Home KRYESORE “Dora tjetër” për ata që duan të ikin nga ky vend… Nga...

“Dora tjetër” për ata që duan të ikin nga ky vend… Nga Luela Myftari

0

Manuel Bravo mbërriti në Angli së bashku me të birin. Ishte refugjat. Anglia vendosi ta kthente në atdhe. Ai nuk donte, për të ardhmen e të birit, thonte. Kështu vrau veten, që djali të mos kthehej në vendin pa të ardhme ku ishte rritur vetë ai.

Kjo histori ka mjaftuar që gazetari dhe shkrimtari Chris Cleave të shkruante romanin “Dora tjetër”. I njohur edhe me titullin “Bletëza”, si personazhi kryesor i kësaj vepre, romani është një thirrje politike në gjuhë poetike. Një mesazh politik për globalizmin, për vuajtjet, torturat dhe shpresat e humbura të të gjithë refugjatëve që kthejnë gishtat nga kanë thembrat, e që përpiqen gjithnjë të dëgjojë zërin e arsyes, thua se nuk kanë zemër.

Në një kohë, kur edhe shqiptarët sot sillen si refugjatë në shumë vende të botës, e ku vetë mua më ndodh të shoh e të bëj kronika për kthimet e atyre shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet europiane, “Dora tjetër”, ajo dorë që presim të na zgjasim, më la një kuptim tjetër për mëshirën dhe kohën në të cilën jetojmë.

E vërteta është se “Dora tjetër” nuk është dora që zgjasin të tjerët. As edhe një gisht i bërë kurban për të shpëtuar një jetë, apo për ta bërë më të mirë të ardhmen… Dora tjetër është dora jonë. E kthimi në vendin tënd nuk është aq i keq, mjafton të kthehesh me një mision, po aq i bindur sa edhe kur u largove.

Si zakonisht, ky libër më mbërriti në tavolinën e punës i prezantuar me një fjali:

Ky roman tregon se si “tjetri” nuk është thjesht një i njohur apo një fqinj, “tjetri” mund të jetë çdokush, edhe një komb i tërë, në përpjekje për t’u çliruar nga kthetrat e çnjerëzores.

Por, për mua pyetja e autorit, në përballje me tjetrin, me një histori njerëzore që klith nga dhimbja e nga dëshpërimi se nuk gjen shteg ku të punojë, të hajë apo edhe thjesht të jetojë, më tremb: Sa nga ne, mendjehapurit e shpirtgjerët, do të shtrinin një dorë?

Ajo është një Nigeriane, prindërit e së cilës i kanë vrarë, ndërsa të motrën ia kanë përdhunuar pranë trupit saj. Një shëtitje që nis si një pushim i shkurtër për një çift gazetarësh dhe një shëtitje që nis si arratisje nga realiteti për dy motrat nigeriane është historia fatale e globalizmit që ne të gjithë përjetojmë sot. Historia e tmerrshme e mijëra refugjatëve që enden kampeve të përqëndrimit për vite të tëra dhe kthehen sërish aty ku ishin.

E pra sa prej jush e zgjasin dorën për tjetrin? Apo ti je tjetri?

Subjekti

Bletëza, një refugjate nigeriane, që vetëquhet kështu, sapo ka dalë nga qendra e paraburgimit për imigrantët e paligjshëm, në Angli. Nuk ka dokumente dhe ka një të shkuar të tmerrshme të cilën as që do ta kujtojë. Ajo njeh vetëm dy persona në Angli, një gazetar Endrjun dhe kryeredaktoren e një reviste, Sarën, bashkëshorten e tij. Në qendrën e paraburgimit nuk e ka pasur të thjeshtë. Frika se do të vinin ta merrnin apo ta përdhunonin, nuk e linin të bënte as gjumë të qetë. Pa para, pa rroba, pa asgjë, Bletëza mëson në dy vjet të flasë si mbretëresha, të flasë gjuhën e revistave dhe gazetave, një anglishte të pastër, me libra e revista të hedhura tutje.  Ha ushqime në prag skadence dhe ëndërron. E vetmja gjë që mund të bëjë pa para është të ëndërrojë.

Sapo del nga qendra e paraburgimit, ajo vendos të kërkojë mbështetjen e së vetmes vendase që njeh. Sara është një nënë e re e moderne, të cilën Bletëza e ka takuar para disa vitesh, rastësisht, në një plazh në Nigeri, ku Sara po kalonte pushimet me të shoqin, Endrjunë, në një përpjekje për të shpëtuar martesën e tyre. Ajo që ndodhi atë pasdite në plazh shndërrohet në një makth që kthehet në jetën e tyre papritur, në çastin kur Bletëza i merr në telefon.

Endrju jo vetëm që nuk mund të shpëtojë martesën e krisur nga e shoqja Sara, që e ka tradhëtuar, por vetëvritet pasi Bletëza i telefonon dhe i thotë se kërkon ndihmën e tyre. Ai nuk mund ta harrojë atë pasdite, kur e shoqja Sara pret gishtin e saj për t’i shpëtuar jetën Bletëzës, ndërsa ai i pafuqishëm nuk mund të ndalojë përdhunimin e vajzës tjetër nigeriane, motrës së Bletëzës.

Stili

Romani është rrugëtimi i dy femrave, zëri i tyre. Kapitulli i parë është Bletëza, ndërsa i dyti rrëfehet nga Sara. Kapitulli i tretë oshëtin me ëndrrat dhe shpresat e refugjates, Bletëzës, ndërsa i katërti me tmerrin që ndien Sara. E kështu vijon deri në fund, një roman që nuk duket se ka politikë, por është diplomaci, politikë, rregull, rend e shumë ligj. I mbushur me mesazhe që mund të na i ndryshojë jetën në bashkëjetesë me “tjetrin”, ky roman besoj se duhet lexuar nga kushdo që dëshiron të arratiset nga ky vend.

Për mua, “Dora tjetër” janë të gjithë ata që kthehen e ata që duan të ikin. Dhe kjo histori është vetëm një fragment i asaj që ndodh çdo ditë diku, ku dikush kërkon të ikë. Sa mund të na shpëtojë tjetri? Kjo është pyetja që më la mua autori

Autori

Chris Cleave është shkrimtar dhe opinionist britanik. Romani i tij i parë,

Incendiary, u botua në njëzet vende të botës dhe u përshtat për kinemanë në një film me aktorët Michelle Williams dhe Ewan McGregor. Romani fitoi çmimin Somerset Maugham Award dhe arriti ndër finalistët e çmimit.

Commonwealth Writers’ Prize.

Romani i tij i dytë, “Dora tjetër”, arriti ndër finalistët e Costa Book Awards,

rezultoi një nga librat më të shitur të vitit sipas New York Times-it, si dhe u nominua për Commonëealth Writers’ Prize. Nicole Kidman ka kërkuar që në përshtatjen e këtij romani në film, ajo të jetë pjesë e kastit.

“Dora tjetër” është nga lloji më i mirë i romaneve politike: je pothuajse tërësisht i pandërgjegjshëm për politikën në të, pasi ky libër nuk ka të bëjë me gjëra abstrakte, por me qenie njerëzore.

– The Washington Post

Share:
Reklama juaj