Home KRYESORE Luan Rama jep alarmin: Vetingu në rrezik, Qeveria akses në dokumente!

Luan Rama jep alarmin: Vetingu në rrezik, Qeveria akses në dokumente!

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka kritikuar ashpër qeverinë për qëndrimin e saj ndaj institucioneve të vetingut, duke e cilësuar shkurtimin e organikës së tyre si tentativë kapjeje.

Rama ka thënë se Këshilli i Ministrave është zotuar se do të krijojë të gjitha kushtet që procesi i vetingut të ecë me sukses, por sipas tij këtë gjë nuk e kanë zbatuar që në fillim, duke i përgjysmuar numrin e stafit.

Nënkryetari i LSI-së i ka quajtur si të papranueshme deklaratat e Kryeministrit se përkthyesit e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme do të përdoren për t’u shërbyer anëtarëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që do të asistojë vetingun.

“Kur dëgjova Kryeministrin këtu, se për shërbimet e përkthimit dhe të komunikimit me partnerët ndërkombëtarë do të përdoret Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e kuptova që kjo qenka filozofia e trajtimit dhe e vlerësimit të institucioneve kushtetuese. Po çfarë pune do të ketë Ministria e Jashtme me korrespondencën apo me përkthimin e materialeve të institucioneve të vetingut, kur presupozohet që në atë të Ministrisë së Jashtme mund të ketë subjekte, që do të jenë subjekte të hetimit, apo të vlerësimit nga komisionet e vetingut se mund të jetë një grua, një motër, apo një vëlla gjyqtari?! Si mund të hyjnë në aksesin e institucioneve të vetingut përfaqësuesi apo punonjësi i një institucioni tjetër?! Ja pra, ky është koncepti dhe projeksioni juaj për institucionet e vetingut, ky është vizioni juaj për pavarësinë funksionale të institucioneve kushtetuese” – tha Luan Rama./Lapsi.al

Share: