Dy poetesha shqiptare në manifestimin poetik në Itali

Dy poetesha shqiptare në manifestimin poetik në Itali

0

Irma Kurti e Valbona Jakova të ftuara në Edicionin e XXII-të të veprimtarisë titulluar: ”Poezia e shkëputur” në Crema(Cremona)

Dy poeteshat shqiptare Irma Kurti e Valbona Jakova ishin të ftuara në Edicionin e XXII të Manifestimit: “Poezia e Shkëputur” të organizuar në Crema(Cremona) në Itali. Për dy ditë me radhë, në datat 9 e 10 shtator, në qëndrën Duomo të qytetit, pjesëmarrësit ndoqën me interes recitimin e poezive, të shoqëruara me muzikë dhe me ekspozime të ndryshme.

Këtë vit u mblodhën 120 kompozime të shkruara nga 59 poetë nga e gjithë Italia. Prezantuan Alberto Mori e Mariangela Torrisi. Tematika ishin “Pemët” po vargjet trajtonin edhe çështje të aktualitetit. Veprimtaria u organizua nën kujdesin e Rrethit Poetik Korrente në bashkëpunim me Departamentin e Kulturës të qytetit.

Ajo çfarë e bën të veçantë veprimtarinë është ekspozimi i poezive në panele, çdonjëra prej tyre në 30 kopje. Gjithkush mund të shkëpuste apo griste poezinë/poezitë e preferuara për t’i lexuar me qetësi në shtëpi, pse jo, edhe për t’i dhuruar.

Poetja Irma Kurti pasi prezantoi veprimtarinë e saj shumëvjeçare në artin e të shkruarit si dhe citoi disa nga botimet në gjuhën italiane recitoi poezi nga përmbledhjet: “Sotto la mia maglia”(Nën bluzën time), “Non è questo il mare”(Nuk është ky deti) si dhe libri i ri: “Senza patria” (Pa atdhe).

“Pjesëmarrja në këtë manifestim ishte eksperiencë e veçantë”- shprehet Kurti, “jo vetëm pse poezia përballet me vargjet e poetëve të tjerë, të cilët pata mundësinë që t’i njoh nga afër, po edhe pse më dhuroi emocione ashtu i shoqëruar me vargje, me tinguj muzike dhe me shiun që binte papushim”.

Valbona Jakova, rezidente në Itali që prej vitit 1991 për të marrë pjesë në këtë veprimtari erdhi nga Ghedi, në provincën e Brescias. E njohur në komunitetin shqiptar në Itali po dhe më gjërë për botimet në gjuhën italiane si edhe përkthimet e disa autorëve klasikë e bashkëkohorë italianë në gjuhën shqipe, ajo lexoi poezi nga përmbledhja “La tempesta delle ore” (Stuhia e orëve). Vargje për “Pemët” që shtjellonin tematikën e veprimtarisë: “Pemët janë qënie të gjalla. Ato lenë mbi tokë qetësinë më të madhe dhe pesha e viteve u duket një çast i madh”.

“Ishte kënaqësi të shikoja”, rrëfen Valbona, “se si dashamirës anonimë të poezisë kishin shkëputur poezitë e mia për t’i lexuar, por mbi të gjitha që poezia ka të apasionuarit e saj”.

Një manifestim i tillë i përvitshëm i shërben vlerësimit të autorëve të njohur dhe afirmimit të të rinjve, por njëkohësisht synon ta sjellë poezinë më afër publikut.

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY