Home KRYESORE Po na thonë të ikim …! Nga Bruna Gercari

Po na thonë të ikim …! Nga Bruna Gercari

Po na thonë të ikim …

“Realitet i hidhur, koha për të ikur. Jam i zhgënjyer, do iki me familjen. Edhe balerina vjell vrer … etj. etj.”

Janë këto, me pak fjalë titujt apo të thënat e politikanëve e artistëve, të cilët pa më të voglën përgjegjësi po hedhin deklarata orë e minutë, sesi duhet ikur nga ky vend. Natën për hanë dhe nga sytë këmbët.

N’fakt, ngjan më tepër me nji ulërimë, jo kundër pushtetit e t’këqijave, sesa t’i jepet jehonë ndjellakeqjes, panikut, e urrejtjes kundër këtij vendi. Kundër familjes, të afërmve, miqve, lagjes, qytetit. Ik, thonë. Braktisi.

Sikur t’ishte kaq e lehtë. Sikur të kishim lindur nëpër stalla, e jo në gjirin e nji qyteti me aromat e të cilit jemi mbrujtur … Të braktisim gjithçka, me idenë se atje ku do shkojmë nuk na braktisë asgjë. Ikni, na thonë. Po. Shumë t’afërm, miq e të njohur të mi kanë ikur. Ka dhe prej atyre, të cilët deshën të iknin n’kohën e diktaturës, por u vranë, internuan a burgosën. Avash!

Mos âsht edhe kjo nji thirrje ulëritëse, vrasëse në vetvete?! Ikni ju, se ju zëvendësojmë me të tjerë. Te rrugicat ku ke ecur, te dyqani ku ke ble bukën, te qoshku ku të ka shiju kafeja, te përshëndetjet që ke dhanë përditë … Vetëm ikni.

Zbrazëtija, ecja kuturu, buka e pambrujtun, vetmia, do jenë ato që ju presin n’vendin e huj’. Ikni, na thonë!

Pashë dhe të tjerë të iknin, por jo si ju. Jo kaq kollaj. Ikën e po ikin fshehurazi, duke paguar mafiozët që t’i strehojnë diku, e duke punuar me frikën se mos dikush i gjen dhe i kthen. Të tjerët që ikën aplikuan e pritën me vite, duke sakrifikuar mësimin e gjuhës, paratë e kursyera e ankthin e pritjes.

Ikni, na thonë! Për cilën ikje po flasin?!

Share: