Home KRYESORE Veliaj padit protestuesit e PD, Basha: Kryevegël e Ramës!

Veliaj padit protestuesit e PD, Basha: Kryevegël e Ramës!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka paditur penalisht të rinjtë e FRPD-së që protestuan para bashkisë kundër rritjes së çmimit të ujit.

“Edi Rama dhe veglat e tij në krye të Bashkisë Tiranë kanë kërkuar procedim penal kundër qytetarëve që ngritën zërin para bashkisë ndërsa ata ngritën në mënyrë kriminale çmimin e ujit. Rama e di që ka vetëm një mënyrë për të plaçkitur dhe për të dhunuar një vend: shuarja e çdo zëri kritik dhe persekutimi i çdo kujt që guxon të shprehet dhe vep​rojë kundër.

Prandaj ai po përdor kundër qytetarëve kryeveglën e tij në Tiranë, i cili vetë akoma nuk ka dhënë llogari në prokurori për vrasjen e Ardit Gjoklajt dhe shfrytëzimin skllavëror të fëmijëve për të mbushur xhepat e tij dhe klientëve të tij. Është përpjekje e dëshpëruar e njerëzve të zhytur në të keqe për të ngjallur frikë tek populli i tyre.

Dua t’u them qytetarëve se nuk duhet të tremben, sepse janë më të fortë se çdo regjim dhe çdo qeveri. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ngrenë zërin dhe të reagojnë ndaj këtij veprimi burracak kundër njerëzve të lirë dhe të drejtave të tyre” – thotë Basha në një reagim të shpërndarë për mediat.

Share: