Home KRYESORE Kadareja duhet t’i përgjigjet Kadaresë dhe jo Palluqit!!

Kadareja duhet t’i përgjigjet Kadaresë dhe jo Palluqit!!

0

Nga Rezart Palluqi

Përgjigje publike zotit Çerçiz Loloçi
Çerçiz Loloçi dëshmon qysh në fillim të letrës së tij se ai, ashtu si edhe e tërë armata popullore komuniste, shkruan jo duke u bazuar në ato çka shkruan pala tjetër,ose sipas mentalitetit enverist, pala kundërshtare/armike, por shkruan atë çka do të dëgjojë ose i pëlqen të dëgjojnë hyjniu ose gjeniu, në këtë rast, gjeniu i letrave shqipe, I.Kadare. E kam fjalën për një reagim publik të zotit Loloçi, me titull: “A duhet t’i përgjigjet Kadareja Palluqit, apo jo,kjo është çështja,?” botuar në webin elektronik përqasje në 17 gusht të këtij viti.
http://perqasje.com/2017/08/ti-pergjigjet-apo-jo-palluqit-shkrimtari-kadare-kjo-eshte-ceshtja/

Loloçi bën një gafë që e bëjnë vetëm vrasësit me pagesë ose gazetarët pa brum apo mendim të tyrin të pavarur. Në shkrimin e lartpërmendur, ai citon letrën time publike të botuar në webin elektronik të Jozef Radit,para 2 viteve, me titull, Kadare, kërko të falur”.
http://www.radiandradi.com/zoti-kadare-kërkoni-të-falur-polemikë-nga-rezart-palluqi/testata-kryesore/gazeta/

Këtë letër Loloçi e ndërlidh me letrën e Kadaresë dërguar diktatorit Hoxha në lidhje me disidencën e admirueshme të motrës së tij ndaj diktatorit Hoxha. Lind pyetja: ç’lidhje ka thirrja ime publike ndaj Kadaresë për të kërkuar të falur me letrën e tij? Këtu kemi një vakum kohor 2 vjeçar midis letrës sime dhe atë të Kadaresë. Pastaj unë nuk jam pozicionuar publikisht në lidhje me këtë letër. Vërtetë e kam përgëzuar Ilir Demaliajn për publikimin e kësaj letre, të cilën arkivistët dhe spiunët e sigurimit ditën ta ruanin në hije edhe gjatë 27viteve pseudodemokratike. Kjo tregon se Loloçi nuk e ka lexuar fare letrën time. Ai gjithashtu gabon kur më akuzon mua në lidhje me letrën e Kadaresë drejtuar diktatorit, sepse siç e thashë më lart,unë nuk reagova, ngaqë letra ishte tejet e kristaltë, e qartë ndaj dhe m’u duk humbje kohe t’i shtoja edhe sikurse një presje. Kjo ngaqë Kadareja aty është shumë i ndershëm,si rrallë herë. Ai reagon si komunist i devotshëm,petrit dhe ushtar përjetësisht besnik i shokut Enver. Aty ai tregon se për hir të famës dhe interesit të tij personal pranon t’i gjunjëzohet diktatorit.

Zoti Loloçi në të njëjtën letër më shpall mua katundar dhe shkrimtaruc. Ka dy arsye përse ai e bën këtë. E para është se unë nuk jam asisoj shkrimtari që të kem mbaruar universitete apo shkolla letrare. Nuk kam marrë bursa apo rroga oborrtare si fjala vjen, Kadareja me shokë. Unë punoj nëpër fabrikat evropiane dhe në darkë krijoj tekste letrare duke sakrifikuar gjumin dhe shëndetin tim. Unë nuk jam yll mediatik, si Kadareja. Nuk kam qenë zëvendëskryetar i frontit demokratik,nuk kam pasur xhip personal, as çelësat e arkivave të shtetit. Librat e mi nuk janë përkthyer me florinjtë e kulakëve. Ata nuk janë lexuar objektivisht prej kritikës, as nuk janë lexuar me neutralitet prej përkthyesve të mirënjohur të shqipes. Nuk janë korrektuar dhe redaktuar prej specialistëve të këtyre dy fushave. Logjike pra, që zoti Loloçi ka thënë: kush është ky copë fshatari që na i kërkokërka gjeniut të papërsërtishëm, Kadaresë që të kërkojë të falur? Ky duhet teje ndonjë shkrimtaruc por edhe fshatar. Sepse këto janë dy predhat standarde që përdor ushtria e verbër e Kadaresë. Je fshatar nëse e sulmon atë, dhe kjo përbuzje është një skorje, mbeturinë mesjetare, por që Tirana komuniste me bilbilët e saj e mbajnë gjallë atë. Unë mjaftoj t’ju kujtoj se në Holandë fshatarët gëzojnë një respekt më të madh sesa qytetarët,ngaqë shpirti holandez ashtu si edhe ai evropian prehet në fshat.

Tani do të doja të thellohesha fare shkurt në brendinë e letrës time. Aty unë i kërkoj Kadaresë që t’i kërkojë të falur publike popullit shqiptar( jo kastës komuniste,sepse ajo ka qenë e gjitha kriminele) për manipulimin e vetëdijshëm dhe treçerekshekullor (gjysmëshekullor në diktaturë, 25 vjet në post-diktaturë) që Kadareja me shokë i kanë bërë të vërtetës së shekullit të tij. Në këtë letër unë i kujtoj Kadaresë se artisti duhet të vetreflektojë i pari me qëllim që shembullin e tij ta ndjekë populli dhe kasta politike. I kujtoj gjithashtu se nëse artisti gënjen një herë, politikani ka të drejtë të gënjejë dhjetra herë. Në këtë letër unë i them Kadaresë se mbas vitit 1992 ti mund të bëheshe një hero i madh i moralit shqiptar. Pra, nuk e akuzoj përse nuk i ra me grusht diktaturës para vitit 1992, por përse nuk e bëri këtë mbas 1992? Nëse Kadareja do ta kishte bërë këtë jo vetëm në sytë e mi por edhe tërë botës shqiptare, ai do t’ishte figura më e ndritur jo vetëm e letrave shqipe por edhe fatit të moralit shqiptar, i cili tashmë mund të themi se ka vdekur totalisht. Pendimi publik i Kadaresë do të kishte sjellë “paqjen sociale” midis shqiptarëve. Kadareja nuk e bëri këtë,përkundrazi është shndërruar në një “mollë sherri”.
Mirëpo Kadareja, zoti Loloçi si përpara se të vdiste xhaxhi Enver si mbas vdekjes së tij, ndoqi të njëjtën vijë ideologjike. Dhe ajo ishte kjo: mbas 1992 komunistët,qofshin xhelatët , qofshin këngëtarët e tyre, zgjodhën rrugën e heshtjes.Ata u betuan tok: Jo vetëm që nuk do të pendohemi për çka kemi bërë, por do të bëjmë të pamundurën që tia përlajmë karrigen vikitmave tona.Pra, në kohën e largqoftit bënë xhelatin, ndërsa mbas vitit 1992 bënë viktimën. Vetviktimizin e kemi ndeshur rregullisht edhe tek shoku Kadare, apo jo zoti Loloçi? Dashnor Kaloçi e formatoi tejet qartë këtë në librin e tij Kadareja, 101 herë i denoncuar. Të njëjtën gjë bënë edhe xhelatët,spiunët,sigurimsat. Ata nuk emigruan siç emigrova unë dhe miliona të tjerë shqiptarë.Jo, jo, përse do ta bënin ata këtë? Partia, i shpërbleu me pensione speciale që kapin shuma marramendase, deri në 1000 euro në muaj.Një pension të tillë special e përfitoi edhe shoku Kadare dhe shoqja Kadare gjatë Perandorisë së Edi Ramës. Mbas shpërblimit material/financiar,komunistët këto 5 vitet e fundit po përpiqen të fitojnë edhe betejën morale, sepse atë ekonomike gjithnjë e kanë fituar ata. Nuk është aspak e rastit që ish prokurorët apo hetuesit enveristë dekorohen nga Presidenti. Jo vetëm që dekorohen,por ky dekorim bëhet shpesh në të njëjtën ditë që janë vrarë e pushkatuar poetë, shkrimtarë, siç ndodhi para ca ditësh kur ish firmëtarja e varjes së Havzi Nelës u dekorua në të njëjtën ditë. Po t’i përmend të gjitha këto zoti Loloçi për të të treguar pasojat katastrofike që shkakton mospendimi ndaj krimeve morale. Dhe kur ky mospendim vjen prej një figure tejet të njohur publike siç është I.Kadare,atëherë mund të flasim haptas dhe me gjithë gojën se na ka zënë një kolerë aq e fuqishme që ska doktor apo ilaç që e zmbraps. Në të njëjtën letër unë i them I. Kadaresë,se nësë një popull me artistët që e përfaqësojnë nuk pendohen për krimet e së kaluarës, ata do të mbeten vrasësit e nënave apo të motrave të tyre, edhe sikur ta lexojnë Shekspirin tri herë në ditë. Se arti nuk pi ujë kur shpikësi i artit, pra shkrimtari në këtë rast gënjen dhe mashtron pamëshirshëm një jetë të tërë. I bie sikur një doktor të shpikë një ilaç kundra Sidës, por ai të bëjë seks pa prezervativ me mijëra femra.

Pastaj ju zoti Loloçi më quani mua shkrimtaruc. Vë bast që ju nuk keni lexuar asnjë resht prej prozës sime. Megjithatë unë po e marr si të mirëqenë se ju më keni lexuar. Dhe se proza ime nuk ju ka pëlqyer. Dhe kjo gjë mua nuk më shqetëson aspak sepse edhe për mua janë me dhjetra shkrimtarë të mirënjohur që nuk më hynë hiç në sy. Sidoqoftë unë e pranoj se proza ime mund të ketë defekte. Megjithatë ju do të bënit mirë të më shpallnit shkrimtaruc vetëm nëse proza ime do të kishte përfituar të njëjtën përkrahje që ka gëzuar proza e Kadaresë. Pra: t’ishte redaktuar dhe korrektuar disa herë prej mjeshtrave të kësaj fushe. T’ishte përkthyer me paratë e shtetit në dhjetra gjuhë. T’ishte reklamuar ditë e natë nëpër mediat shqiptare,siç bëjnë me prozën e Kadaresë. T’ishte përfshirë shpesh me dhunë nëpër tekstet shkollore dhe t’ishin detyruar nxënësit që të mësonin përmendësh vargje të poezive apo fragmente të romaneve të mi. T’ishte propaganduar jasht Shqipërisë prej ish spiunëve enveristë që kanë zaptuar ambasadat shqiptare dhe çdo institucion tjetër shqiptar atje. Nëse proza ime mbas gjithë këtij financimi dhe përkrahjeje të frikshme,nuk do të pëlqehej, atëherë ju mund të më quanit MUA me plot gojën, shkrimtaruc.

Zoti Loloçi, ju shtroni pyetjen ironike: a duhet ‘i përgjigjet Kadareja Palluqit apo jo? Në radhë të parë Kadareja nuk do t’i përgjigjej/t Palluqit por vetë Kadaresë. Pra nëse Kadareja do t’i përgjigjej Palluqit ai duhej të vetpastronte mëkatet e bëra. Dhe këto mëkate Kadareja nuk i bëri i shtyrë prej Palluqit,por për të bërë karrierë në një periudhë kur Shqipëria përpëlitej në çarkun barbar të diktatorit Enver Hoxha. Nëse dikur Sulltani i kërkonte princërve shqiptarë 10 koka rebelësh, princërit tanë, i dërgonin atij 100 koka. Këtë bëri edhe Kadareja me shokë. Nëse Enveri kërkonte një poezi ndaj armiqve irealë, Kadareja thurte 10 poezi. Sa më shumë të flirtonte me regjimin, aq më të mëdha privilegjet dhe shpërblimet për të.
Pastaj, ç’ne kjo megalomani në adresë të Kadaresë? Shkrimtarët e mëdhenj kakterizohen për modestinë dhe humanizmin e tyre të thellë. Ata i urrejnë hierarkitë.Mirëpo ju, Kadareja ju pëlqen që ta mitizoni shkrimtarin, ta shpallni atë të papërsëritshëm. Dhe kjo është një tentativë vdekjeprurëse për të ardhmen e artit. Imagjino zoti Loloçi se çdo të ndodhte nëse anglezët do ta kishin mitizuar Shekspirin? Atëherë nuk do të kishte lindur Orwelli,Bajroni,Dicksen,Elioti,etjer.

Ju thoni se agronomët, fermerët, spiunët vdiqën, kurse Kadareja jo! Po poezia “pashallarët e kuq” a mund të vdesë ajo ndonjëherë? Siç jua thashë më lart: në një odë më shumë vlerë nuk kanë librat që radhiten në një raft, por mënyra sesi lexohen dhe kush i lexon ato libra? Shembulli që na dha Kadareja është ky:gjatë ditës ia nxjerrim sytë të së vërtetës dhe gjatë natës bëjmë sikur qajmë për të.
Në mbyllje, etika juaj zoti Loloçi lë shumë për të dëshiruar. Vërtetë, ju flsini si ata qytetarët apo fshatarët analfabetë, ose më mirë ju silleni si komunist enverist. Atyre ngaqë u mungon sensi dhe bagazhi për të bërë debat intelektual merren me jetën private të tjetrit, apo me spërdredhjet që mund t’i bësh mbiemrit të armikut,siç bëni ju me mbiemrin tim. Unë fjala vjen,nuk do të guxoja që mbiemrit tuaj t’i hiqja prapashtesën “çi” dhe t’ju quaja juve, LOLO! As mbiemrin e Kadaresë nuk do ta deformoja duke i shtuar një r para Ka,pra ta bëja Ka-r-dare. Këtë nuk do ta bëja sepse nuk i tutem debatit,as të vërtetës. Përpos kësaj unë nuk e përziej asnjëherë personin fizik apo jetën private me veprën e shkrimtarit. Proza e Kadaresë ka vlerat apo anti-vlerat e saj që nuk ia mohon askush. Po ashtu ndodh me të gjithë publicistikën e Kadaresë si dhe disa poezi( që edhe Gubelsi do t’i kishte zili) që e ka përkrahur fort regjimin enverist dhe ate post-enverist. Dhe meqë po flasim për regjimin enverist, Kadareja nuk u përplas me asnjë udhëheqës komunist gjatë 25 viteve të fundit . Ai kurrë nuk e akuzoi Berishën për dhjetra krimet që kreu në kurriz të shqiptarëve.As Nanon, as Ramën. Shkurt, si dje,si sot, ai ishte dhe mbeti mik me ta, ashtu siç ka mbetur mik edhe me ju. Ne rrafshin intelektual ju jeni pra kapaku dhe tenxherja!

Rezart Palluqi
Holandë, gusht 2017

Share:
Reklama juaj