Home KRYESORE Shqipëria e varfër lulëzon kirurgjinë plastike milionereshe

Shqipëria e varfër lulëzon kirurgjinë plastike milionereshe

Klinikat e kirurgjisë plastike pothuajse kanë dyfishuar të ardhurat gjatë vitit 2016 në raport me 2015-n. Vitin e kaluar, pesë prej tyre qarkulluan mbi 2 milionë dollarë, me zgjerim vjetor në total prej 80%. Rritja e kërkesës në treg për shërbime të kësaj natyre ka nxitur edhe shtimin e numrit të bizneseve në këtë sektor.
Si po kthehet kompleksi shqiptar i hundës në një biznes milionash, ndërsa po rritet kredia konsumatore për ndërhyrje plastike. Problem mbetet i lartë informaliteti dhe risku i salloneve të paspecializuar që kryejnë procedura të vogla

Të gjithëve na ka qëlluar të përballemi me “sfidën” e një fotoje të përsosur. Kërkojmë këndin më të mirë, ndriçimin më të mirë, dhe sigurisht kemi një profil të fytyrës që na duket se del gjithmonë më bukur se tjetra. Pas 1 milion tentativave ia dalim të zgjedhim një. Edhe pse kemi bërë më të mirën, sërish gjejmë gjëra për të korrigjuar, por disa zgjedhin ta lënë këtë vetëm me mendime dhe të kërkojnë ndihmë tek aplikacionet e telefonit apo filtrat, të tjerë kërkojnë ndihmën e një kirurgu plastik.

Në Tiranë, sot oferta është e bollshme për nga numri i klinikave dhe spitaleve që i ofrojnë këto ndërhyrje. Kjo nis nga spitali shtetëror, në këtë rast Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” deri te spitalet private, klinikat më të vogla të orientuara vetëm tek ndërhyrjet plastike e në fund te disa sallone që, në mënyrë formale apo informale, bëjnë korrigjime sidomos te fryrja e buzëve.
Pavarësisht kësaj oferte duket se numri i këtyre klinikave vazhdon të rritet dita-ditës si kërpudhat pas shiut, e nxitur nga kërkesa e lartë. Shumica e tyre operojnë si persona fizikë, duke u regjistruar në emrin e mjekut kyç që kryen edhe ndërhyrjet.
Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në bilancet zyrtare të deklaruara nga klinikat kryesore estetike tregojnë për një rritje të ndjeshme të të ardhurave të tyre përgjatë 2016-s. Xhiro e 5 klinikave kryesore rezulton të jetë rritur me rreth 80% me bazë vjetore.

Klinikat e kirurgjisë estetike u shfaqën me një marketing agresiv në vitet 2013-2015, që duket se ka funksionuar.
Në dinamikën e zhvillimit të këtij tregu që po rritet në mënyrë të jashtëzakonshme ka ndikuar zgjerimi gjeografik i kërkesës ku tashmë të huajt po zgjedhin edhe turizmin kirurgjikal në Shqipëri, sepse kostoja është disa herë më e ulët se në vendin e tyre.

Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në bilancet zyrtare të deklaruara nga klinikat kryesore estetike tregojnë për një rritje të ndjeshme të të ardhurave të tyre përgjatë 2016-s. Xhiro e 5 klinikave kryesore rezulton të jetë rritur me rreth 80% me bazë vjetore.

Rritja e fortë e të ardhurave te privati

Të dhënat zyrtare nga bilancet e kompanive tregojnë për një rritje dyshifrore të të ardhurave që kanë qarkulluar klinikat që kanë në fokus të aktivitetit kirurgjinë estetike.
Klinika KEIT është më e madhja e këtij lloji në Shqipëri. Në vitin 2015 ajo deklaroi të ardhura prej 148 milionë lekësh (rreth 1.1 milionë euro), me një rritje prej 47% me bazë vjetore.

Rritje të fortë ka pësuar edhe DaVinci, me zgjerim të të ardhurave me 80%, duke arritur në 30.5 milionë lekë, në vitin e parë të plotë të aktivitetit të saj (Klinika është hapur në mars 2015).
Klinika tjetër DermoLife ka pasur rritje të të ardhurave nga aktiviteti me 75% në vitin 2016, në 15.2 milionë lekë.
Fitimi para taksave, nga ana tjetër, është një tregues i fortë se ky biznes po përjeton momentin e tij më të mirë të rritjes.

Keit raporton një rritje të fitimeve me 40%, në 42 milionë lekë, ndërsa norma e fitimit ishte gati 30%, më e lartë sesa në pjesën më të madhe të sektorëe kryesorë të ekonomisë shqiptare.
Fitimi i klinikës DaVinci u katërfishua në vitin e parë të plotë të aktivitetit, në gati 5 milionë lekë, me një normë fitimi prej 16%.

Klinika të tjera, ndonëse me të ardhura të ulëta, deklarojnë norma të larta fitimi prej 44%, si psh Euromedica.
Kirurgjia plastike po ofrohet dhe nga spitalet e mëdha, si ai Amerikan, por në bilancin e kompanisë nuk ka të detajuara se ç’pjesë të të ardhurave sjellin këto shërbime.

Informaliteti në sektor dhe risku i lartë

Sektori që është i orientuar drejt ndërhyrjeve estetike është cilësuar si një nga ata me riskun më të lartë të evazionit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kreu i këtij institucioni, Vasilika Vjero, tha për “Monitor” pak kohë më parë se një projekt pilot i fokusuar te shërbimet shëndetësore për Menaxhimin e Riskut nxori të dhëna interesante.

“Planet sektoriale përfshijnë 1,506 subjekte të sektorit shëndetësor dhe më shumë se 20,000 subjekte të sektorëve të ndryshëm të tregtisë. Në përfundim të këtij projekti, efekti që u vu re ishte rritja e deklarimit vjetor me respektivisht 40% më shumë në sektorin e shëndetësisë dhe 10% në sektorin e tregtisë në raport me vitin 2015; formalizim gjatë periudhës së projektit të më shumë se 50 subjekteve vetëm në kryeqytet, por edhe rritje të xhiros korente të deklaruar.

Përmes takimeve me përfaqësuesit e subjekteve, njoftimeve në faqen tonë zyrtare, kemi njoftuar të gjithë bizneset për hapat që ndërmerren. Subjektet në fokus të Modulit të Menaxhimit të Riskut dhe jo vetëm, monitorohen dhe kontrollohen nga zyra e më pas, në rast evidentimi të shkeljeve ndiqen procedurat e parashikuara në ligjin për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë. Vlen për t’u theksuar se vërehet një rritje e ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë nga ana e tatimpaguesve në raport me detyrimet e tyre ligjore”, është shprehur Vjero.

Ndërhyrjet nëpër sallone dhe materialet e pakontrolluara

Ka një debat të gjerë për të miratuar një ligj të veçantë që do të rregullojë tregun ku operojnë këto klinika por, mbi të gjitha, do të ofrojë siguri për materialet. Jashtë kontrollit, në disa raste mbeten sallonet estetike që ofrojnë fryrje të buzëve apo edhe më shumë procedura, duke mos përdorur materiale të kontrolluara ose në rastin më të mirë, materiale të lira.

Rastet e atyre që pas një ndërhyrjeje në një sallon të paspecializuar, përfundojnë në klinika më të mëdha, janë në rritje. “Më shqetësues është fakti ku trajtime në dukje të thjeshta, si fryrja e buzëve apo reduktimi i rrudhave me botox, po bëhet në qendra të paspecializuara dhe nga joprofesionistë. Në këtë mënyrë, shanset për të gabuar në qendra jo të përshtatshme janë më të mëdha dhe po ashtu numri i personave të pakënaqur është më i lartë”, – pohon Faria.

Si e “blejnë” heshtjen klinikat dhe spitalet për rastet problematike

Është e çuditshme të shohësh sesi rastet e ndërhyrjeve estetike që shkojnë keq nuk përfundojnë asnjëherë në gjyq. Ose rastet janë sporadike dhe palët akuzuese janë tërhequr. Në Gjykatën e Tiranës, aktualisht janë katër çështje për “Mjekim të pakujdesshëm”, ku klasifikohen edhe ndërhyrjet estetike, por që asnjë prej tyre nuk lidhet me rastet estetike.

Burime nga Policia e Shtetit thanë që përgjithësisht këto raste nuk denoncohen, pasi palët e arrijnë vetë zgjidhjen. Në shumë raste, klinikat apo spitalet ofrojnë mundësinë e korrigjimit të ndërhyrjes së parë falas, ose kthejnë paratë e paguara nga pacienti. Në raste edhe më të vështira, një dëmshpërblim disi më i majmë mund të blejë edhe heshtjen. Vetë Policia e Shtetit nuk ka një numër të saktë për kallëzime të bëra ndër vite për ndërhyrje estetike, pasi i klasifikon të gjitha te “Mjekimi i pakujdesshëm” dhe i referon në Prokurori. Kjo e fundit, e cila duhet të ngrejë edhe akuzën duke qenë më specifike, duket se ka pak ose aspak raste.
Të pyetur nga “Monitor”, zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme pohoi se nuk ka një të dhënë të saktë të klasifikuar për rastet e operacioneve plastike të shkuara keq.

Mjekët italianë, “emigrantë pune” në Shqipëri

Klinikat e kirurgjisë estetike kanë një marketing agresiv, sidomos në rrjete sociale me foto të punëve të tyre, si dhe me oferta që synojnë tërheqjen e kontingjentit që ka interes për një ndërhyrje. Për të përçuar edhe më shumë besim duket se një pjesë e mirë e tyre kanë punësuar pranë tyre mjekë të huaj.

Raste të tilla janë në klinikën KEIT, me të paktën pesë mjekë italianë, tre të tjerë pranë klinikës DaVinci dhe një pranë DermoLife. Prania e tyre në Shqipëri dhe ofrimi i ndërhyrjeve me çmime dukshëm më ekonomike se në Itali është një tregues i fitimit që po gjeneron ky biznes. Ndërkohë që prania e tyre në Shqipëri ka tërhequr një kontingjent të madh të pacientëve italianë që po rriten gjithmonë e më shumë.

Si po kthehet kompleksi shqiptar i hundës në një biznes milionash

Për nga vetë natyra mesdhetare, shqiptarët kanë përgjithësisht një hundë të madhe dhe kjo ka nxitur biznesin e plastikës së hundës në Shqipëri. Operatorët e tregut pohojnë se vendin e parë për llojin e ndërhyrjeve e mbajnë ato në hundë, të paktën 50% e ndërhyrjeve kanë të bëjnë me të. Në Qendrën Spitalore Universitare, sipas burimeve zyrtare, çdo ditë kryejnë një ndërhyrje të paktën 10 pacientë që duan të operojnë hundën ose veshët. Zyrtarisht, në këtë spital, kjo ndërhyrje klasifikohet për nevoja shëndetësore dhe jo si rregullim estetik. Arsyeja që nënshkruhet është ajo e pranisë së mishit të huaj apo devijimit kockor, që pengon pacientin të jetojë normalisht.

Ndërhyrjet kryhen për pacientët deri në 18 vjeç dhe ofrohen falas, por kjo nuk e përjashton edhe grupin e të rriturve që mund të marrin shërbimin me një çmim më të lirë, që është dukshëm më i ulët sesa në një klinikë private. Për shembull, për një ndërhyrje në hundë, operacioni vlerësohet të jetë në 1.2 milionë lekë, kurse në privat fillon nga 1500 euro. Nga ana tjetër, ndërhyrja në vesh është një procedurë jo dhe aq e thjeshtë, por luhatet sërish në të njëjtat nivele.

Google, në Shqipëri kërkohet më shumë për hundën se për zemrën

Motorët e kërkimit në Google janë të aftë të gjenerojnë të dhëna mbi atë çka qytetarët në secilin vend të botës kërkojnë më shumë. Në Shqipëri nëse klikon me fjalën “operacione” më poshtë të renditen edhe kërkimet më të shpeshta që janë bërë nga shqiptarët, që konkretisht janë operacionet e hundës, operacionet plastike, më pas operacionet plastike të hundës dhe së fundi operacionet e zemrës.

Kjo deri diku vërteton edhe faktin që operacionet e hundës janë edhe më popullorët që kryhen nga klinikat e kirurgjisë estetike. Ndërkohë që nëse në Google kërkon me të njëjtën fjalë në anglisht “operation” del që rezultatet të mos kenë asnjë lidhje me ato shqiptare. Konkretisht nga “operation” vijnë më poshtë “operacion buzëqeshja, operacion shëndeti, menaxher operacional (përkufizim për një profesionist në pozita menaxheriale me përvojë më shumë se 10-vjeçare).

Kredia për plastikë

Shumë vajza të reja janë të punësuara, preferojnë që të marrin një kredi, kuptohet kryesisht është pjesa e hundës që është një kredi e vogël 1500 euro dhe nuk ua rëndon atyre gjendjen ekonomike. Vajzat e reja kryesisht preferojnë të marrin kredi, kurse pjesa tjetër më e rritur paguajnë ‘cash’./ Monitor

 

Share: