Home KRYESORE Kryeministri bullgar telefonon Ramën, çfarë biseduan:

Kryeministri bullgar telefonon Ramën, çfarë biseduan:

Boyko Borissov, kryeministër i Bullgarisë, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, raporton agjensia bullgare e lajmeve.

Mësohet se kryeministri Borissov ka kërkuar respektimin e të drejtave të minoritetit kombëtar bullgar në Shqipëri, sipas standardeve ligjore ndërkombëtare.

“Biseda mori shtysë nga një ligj që synon mbrojtjen e të drejtave të pakicave që u hartua nga qeveria shqiptare. Borissov tha se ai priste që legjislacioni të përfshinte parashikimin për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit bullgar”, raporton agjencia shtetërore bullgare.

“Edi Rama siguroi kryeministrin bullgar se ligji është ende duke u përgatitur dhe u zotua se vendi i tij nuk do të shkelte interesat e minoritetit bullgar. Ai deklaroi se komunikimi me Bullgarinë do të vazhdonte dhe se interesat bullgare në Shqipëri do të mbroheshin”, vijon më tej njoftimi.

Ndërkohë në draftin e propozuar dhe që u paraqit në Komisionin përkatës Parlamentar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk njihet ndonjë minoritet kombëtar bullgar në Shqipëri. Çështja duket se nuk është kaq e thjeshtë, shkruan “panorama”.

Agjencia njofton se ka lëvizje aktorësh politikë në Bullgari që kërkojnë të drejtat për bullgarët e Shqipërisë.

Deputeti Anton Donchev ka kërkuar në një seancë parlamentare që çështja e bullgarëve të Shqipërisë të bëhet çështje kryesore shtetërore dhe prioritet i presidencës bullgare të BE-së gjatë fillimit të vitit 2018. Sipas këtij deputeti, numri i bullgarëve në Shqipëri arrin nga 50 000- 100 000.

Share: