Home KRYESORE Pse ky është një moment historik për LSI-në

Pse ky është një moment historik për LSI-në

Nga Eltion Meka

Me përfundimin e zgjedhjeve dhe konsolidimin e PS-së si parti e vetme qeveritare lindin një sërë pyetjesh.  Që nga si do qeverisi PS-ja, deri tek roli i PD-së dhe LSI-së si parti opozitare.  Une dua të vë theksin tek roli i opozitës për katër vitet e ardhshme, më saktësisht rolin e LSI-së.  Bëj këtë analizë vetëm për arsyen se PD ka përjetuar rolin e opozitës më parë.  LSI, nga ana tjetër, e gjen veten në rolin e opozitës për herë të parë si një parti e “madhe”.  Duke thënë këtë, unë ngre një hipotezë që ky është një moment historik për LSI-në.

Kriticizmat ndaj LSI-se i dimë të gjithë, kryesorja prej tyre e cilëson si parti klienteliste.  Parti pa bazë ideologjike.  Parti pa trashëgimi historike.  Kjo e fundit është sidomos domethënëse në një vënd ku sistemi partiak ka qënë efektivisht dy-partiak pothuajse gjthë historinë e tij post-komuniste.  Por fakti që LSI e gjen veten në rolin opozitar është një mundësi e madhe për partinë.  Një mundësi që mund të kthejë LSI-në nga një parti e “madhe” në një parti vërtet të madhe.  Akoma me shumë, LSI mund të arrijë ti shkundë ato stigmat e lidhura ndaj saj si parti klienteliste dhe parti pa bazë ideologjike.

Pa bërë parashikime, në rast se LSI arrin të mbajë pothuajse një numër të ngjashëm deputetësh në zgjedhjet e ardhshme, mund të themi se ka bërë nje opozitë efektive, ose ndryshe, ka arritur të mbajë votuesit e saj.  Shumë të tjerë mund të jenë të një opinioni ku zhvendosja e LSI-së në opozitë do sjellë shthurjen e saj.  Edhe kjo hipotezë është mjaft e mundur.  Por në rastin ku LSI bën një opozitë efektive, unë parashikoj përforcimin dhe jo shthurjen e saj, edhe pse kategorizimi i saj si parti klienteliste do parashikonte shthurjen e saj.  Dhe nëse shkëputemi për momentin nga të gjitha paragjykimet tona dhe fokusohemi vetëm tek fakti se LSI është e vetmja parti kryesore e krijuar pa një trashëgimi politike, nuk kemi përse të mendojmë që po kjo parti nuk do shfrytëzojë këtë mundësi për forcimin e saj. Deklarata e disa ditëve më pare e Petrit Vasilit, e cila shigjetoi jo vetem PD-në por edhe cilësoi qeverinë Rama si një “gestapo”, është mjaft treguese se LSI ka pranuar dhe ka kaluar ne rolin e opozitës.  Dua të them se mundësitë për rritjen e LSI-së në një parti te madhe janë aty.

Pyetja është, si do ta bëjë LSI nje opozitë efektive?  Une nuk jam i opinionit që ideologjia luan rol të madh në zgjedhjet shqiptare, edhe pse ky është një faktor shpjegues për një përqindje të konsiderueshme të votuesve shqiptarë.  Pjesa tjetër e rezultateve zgjedhore, të paktën në demokracinë shqiptare, besoj shpjegohet nga faktorë jo lehtë të parashikueshëm si strategjia politike dhe strategjia para-elektorale ose lidershipi politik si dhe faktor korputive si blerja e votave ose premtime klienteliste.   Nën këto rrethana, LSI e gjen veten në një pozicion opozitar mjaft të favorshëm për të shfrytëzuar dobësine aktuale të PD-së dhe siguruar rritjen e saj.

Por ajo që unë mendoj se është më e rëndësishme për imazhin e partisë është mundësia e LSI për t’iu shkundur imazhit të saj klinentelist gjatë katër viteve të ardhshme duke vënë në punë një program koherent dhe në përputhje me vlera ideologjike.  Propozimi i Monika Kryemadhit si kryetare partie pas dorëheqjes të Petrit Vasilit është nje fakt që kundërshton hipotezën time dhe përforcon imazhin klientelist të partisë. Në të njëjtën kohë, kjo analizë ka qënë qëllimisht pak e thjeshtë për të mos komplikuar hipotezën me detaje të tjera.  Zgjedhjet lokale të 2019-s si dhe bashkitë aktuale të LSI-së janë disa faktorë të tjerë të cilët kanë një vlerë shpjeguese mbi këtë analizë. Gjithsesi, katër vjet janë mjaft kohë për të konsoliduar veten si një parti e madhe dhe jo domosdoshmërisht klienteliste. Çështja nuk është a do bëjë LSI rolin e opozitës, por si do ta bëjë.  Kjo e fundit do tregojë nëse partia do mbajë statusin e një partie të vogël, apo sistemi partiak do të transformohet në një sistem të mirëfilltë tre-partiak.

Share: