Home KRYESORE Frederik Ndoci: Edi Ramën e kërcënuan, nëse këndoja unë!

Frederik Ndoci: Edi Ramën e kërcënuan, nëse këndoja unë!

0

Disa netë më parë, në një restorant në Velipojë, ku këndonte Frederik Ndoci policia ka ndërhyrë në lokal rreth orës 22:00 duke ndalur muzikën. Rasti mori vëmëndjen e mediave për shkak të përmendjes aty të emrit të kryeministrit Edi Rama dhe të kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Në një intervistë për “Panorama”, Frederik Ndoci sqaron se çfarë ndodhi, përse u përmend emri i Edi Ramës dhe pse ai dyshon se pas kësaj historie qëndron Voltana Ademi.

Çfarë ka ndodhur konkretisht në lokalin ku ju këndoni, në Velipojë?

Saktësisht këtë gjë nuk mund ta dimë as ne, dua të them, shkakun, sepse çfarë ndodhi e panë të gjithë. Policia krijoi terror ndërsa njerëzit ishin duke ngrënë darkë e duke dëgjuar muzikë. Siç mund ta dinë të gjithë, as në Velipojë, por as në ndonjë vend tjetër turistik ca më të madh, vendet e qeta e familjare kur shkohet vërtet për t’u argëtuar në mënyrë qytetare, janë të pakta, për të mos thënë që nuk ka fare. E në këtë situatë që jemi vijnë tre furgona policie të armatosur e krijojnë terror a thua se lokali ishte i mbushur me kriminelë.

Çfarë bëri policia në darkën që erdhi e armatosur?

Ndaloi në mënyrë kategorike muzikën dhe na tha të mos vazhdojmë më sepse i tillë ishte urdhri.

Sa ishte ora?

Ora ende nuk kishte shkuar 22:00.

Sa është orari i lejuar i muzikës live?

Në ditët e javës, prej momentit kur fillon e deri në orën 23:00. Në fundjavë, të premte, të shtunë orari shkon deri në orën 00:00 ose ca minuta më vonë, por përgjithësisht mbyllet në këtë orë.

Prej sa kohësh këndoni në Velipojë dhe a ka pasur raste të ngjashme më parë?

Jo, nuk ka ndodhur asgjë, asnjëherë. Tashmë ka kaluar një muaj që kur unë jam aty dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë madje klientela e restorantit është shtuar. Parmbrëmë, kur erdhën na hoqën muzikën, ishin disa gra që më thanë se kishin ardhur enkas nga Shkodra për të më dëgjuar live, por që nuk mundëm sepse mua atë natë më penguan të këndoja.

Çfarë ka përreth restorantit? A ka hotele me pushues që mund të shqetësohen?

Po, është një hotel ngjitur me restorantin dhe siç na thanë, pronari i hotelit i kishte dërguar mesazh Edi Ramës ku i kërkonte të mbyllte muzikën. E kërcënonte!

Kërcënonte Edi Ramën?! Përndryshe, çfarë do bënte?

Këto unë nuk i kam parë vetë, por na thanë se kishte shkruar që do vriste veten ose ndonjërin prej pushuesve nëse nuk merreshin masa sepse nuk e duronte dot më këtë situatë.

Pas këtij mesazhi erdhi policia?

Policia aty kishte ardhur edhe më parë, më saktë, kishte kaluar për të parë situatën ashtu siç bënte e bën me të gjitha vendet e tjera por asnjëherë nuk ishte sjellë si natën e mëparshme, aq e frikshme dhe duke krijuar terror.

A bëhen matje të nivelit akustik? Si është situata?

Këtë kërkuam dhe kërkojmë edhe ne që të bëhen matje. Së pari, duhet thënë që unë nuk këndoj atë lloj muzike sa të shqetësoj rreth e përqark, dhe së dyti, i kam të gjitha aparaturat matëse vetë dhe kontrolloj gjithçka. Nuk ndodh të kem kaluar normën, por edhe sikur ta kisha bërë askush nuk ka ardhur të bëjë matjet dhe vlerësimet e duhura.

Klientët e hotelit pronari i të cilit është ankuar a vijnë në restorant?

Po, janë klientë të vazhdueshëm.

A mund të jetë kjo një arsye, konflikti i interesit?

Jo, nuk ka lidhje sepse hoteli nuk ka fare restorant.

Atëherë, si e shpjegoni? Në komentet e rrjeteve sociale kishit përmendur kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademin. Pse keni thënë se është dora e saj?

Sepse e Kryeministrit nuk mund të jetë në asnjë mënyrë, më duket krejt absurde sado që të thonë. Voltana mund të ketë dëgjuar që i ka shkuar mesazh Kryeministrit dhe për të bërë përshtypje në sy të tij, por edhe për të më ndëshkuar mua, meqë i erdhi rasti në derë, ka marrë masa ekstreme.

Pse ka dashur t’iu ndëshkojë juve? Keni marrëdhënie konfliktuale?

Nuk kam asnjë marrëdhënie as me të e as me politikën. Unë jam artist. Nëse më pëlqen diçka nga ndryshimet që bën politika e vlerësoj dhe e them, nëse nuk më pëlqen, gjithashtu e them, nuk jam as i majtë e as i djathtë. Ama, ka diçka, kam menduar që Shkodra ka nevojë për ndryshime. U bënë 27 vite që është e djathtë dhe s’po bëhet asgjë për ta. Të shihni nivelin e turizmit është i mjerueshëm, turistët nuk kanë asnjë argëtim. Bashkia vë gjoba sipas interesave të saj dhe asgjë nuk ndryshon. Bashkia vazhdon të marrë taksa pa dhënë asgjë në këmbim. Edhe ata policët që dërgojnë i ngrenë nga plazhi aty vërdallë të bëjnë kërcënime. Pra, këtë mendim timin Voltana e di sepse jam kundërvënë disa herë dhe ndoshta ka menduar ta përdorë, të hakmerret meqenëse i erdhi rasti.

A keni marrë sinjalizime gjatë ditës së sotme, si do procedoni në mbrëmje?

Sot do këndoj. Le të vijnë të bëjnë ç’të duan. Do filmoj gjithçka dhe do këndoj, nuk kanë të drejtë të bëjnë asgjë.

Çfarë ndodh me lokalet e tjera ku ka muzikë live? I keni parë?

I kam parë dhe i kam regjistruar. Përveçse është një nivel krejt tjetër, ambiente aspak familjare, por me muzikë të lartë e të një lloji tjetër, vazhdojnë të qëndrojnë të hapura deri vonë pa u ndërprerë nga askush. Le të vijnë të bëjnë krahasimin mes nesh dhe tyre e të na thonë.

Pse keni zgjedhur Velipojën për të kënduar kur keni kaq shumë ankesa?

Nuk e kam zgjedhur me idenë për të bërë biznes. Unë këtu erdha me familjen për të pushuar e meqenëse ishte rasti edhe për të shërbyer diku, sepse të tilla ishin rrethanat, miqësore, nisa të këndoj mbrëmjeve. Mirëpo me gjithë zymtësinë që ka atmosfera mbrëmjeve në këtë vend, nuk të lënë të ndryshosh diçka.

Share:
Reklama juaj