Home KRYESORE PARKU I DASHURISË DHE ZHUILETA KORCARE

PARKU I DASHURISË DHE ZHUILETA KORCARE

0

Nga Agim Xhafka

Quhet që ke qënë në Korçë në se bën një shëtitje tek Parku Rinia. Unë e kam pasur shtëpinë pranë tij dhe mbaj mend qysh kërthi që kështu është thirrur. Në fakt ai ka qënë vend argëtimi i të gjithëve.

Plot gjyshe me fëmijë në prehër,shumë të moshuar që shëtisnin për orë e orë të tëra,mjaft atletë e sportistë që stërviteshin mëngjeseve.Siç nuk më hiqen nga kujtesa çiftet e shumta që xhiron e parë e nisnin me një shikim,pastaj pas ca ditësh dorë për dore e në fund,pas muajsh a vitesh shëtisnin me karroca fëmijësh.

Këta ishin dhe pjesa më e madhe. Lendinat e dashnorëve.Ndaj ky park gjigand do quajtur i Dashurisë. Se ai ishte fiks vendi ku djali çonte vajzën për një po,ku e deklaronin para botës se ishin në prag fejese. Tamam si një ambient zyrtar i Bashkisë që vuloste dashuritë korçare. U jepte çertifikatë me fjalë .

Në se të shihnin atje me Lolën p.sh. nënës tënde në punë i thoshin shoqet që po e fejoke djalin,moj Valkë! Ashtu ndodhte dhe me prindërit e Lolës. Mësonin më parë nga gjindja se vajza e tyre çoç po kurdiste. Ajo do tregonte vetë për princin e saj,por ndërkohë qyteti kishte folur më parë se lexoi në parkun e dashurisë pasionet e të rinjve.

Sot pas shumë vitesh,kur i ndesh në qytet shokët e shoqet e gjimnazit,me burrat e gratë e tyre,mësoj që shumica e familjeve që kanë ngritur si maternitet të lidhjes kanë pasur parkun. Ja,Klemin dhe Besën i mbaj mend kur ecnin mbasditeve tek shatrivani i dytë. Madje ata ishin guximtarë se hynin edhe brenda pyllit me akacje.

Jepnin e merrnin ndonjë të puthur. Kaq qe protokolli. Parku nuk i ngjiste kodrave të liqenit në Tiranë. E kishte si me ligj që e shumta deri tek puthja mund të shkoje. Më pas…Kanë plot manovra të rinjtë. Merrnin celsat e shtëpive të njëri tjetrit se donin komoditet,jo mbi fletët e zverdhura që rrëzonte pema.

Parku i dashurisë është gjigand. Asnjë qytet nuk e ka aq të bukur,të madh dhe të rregulluar. Ngjet fiks si ai i New Yorkut në miniaturë. E qysh në krijim u mendua si vend pasioni. Nga që u mbush plot me lule dhe me shatrivanë,plot me akacje e blire që edhe në se nuk e kishe në mendje dashurinë ta shtinin aromat afroziatike që ato lëshonin non stop.

Edhe në dimër nuk zbehej magjia. Se kishte plot panja ose bjerozka,që nuk u binin fletët kurrë e që trungun e kishin ngjyrë të bardhë si dëbora që u sillte zoti mbi kokë. Tamam fustan nusërie me vello mbuluar plot filigramë bore.

Ai vend është libër poezie. Çdo brez tregon rrahjet e zemrës faqe të gjithëve. Një transparencë që nuk e zbeh emocionin,një lidhje me shumë e shumë dëshmitarë. Si për të treguar sa e fortë ishte dhe sa gjatë do jetonte. Ai vend është muze i dashurisë. Në se do jetonte Shekspiri në Korcë ngjarjet e Romeo e Zhuljeta do i vendoste atje,në vend të ballkonit do zgjidhte një shatrivan e sot atje do rrotulloheshin miliona turistë nga krejt globi. Se Verona nuk pati asgjë më tepër.

Zhuljeta korçare do ishte më e bukur. Jo më kot po bëhet shekulli që këndohet :”O korçare,o hiç fare!” Parku po mbush shekullin. Do jetë i përjetshëm,se dashuria nuk vdes kurrë. Bile ajo ngjall edhe të vdekurit…

Share:
Reklama juaj