Home KRYESORE HABERET E MITROS PER ROBERT NDRENIKEN

HABERET E MITROS PER ROBERT NDRENIKEN

Nga Mitro Cela

Rreth viteve 70-të mora shtëpi në rrugën “Myslym Shyri”. Karshi pallatit zgjatej një rrugicë. Në fund të saj, një shtëpi e rrethuar me mur…Rrallë shihja një derë që hapej. Dilte një djalë. Ishte Robert Ndrenika. Një ditë I zura pritë tek tuneli. I zgjata dorën:

-Të kam parë në film!
-Të kam lexuar në gazetë. Të pëlqen teatri?
-Nuk di ku bie dera e Teatrit Kombëtar?!
-Mëkat! Vjen me mua të presim bileta? Rrallë I bie fati njeriut, të shoh edhe një kryevepër si “Pamja nga ura”; edhe të luajtur nga një artist I madh, si Pirro Mani.

Nuk ia prisha. Më shumë për tu mburrur se kisha mik Robert Ndrenikën. Nga ajo ditë nuk I jam ndarë teatrit. Berti u bë sebep që unë të kisha miqësi me ajkën e aktorëve dhe regjizorëve: Dhimitër Anagnosti, Pirro Mani, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Sulë Pitarka, Tinka Kurti, Ndriçim Xhepa, Roland Trebicka…

Më 31 mars 1991 u bëra deputet I PD-së. Punoja ndërkohë në gazetën “RD”. Bie dera. U fut Berti:

-U bëre deputet, mo Miti? Urime! Po bërë një vërë në ujë, do të qajmë si tek filmi: “ Të vranë, o Miti, të vranë?!” Politika de! Të njoh. Je djalë I urtë! Politika kërkon çakej…Me të lexuar e kam…

Prill 1992. Isha graduar. Kryeredaktor I “RD”-së. Isha caktuar për deputet në Patos. Pa trokitur, u fut në zyrë Berti. U ul. Ngrysi vetullat. Lëshojë duart. Pa fjalë.

-Të paska ngrënë gomari bukën?
-Më thirri në zyrë, Sali Berisha. Regjizori juaj I PD-së: Më tha:

Populli I Dumresë të do për deputet?… I plasi barku për mua. Thash…Mendohu? Më tha. Përgjigjen e dua pas tre ditëve…Rrugës për të zyra jote mu kujtua koha e qoftëlargut…Kur do bëhej ndonjë film, më thërriste regjizori. “Bert! Kam një skenar të bukur. Të dua edhe ty në film. Por ti e di vetë: Ke rol negativ?!” Më ishte arratisur vëllai në Gjermani. Isha me “kleçkë” në biografi. Edhe propozimi I Berishës, me kujtoi regjizorët e filmave. Ti si thua?

– Unë them pranoje. Por “pyet shtatë a tetë dhe bën si do vetë?”
-Na qënke bërë edhe diplomat, mo Miti?!

Dhe të dy u zgjodhëm deputetë. Rrinim së bashku nga fundi I sallës. Kaluan 6 muaj. Berti si në gjëmba. Më fton për kafe.

-Më more në qafë. Në skenë luaj çdo rol. Prefekt. Yzmeqar. Aga. Partizan. Ballist. Rolin e deputetit nuk e honeps. Bëj të flas. Më mbetet fjala në grykë…Shiko aktorët që kemi në parlament? Ai me baluke, është nga Korça. Ka qënë spiun. Shiko këtë burrin karshi? Ka qënë diplomat dhe gjykatës në kohën e Enverit. Sot ka vënë në grykë të topit këdo që I del përpara? Shiko këtë ministrin? Thonë se nuk ka ku fut paratë, që I vjedh miletit? …Po më zihet fryma! Dua të iki një orë e më parë…Por më kanë zënë kokën me derë, njerëzit e thjeshtë që më dhanë votën?!…Për një gjë jam I sigurtë: Nuk do gjendet regjizor, të më mbushi kaptinën, të bëhem përsëri deputet?!…

Dhe e mbajti fjalën!

Share: