Kavaja “pushtohet” nga plehrat!

Kavaja “pushtohet” nga plehrat!

0

Nga Klement Baci

Mjafton të bësh një xhiro në një nga lagjet e qytetit të Kavajës dhe e kupton fare lehtë që plehrat janë kthyer në një problem për këtë qytet.

Kazanë të mbushur plot, plehra të hedhura përreth tyre dhe një erë kundërmuese i janë shtuar së tepërmi qytetit në këto ditë të nxehta vere.

Në disa lagje mungojnë kazanët, në disa të tjera ato pastrohen një herë në dy apo tri ditë duke shkaktuar një dëm të madh ambientit dhe shëndetit të qytetarëve.

Por kush janë shkaktarët që papastërtia në Kavajë po rritet?

Papastërtia në Kavajë është gjithnjë e në rritje dhe disa faktorë po e bëjnë këtë një proces më të shpejtë.

1. Hedhja e mbetjeve nga ana e qytetarëve është një nga problemet më të mëdha në ruajtjen e pastërtisë së ambienteve publike. Në Kavajë qytetarët i hedhin mbetjet e tyre kur të kenë kohë të lirë edhe jo kur duhet të hidhen që ato të mos shndërrohen në problem për vetë ata.

2. Hedhja e mbetjeve jashtë kazanëve është një problem që nuk haset vetëm në Kavajë por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Qytetarët që i afrohen kazanit dhe qesen e plehrave e hedhin jashtë tij, janë të shumtë. Qese dhe mbetje të hedhura ngado shikon pranë çdo kazani në Kavajë.

3. Pastimi i qytetit nga Firma pastruese e kontraktuar nga Bashkia. Mbledhja e plehrave nga firma është një proces delikat që nuk është konsultuar me ambientalistë apo ekspertë mjedisi. Aktualisht pastrimi bëhet në mes të ditës, rreth orë 10-12 gjë që sipas ekspertëve mjedisorë është kategorikisht e ndaluar, pasi dëmi që i shkaktohet ambientit është dy-fish më i madh. Mungesa e kazanëve në disa lagje dhe gjendja keqe e disa kazanëve ekzistues në disa lagje të tjera është një tjetër problem.

Por cila është zgjidhja e kësaj situate të krijuar?!

1. Qytetarët në Kavajë ashtu si në të gjithë Shqipërinë kanë nevojë për një fushatë të madhe ndërgjegjësimi për mënyrën e trajtimit dhe menaxhimit që ata duhet të bëjnë për mbetjet e tyre. Hedhja e mbetjeve në kazanë është hapi i parë por shumë i rëndësishëm për një ambient më të pastër.

2. Bashkia e Kavajës nëpërmjet Firmës së pastrimit duhet të ndërmarrë dy hapa të rëndësishëm; 1) rritjen e numrit të kazanëve dhe dërgimin e tyre në çdo lagje të qytetit, sa më pranë qytetarëve. 2) Pastrimi i qytetit duhet të ndodhë dy herë në ditë, në orët e para të mëngjesit dhe në mbrëmje vonë për të shmangur mbingarkesën dhe erën e keqe që përhapet gjatë pastrimit të kazanëve.

Kavaja i ka të gjitha mundësitë që të jetë një qytet i pastër, por pa bashkëpunimin e të gjithëve, qyteti do të vazhdojë të jetë i “pushtuar” nga plehrat.

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY