Home KRYESORE Trump mesazh Koresë së Veriut, pas lëshimit të raketës. Çfarë pritet të...

Trump mesazh Koresë së Veriut, pas lëshimit të raketës. Çfarë pritet të ndodhë?

0

Donald Trump reagoi pas lëshimit të raketës koreano-veriore mbi Japoni, që bëri të bien sërish këmbanat e luftës. Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk e përjashtoi mundësinë e një veprimi ushtarak.

“Bota e dëgjoi fort dhe qartë mesazhin e fundit të Koresë së Veriut: ky regjim e ka sinjalizuar tashmë përbuzjen për fqinjët e tij, për të gjithë pjesëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe për standardet minimale të një sjelljeje ndërkombëtare të pranueshme. Veprimet kërcënuese dhe destabilizuese vetëm sa e rrisin izolimin e këtij vendi në rajon dhe në botë. Të gjitha opsionet janë në tryezë”, tha Trump.

Lëshimi u konsiderua nga kryeministri japonez Shinzo Abe si kërcënim i paprecedent ndaj vendit të tij. Raketa, e hedhur orët e para të mëngjesit, fluturoi mbi ishullin e Hokkaido-s përpara se të binte në det. Besohet se është fjala për një raketë mjaftueshëm të fuqishme sa për të bartur një kokë me mbushje bërthamore. Sipas ushtrisë koreanojugore, ajo është lëshuar drejt lindjes në 06:00 të mëngjesit nga një zonë pranë Penianit, çka konsiderohet diçka e rrallë.

Verifikimet fillestare tregojnë se ajo ka fluturuar për më shumë se 2,700 km, e ka mbërritur lartësinë 550 km- më e ulët se në teste të mëparshme për të rënë më pas në veri të Paqësorit ku është thyer në tre pjesë. Autoritetet japoneze nuk bënë asnjë përpjekje për ta rrëzuar, por banorët e Hokkaidos u këshilluan të strehoheshin në ndërtesa sa më të qëndrueshme apo bodrume.
Incidenti i ka shqetësuar japonezët, të cilët nisën menjëherë nga protestat.

“Qytetarët e Japonisë janë të ekspozuar ndaj rrezikut dhe për këtë, unë Korenë e Veriut, nuk do ta fal dot kurrë”, thotë Kohei Toyama, student.

“Kjo është shumë shqetësuese, si në këndvështrimin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të Japonisë. Edhe Shtetet e Bashkuara duken thellësisht të trazuara”, thotë një banor.

Peniani ka kryer disa testime shqetësuese kohët e fundit, por kjo është hera e parë që përdor një armë balistike mbi Japoninë fqinje. Ka pasur dy raste të mëhershme kur raketat e tij kanë kaluar në Japoni, në 1998-n dhe 2009-n, megjithatë vendi komunist pat sqaruar atëherë se bëhej fjalë për mekanizma të lëshimit të satelitëve dhe jo armë të mirëfillta.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së njoftoi një mbledhje urgjente në përgjigje të episodit të rrezikshëm. Australia dhe Tajvani e dënuan me forcë veprimin provokues, ndërsa avionët e Seulit simuluan bombardime në një zonë malore të vendit./360grade.al

Share:
Reklama juaj