Home KRYESORE Berisha dhe pionerët e çetës Basha

Berisha dhe pionerët e çetës Basha

Nga Azem Parllaku

Rrjedhja e të paktën dy votave nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, për zgjedhjen e Gramoz Ruçit si kryetar të Kuvendit, ka shkaktuar reagime të shumta që prej të shtunës në mbrëmje.

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar një qëndrim pa ekuivok dhe të prerë, duke nxjerrë zbuluar papjekurinë dhe mënyrën idiote se si deputetë të caktuar të partisë së tij, përpiqeshin të shmangnin përgjegjësitë. Si zëri i njerëzve në veprim Demokracia është zëri i atyre që kanë diçka për të thënë. Ajo nuk është thjeshtë një traditë apo dhuratë e trashëguar, e cila nxirret para të tjerëve që t’a admirojnë si të ishte një plaçkë e vyer. Demokracia është veprim, ndaj ajo duhet praktikuar. Ajo është diçka që duhet vënë në jetë. Dhe, si shprehia e çdo veprimi të sofistikuar, ajo duhet mësuar që kur jemi të rinj, në mënyrë që të mos harrohet kurrë.

Sipas kësaj logjike, dy “pionerët” e Partisë Demokratike, Grida Duma dhe Ervin Salianji, u përpoqën kot të bindnin se, komisioni i numërimit të votave kishte kryer manipulime. Idetë e kundërta nuk duhet të konsiderohen praktikisht të dyshimta, egoiste dhe të gabueshme. Ato duhet të luftohen me argumente, e jo të injorohen me cinizëm. Nuk duhet harruar se injoranca dhe cinizmi, janë korrezive si për individin ashtu dhe për shoqërinë. Përderisa politika është forma e jashtme, kompozicionale dhe strukturore e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit, kultura është esenca e brendshme e qenësisë së tij, shpirti që i jep frymë dhe identitet. Obligimi i politikanit të kulturuar nuk është magjepsja e popullit, futja e emocioneve dhe e konfuzitetit në të.

Obligimi i politikanit të kulturuar është të dijë e të parashikojë për të vepruar, për të qenë pjesmarrës i zbulimit dhe i realizimit të qëllimeve që i janë rrëmbyer popullit, pjesmarrës i krijimit të një praktike koherente dhe të vetëdijshme për të gjithë dhe pjesmarrës i krijimit të një përgjegjësie në rrafsh të historisë. Kjo nënkupton dhe përpjekjen e politikanit të kulturuar për të nxjerrë në dritë të vërtetë të gjithë ata politikanë të rremë dhe jo të kulturuar që duan të afirmohen, të arrijnë kapital e të ndërtojnë karrierë mbi të keqen e popullit.

Si një politikan i kulturuar, po kaq dhe i regjur, Sali Berisha, u ka kujtuar “pionerëve” të grupimit të tij politik se, është plotësisht e mundshme që, dy apo më shumë deputetë demokratë të tradhëtojnë, të joshen, të hakmerren ose të shantazhohen, në ndërkohë që është e pafalshme që të hiqesh sikur kjo gjë nuk ka ndodhur dhe çdo gjë shkon vaj. Sigurisht që, ato dy vota të panevojshme për Gramoz Ruçin, konsiderohen si një turp për Partinë Demokratike. Dhe, kur ka ndodhur kështu, përgjegjësia është e kryetarit të partisë. “Është e pafalshme. Kjo çeshtje duhet analizuar, duhet të vendosim rregulla. Unë dola me kokën ulur nga Parlamenti.

Kush e bëri na futi thikën mbrapa. Nuk duhet t’a falim për atë që bëri. Ata që e bënë duhen dënuar. Se është populli që na gjykon, nuk mund të gjejmë pretekst që t’i hedhim hy syve”, mësohet të ketë thënë Berisha. Mirëpo, Berisha, “i hekurt” duhet t’a kishte këshilluar me kohë Bashën se, kur deputetët dalin nga lista e kryetarit, rreziku më i madh është paaftësia e tyre, për të plotësuar kryetarin në udhëheqjen e partisë.

“Ndërsa burrat e mëdhenj, e njohin nevojën e vetëkontrollit, të vegjlit shpesh i vë në lëvizje frika dhe mendjemadhësia. Uroj që në të ardhmen, të mëdhenjtë të bëjnë që të vegjlit të ulen për të diskutuar, përpara se të hidhen në luftë”, thotë Jackie Kennedy. Tashmë, kur opozita zyrtare në Shqipëri ka kohë që deliron, Berisha, që konsiderohet si i vetmi “nerv i gjallë” i saj, do të frenojë lajthitjet e “pionerëve” të grupit të tij politik.

Share: