Home KRYESORE Ndiq pozitiven! Nga JETA TOÇILA

Ndiq pozitiven! Nga JETA TOÇILA

Ka njerëz që rrezatojnë pozitivitet, madje pa folur fare, ti e ndjen se ata janë njerëz të mire, ashtu si edhe ti. Ka të tjerë që nxijnë në fytyrë dhe nëse nuk nxijnë, ka diçka që të largon prej tyre. Nëse takon në jetë njerëz si ata të parët, mbaji fort, janë të rrallë dhe pasuri t’i kesh pranë.

Këta njerëz e transmetojnë pa kursim lumturinë dhe mirëqënien e tyre emocionale. Ata të ngrenë humorin nëse të ka rënë, të nxisin të gjesh e të përmbushësh veten. Ata të rrinë pranë kur të vjen për të qarë e të shtrëngojnë dorën për të të dhënë forcë. Ata të japin kohë nga jeta e tyre, e nëse nuk të gjenden tek dera e shtëpisë, i ke në zilen e telefonit. Ata tregojnë vëmendje dhe përqëndrohen me sy e me veshë në bisedë dhe të nesërmen të pyesin se si kanë shkuar gjërat.

Tregojnë gatishmëri të të dëgjojnë e të të ndihmojnë, pa kushte dhe pa interesa. Ata të ofrojnë sigurinë e vazhdimësisë dhe ti ndjen që edhe në dy të mëngjesit mund të braktisin gjumin për ty. Ata kanë lindur dhe janë edukuar për të qenë miq të vërtetë. Ndoshta mund të kesh takuar njerëz të tillë në jetë. Urime! Por fakt është që ditët e sotme, shpesh rastis të takosh njerëz disi të lodhshëm, që duan të ankohen qoftë edhe dy minuta duke ecur me ty rrugës. Ata vetëm shfryhen e mallkojnë dikë apo diçka.

Ata marrin nëpër gojë njerëz të tretë, për të cilët ti nuk ndan të njëjtin opinion. Ata shfryjnë negativitetet e tyre mbi ty. Ndërkohë që ata flasin me keqardhje ti kupton sesa shumë thashetheme prodhon ky vendi ynë i vogël! Ti ndjen se gjithçka e tyrja lëshon sinjale negative dhe befas dëshiron t’ia mbathësh.

Por detyrimet shoqërore, normat sociale, etika, kultura, traditat, etj…nuk të lejojnë t’ia mbathësh apo ti thuash personit “aman, boll se më lodhe”. Ti bën sikur i dëgjon, sikur i duron, sikur të vjen keq, sikur i kupton …ti bën sikur …dhe minutat e jetës tënde ecin, dhe koha kalon. Ndihesh i rraskapitur, i ngecur fryme, i plakur….

Ejj…A ia vlen kjo??

Unë them se nëse ke forcë t’i ndryshosh këta njerëz e t’ua thuash në sy çfarë mendon për ta dhe çfarë nuk të pëlqen, mund t’ia vlejë sfida. Nëse nuk ke forcë dhe motiv të brendshëm apo të jashtëm për t’iu futur kësaj nisme, thjesht tërhiqu dhe mos helmo jetën tënde…

Bëju hyzmetin miqve të mirë e të dashur, thjesht ndiq pozitiven!

Share: