më tepër. Kjo për shkak edhe të incidenteve dhe akuzave të forta që janë bërë mes kundërshtarëve dhe Bashës dhe mbështetësve të këtij të fundit. Synimi është që deri në datën 22 korrik të ketë një reflektim nga Basha dhe drejtues të tjerë të PD-së për të shmangur një proces që e dëmton edhe më shumë partinë, pas humbjes së 25 qershorit.

Një tjetër lëvizje politike e kundërshtarëve të Bashës është dhe thirrja për bojkot. Gjithë deputetët që kanë kundërshtuar mënyrën e zgjedhjes së Bashës, pritet tu bëjnë thirrje demokratëve që më 22 korrik të mos dalin në votime. Një pjesëmarrje e vogël e demokratëve në proces do të deligjitimonte dhe mandatin e kryetarit të ri.

Por veç këtij plani, kundërshtarët e Bashës kanë dhe një projekt pas përfundimit të zgjedhjeve që ata i cilësojnë farsë. Astrit Patozi tha sot se deputetët që u përjashtuan nga listat e kandidimit nga Lulzim Basha do të nisin një tur takimesh në gjithë vendin. Patozi thotë se qëllimi është që të gjendet një zgjidhje për PD.

“Ne nuk kemi mbret në PD. Ne nuk pranojmë që të kemi një mbret për kryetar, që thotë që unë me dy tre njerëz të shtëpisë i vendos të gjitha. Unë vetë bashkë me një grup kolegësh do të bëjmë një tur nëpër Shqipëri në mënyrë që të takohemi me demokratët dhe t’u kërkojmë që të gjejmë zgjidhje për partinë tonë”,- shprehet Patozi.

Por a mund të jetë kjo zgjidhje krijimi i një partie tjetër? Patozi e përjashton në mënyrë kategorike një zhvillim të tillë për partinë më të madhe në opozitë. Edhe pse Basha mund të rizgjidhet në krye të PD-së, Patozi thotë se grupi i demokratëve që nuk e mbështesin atë do të “çlirojë partinë me forma politike”.

Ende nuk dihet cilat janë format e reja politike që do të përdorin kundërshtarët e Bashës pas 22 korrikut. Ajo që mund të thuhet ende pa përfunduar gara është fakti se PD do të jetë më e përçarë pas zgjedhjeve sesa është tani./360grade.al/

Share: