Home KRYESORE T’i përgjigjet apo jo Palluqit shkrimtari Kadare, kjo është çështja?

T’i përgjigjet apo jo Palluqit shkrimtari Kadare, kjo është çështja?

Nga Çerçiz Loloçi

Rezart Palluqi, një shkrimtaruc-katundar prej Elbasani ka bërë kohët e fundit një letër të hapur për Ismail Kadarenë (http://www.radiandradi.com/zoti-kadare-kerkoni-te-falur-polemike-nga-rezart-palluqi/testata-kryesore/gazeta/), ku kërkon në thelb të sqarojë momentet me motrën e vet, Kadrie Kadare, ku sipas horizontit të tij pllaquritës e mendon një lloj spiunimi të vëllait për motrën.

Nuk ia vlen të lexosh gjithë letrën e hapur dhe mjerim i madh për ata që i krijojnë hapësirë botimi, por mjafton të shikosh cilësimin e pacipshëm ‘kolegu Palluqi’ (pllaquritje), për të mos e marrë seriozisht një tekst të tillë, që edhe Resul Bedo nuk do ta bënte asnjëherë kur shkruante për heronjtë ose dëshmorët e atdheut. (Emri apo mbiemri kurrsesi nuk flet asnjëherë për vlerën e një shkrimtari, por nëse do të lexosh krijimtarinë e këtij autori, ndoshta duhet marrë në mbrojtje për t’u strehuar në ndonjë vorfnore).

Natyrisht këto raporte, më mirë se kundërshtarët apo servilët e Kadaresë, i ka shpjeguar ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme Kastriot Dervishi ku e vetmja letër e Kadaresë për Enver Hoxhën është bërë pikërisht në kohën kur gjithë personat që fliste Kakuja (Kadrie Kadare) ishin arrestuar dhe burgosur.

Natyrisht se nuk ia vlen të merresh me Rezart Palluqin, por palluqëria është më e gjerë brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë të Republikës së Shqipërisë. Është pak a shumë i njëjti mendim që ka djali i eksponentit të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe nomenklaturës komuniste Ilir Demaliaj, që shpërndau letrën e Kadaresë; koncepti i kreut të sapozgjedhur të shoqatës antikomuniste demokratë dhe i nëndrejtorit të Institutit të Dokumentimit të Krimeve Komuniste, po aq sa mendimi i shokut Nasho Jorgaqi që ka marrë në përdorim arkivin e Nexhmije Hoxhës; të Henri Çilit të UET që ka edhe Çmimin ‘Kadare’, por që boton edhe marrëzitë e Mustafa Nanos dhe punëson ‘varrëmihësin’ e Skënderbeut Hysamedin Ferraj; koncepsioni i shokut Fatos Lubonja që do të dekonstruktojë mitet komuniste por asnjëherë nuk është shprehur për vrasjet pa gjyq të babait dhe nënës së vet gjatë regjimit komunist të parisë nacionaliste; përsiatjet e Adrian Vehbiut me pejzazhet e fëlliqësisë dhe kështu me radhë të një llagëmi gjirizesh majtas, djathtas e në qendër që janë gjithmonë kundër vlerave më të spikatura properëndimore të shqiptarëve.

(Shumë kohë më parë jetonte në Korçë një person që shkruante në majë të trarëve dhe shante nga mëngjesi në darkë Kadarenë, botonte edhe libra dhe, pa pasur asnjë konflikt me pushtetin e djeshëm e të sotëm, ra nga qeramidhet dhe u nda nga jeta. Një tjetër shkrimtar dhe përkthyes që gjëmën e madhe e kishte nga diktatori, thjesht dhe vetëm për xhelozi, mbushte gazetat arbëreshe me denigrime kundër shkrimtarit Kadare).

Bashkë me qeramidherënësin, përkthyesin e indoktrinuar më keq se Pal Vata, kanë ikur në botën tjetër edhe shumë syresh të angazhuar nga Sigurimi i Shtetit, nga levat e partisë që janë konseguentë në përbaltjen e Kadaresë, përfshi shoqatën e agronomëve në pension, organizatën e montatorëve të serrave me tranguj, lidhjen me dy koka të Shkrimtarëve dhe Artistëve në demokraci (një kryetar me vulë dhe kryetari tjetër me anëtarë që shkoi dhe e zhvarrosi rivalin tjetër për t’i rrëmbyer vulën) asosacionin e heronjve të Punës Socialiste, mbarëkombëtarët kuqezi, por të gjithë më vete dhe së bashku kanë pasur një fund të trishtë: janë tretur si hiri që nuk i përmend askush dhe që nuk të bëhet të shkosh as për të kryer nevojat ditore.

Share: