Home KRYESORE VAZHDIMI : EDHE TI ?

VAZHDIMI : EDHE TI ?

0

Nga Inis Kazanxhi Jorgo

Dëshpërimi na kish mbështjellë të dyjave e s’kishim fuqi as të flisnim. Na duhej të iknim në drejtime të kundërta dhe megjithëse nuk njiheshim, e ndjemë tejet të afërta me njëra tjetrën. Shpejt e shpejt përmendëm sa e dhimshme kishte qënë ajo skenë por edhe sa mrekulli që djalin e dërguan në kohë në spital. Në fund, u përshëndetëm dhe sejcila u nis në drejtimin e saj. Lodhja e kishte bërë të vetën dhe në momentin e fundit…

Inis Kazanxhi Jorgo

Pjesa e dytë

Fare pranë meje, vazhdonte të rrinte i shtrire djaloshi. Një çantë shkolle, shumë e përdorur kishte rënë aty pranë tij. U mundova të dalloj ndonjë libër brenda saj, por gjithshka që pashë, ishte bishti i një çekici. Telefoni i tij gri, një markë që më shtyu pas në kohë, kishte rënë shkujdesur gjithashtu, si për të më kujtuar se jo kushdo e ka celularin plot shkëlqim.

Në këtë situatë të nderë kur të gjithë prisnin nga njëri tjetri, qetësinë e thyeu një grua e cila lajmëroi se kishte lajmëruar ndihmën e shpejtë. Ajo ishte personi më i zhurmshëm brenda asaj turme pa fjalë, që dukej sikur të vetmin shqetësim kishte “mosshqetësimin”. Me nje trup mesatar, e kolme por e shkathët si një adoleshente, me një telefon në dorë, gruaja hynte dhe dilte në rrethin qarkuar djalit. Megjithese dukej e fortë, ja ndjeva zërin që i dridhej.

Çdo të ndodhtte me këtë djalosh të vetmuar pa askënd të vetin pranë? Sërish u tremba se mund të ishte i pajetë, u drodha por u kujtova se burri kishte thënë se jetonte, dhe rinia e tij, s’ma la gjatë këtë impression drithërues… Megjithatë ashtu, gjysëm e ulur në gjunjë morra guximin tja prek dorën. Ja morra dorën e tij në duart e mia, dhe ndjeva sa të reja ishin ato duar, po ashtu sa të paburrërruara ende, dhe sa shpejt të munduara nga jeta. Ishin duar të parritura por, që kishin tentuar shumë që të rriteshin. Ato ishin plot kallo.

Një lëmsh më ngushtoi fytin dhe mallëgjimi më mbërtheu të tërën! Vazhdova t’ja mbaja dorën mes duarve të mija, më dukej sikur lëndimi im do t’a ndihmonte sado pak, e në këtë përjetim e sipër, ndjeva një lëvizje fare të lehtë të gishtave të tij.Dikush, pas meje, më foli paksa me ton, duke me kujtuar se s’duhej as ta prekja e as ti flisja. Këtë rregull bazë të ndihmës së shpejtë edhe unë e dija, por, “gabimi” im i mrekullueshem sapo ishte kryer! Kuptova që djaloshi jetonte, e që mbase, pas pak ditësh mund të ishte si gjithe ne të tjerët.

Njerëzit filluan të rrallohen kur kuptuan që djali dha shenja jete. Ju drejtova gruas energjike për ta pyetur për ndihmën e shpejtë. Djali në këto çaste hapi syte e tij të lodhur por edhe të hutuar. Ju afruam edhe më ne që kishim mbetur pranë tij : gruaja, unë, dhe disa pensionistë të cilët, s’bënin asgjë gjë tjetër përveçse e mëshironin pa aspak takt.I buzëqesha butë djaloshit,duke i lënë të kuptojë sa shumë na kishte merakosur. “Më dëgjon” i thashe:

“A më kupton? Do të bëhesh fare mirë”- dhe ktheva kokën mënjanë pasi nuk doja të më shihte aq të prekur. E kapërceva atë moment duke e ndihmuar të pinte pak ujë e ndërkohë vura re gruan e kolme e cila ja mbante ballin dhe njëkohësisht i fshinte djersën. Gjithshka ishte përzier me misterin e asaj qe kishte ndodhur. Gruajaja afroi çantën e tij pranë e me butësinë e nje puple, ja vendosi telefonin gri heshurazi në xhepin e tij të xhaketes. Megjithese kishte marre pozicionin e këshillueses, ndjehej se si emocioni ja kishte veshur zërin.. Fliste një anglishte me aksent që më bëri të mendoj se ishte nga vendet e lindjes. “Ndaj qënkemi disi të ngjajshme” – mendova. Teksa nxorri nga çanta e saj, një kuletë të vjetër, pashë duart t’i dridheshin. Nxori pak kartmonedha, por i nxorri të gjitha ç’kishte dhe ja vendosi djalit në xhep. “Merri këto të blesh diçka kur të bëhesh mirë, dëgjove? se mos i blen cigare !” i foli ajo mes porosisë dhe buzëqeshjes. Djaloshi e falenderoi me një shikim mirënjohes përzier me pendesë.

Edhe pensionistët qenë larguar ngadalë nën indiferencën e moshës, kur sirena e ndihmës së shpejtë, filloj të dëgjohej më qartë.

Ndihma e shpejtë mbërriti dhe dy persona e vendosën djalin në një barelë. E paketuan brenda një minuti, shpejt, saktë, ftohtë përballë mallëngjimit e merakut tim e të gruas aty pranë.

Sdo t’i harroj dot ata sy, sa shumë flisnin sytë e atij djaloshi!

Aq sa doja që djalin ta merrnin e sa më parë ti drejtoheshin spitalit, aq nuk doja të ndahesha prej tij.

Ishte i rritur po edhe i parritur plotësisht! Ishte me pluhur por sa mirënjohes ishin sytë e tij! Ishte në vendin e tij po aq sa në një vend të huaj.

“A mund ti flas pak, shpejt e shpejt? “ pyeta infermierin me veshje jeshile. Fillimisht, ai hezitoi por syte e mij lutës ma dhanë mënjeherë lejen. U afrova tek barrela e cila sapo futej në makinë. Ja morra përsëri dorën por këtë herë me më guxim e ndërkohë që donja ta përqafonja, e binda veten që të mos e bëja. I tregova ku e kishte çantën e tij të punës e çfarë kishte bërë gruaja për të, se lëkët i kishte në zhepin e xhaketës. Arrita me shumë sforcim t’a kapërcej atë moment mallëngjyes që më kishte krijuar ndjesinë e të paturit të një lëmshi në grykë. “A je më mirë ?” e pyeta. Më pohoi me kokë. ”Do të të lutem t’a ndihmosh veten. Ti je i ri e i bukur. Jeta jote është duke të pritur, zemër” vazhdova. “A më premton?” “Po” – më tha- të premtoj, si nënës time ! “ Jo të gjitha fjalët e tij thënë në gjuhën e huaj, ishin gramatikisht të sakta, por ndjeva se ai premtim qe i vërtetë dhe m’a pushtoi shpirtin! Mbaj mend që iu drejtova në anglisht por fjalën “ZEMËR” patjetër do t’ja kem thënë në shqip. Si për të ngrohur e përmbushur shpirtin tim të lënduar.

”Ku e ke nënën” arrita ta pyes. “Shumë larg” më tha dhe tentoi që fytyën t’a kthente menjanë. Ndërkohë inferimieri me xhentilesë më bëri shënjë se duhej të ndaheshim. Makina u nis dhe bashkë me djaloshin, morri edhe emocionin e atyre minutave – orë. Kur makina u zhduk, atëher kuptova sa e lodhur isha. Ndërkohë që fillova të rregulloj xhaketën e zbërthyer e të mbledh shpejt flokët, u ktheva të përshendes gruan. Dëshpërimi na kish mbështjellë të dyjave e s’kishim fuqi as të flisnim. Na duhej të iknim në drejtime të kundërta dhe megjithëse nuk njiheshim, e ndjemë tejet të afërta me njëra tjetrën. Shpejt e shpejt përmendëm sa e dhimshme kishte qënë ajo skenë por edhe sa mrekulli që djalin e dërguan në kohë në spital. Në fund, u përshëndetëm dhe sejcila u nis në drejtimin e saj. Lodhja e kishte bërë të vetën dhe në momentin e fundit, e nxorri fjalën nga shpirti a pavetëdija që pakuptuar buron në gjuhën tënde. Duke dashur ti uroj natën e mirë, unë kisha folur në shqip. Gruaja ktheu rrëmbimthi kokën dhe mes çudisë e afinitetit më pyeti:” Edhe ti shqiptare?”/klarabudapost.com

Share:
Reklama juaj