Home KRYESORE Te zhvirgjëruarit!

Te zhvirgjëruarit!

0

Nga Syrja Kurti

Ka rreth një javë që mediat po merren me një femër nëntëmbëdhjetë vjeçare që dëshironte të helmonte vjehrrën.E dhanë si lajm mbarë dhe prapë e të gjtha palët patën rastin dhe mundësinë të nxjerrin të gjithë mllefin e shpirtrave dhe të zbrazin çfarë kishin dhe nuk kishin .Duke qenë se edhe vetë deri diku jam pjesë e medias ,deri këtu i pranoj dhe i kuptoj ata që kanë shkruar dhe folur për këtë punë, megjithëse mund të kem rezervat e mia.

Por unë nuk mund të pranoj që edhe pas një jave të vazhdojnë të merren akoma me atë vajzë ose grua, quajeni si të doni.Nuk mund të lejoj që pasi folën e stërfolën për krimin e mbetur në tentativë dhe me të cilin po merren organet që e kanë për detyrë ta bëjnë,këta njerëz të gërmojnë në gjithë jetën e saj dhe të vazhdojnë të shkruajnë për të.Askush nga ne nuk ka të drejtë qofshin edhe gazetarë, të shkojnë deri aty sa të flasin prej ditësh për moralin dhe nderin e saj.Dhe aq më pak që ta gjykojnë atë. Pastaj shkojnë aq thellë në idiotësinë e tyre sa japin hollësira deri në banalitet se si veproi ajo natën e martesës për t’ia hedhur burrit dhe ishte në të vërtetë e virgjër apo gënjeu .

Kjo pjesa tjetër nuk është lajm .Është jeta e saj që disa të zhvirgjëruar nga trutë(pa dallim gjinie) ia helmojnë pa të drejtë.Dhe tek ato rreshta ka më shumë helm se në një gotë me kos.Eshtë ligësia dhe hidhësira e të gjithë atyre që nuk kanë asnjë kufi dhe cak kur gjejnë dikë që nuk ka mundësi të mbrohet.Dhe ajo vajzë e mjerë fshati është viktima e radhës. Një femër që jeta dhe fati ndoshta e kanë detyruar të sillet ashtu.Por të zhvirgjëruarit kanë gjetur gjahun dhe kërkojnë ta shqyejnë në mes tyre si çakejtë.(E çfarë them edhe unë?Çakejtë nuk janë aq të frikshëm dhe të dhunshëm.)Në fakt “hijenat” do të ishte fjala e duhur dhe do t’i shkonte më shumë për shtat.

Por janë po këta njerëz që kur vjen puna për të folur atëherë kur duhet për një femër tjetër, ata heshtin. Ata nuk flasin asnjë fjalë për një monstër ( por që duhet të pranojmë se biologjikisht është femër), të cilës shteti ynë i vyer e I nderuar, i ka besuar të menaxhojë dhe riciklojë mbetjet spitalore por që ajo nuk e kryente siç duhet. Për të mos thënë që nuk e kryente hiç fare dhe të gjitha mbetjet e spitaleve, të rrezikshme ose të parrezikshme përfundonin të derdhura në Erzen.E pastaj afërmendsh lumi i shkretë do i sjellë në det. Dhe pranë këtij deti jetojmë ose lahemi të gjithë në një menyrë ose në një tjetër.Por kjo ndoshta nuk mund të quhet lajm ose ndoshta nuk e quajnë si punën e tyre.

E si për të vënë qershinë mbi tortë, kjo zonja e mbetjeve dhunon brutalisht gazetarin i cili zbuloi skandalin.E dhunon para të gjithëve me zë dhe figurë dhe askush nga shoqatat, forumet, bordet dhe të gjithë dreqërit e mallkuar bashkë, nuk thonë asgjë.Siç duket edhe kjo nuk është puna e tyre ose kanë punë të tjera më të rëndësishme për të bërë, pavarësisht se edhe vetë janë gazetarë ose marrin rrogën si të tillë.

Epo mirë zonja dhe zotërinj.Mbushni faqet e gazetave dhe vazhdoni të flisni për virgjërinë e dyshimtë të një fshatareje .Publikoni foto pafund me cica dhe prapanica silikoni por jo me ato gjëra që duhen.Në fund të fundit është puna juaj por më lejoni t’u kujtoj një proverb të vjetër që thotë”Kur e bën shurrrën në det, kripa ta sjell në gjellë”

Share:
Reklama juaj