Home KRYESORE Manjani: Qeveria e re nuk ka ministra, por vetëm Kryeministër

Manjani: Qeveria e re nuk ka ministra, por vetëm Kryeministër

Nga Ylli Manjani

Asgjë të keqe s’ka qeveria e vogël dhe ndarja në rajone.

——

Që të shmang çdo keqkuptim, jam i bindur që qeveria e re që pritet të mandatohet nuk ka ministra por vetëm Kryeministër.

Qeveria ngjan me matrioshkat ruse, ku të gjitha kukullat nga më e madhja tek më e vogla kanë fytyrën e Kryeministrit. Kështu që në këto kushte më mirë pak ministra sesa shumë. Kursehen disa shpenzime pagash te larta dhe zyrash.

Pavarësisht këtij realiteti politik monopartiak që kemi, ideja e një qeverie të vogël mbetet një gjë e mirë. Shqipëria është një vend i vogël dhe ska pse të ketë një qeveri të madhe.

Teorikisht numri i vogël i ministrave shton frymën e ekipit dhe përgjegjësinë solidare në vendimmarrjet kolegjiale. Natyrisht, kjo kërkon një ministër të përgjegjshëm që ti shërbejë interesit publik dhe jo thjesht interesit politik të Kryeministrit.

Vendi ka shumë sektorë problematikë, por jo për çdo të tillë duhet emëruar një ministër. E përsëris: qeveria është organ kolegjial dhe ministrat janë përgjegjës për çdo problem që ka vendi, pavarësisht fushës që ata mbulojnë. Për këtë të fundit ata mbajnë përgjegjësi direkte!

Por, që ideja të funksionojë duhen ndërmarrë edhe disa gjëra të tjera në vijim.

Numri i vogël i ministrave duhet shoqëruar me zvogëlim të administradës në ministri dhe rritje të agjensive ligjzbatuese. Efektivisht ministritë tona janë të tej fryra me personel, ndërkohë që realisht vetëm pak njerëz mbajnë ngarkesë në punë. Shumica e personelit rri kot.

Duhet vendosur ministri në rolin e tij Kushtetues dhe jo si zëdhënës i qeverisë e as punonjësi më i lartë i një ministrie. Ministri ka autoritet kushtetues të urdhërojë dhe të drejtojë sektorët që i caktohen, ashtu siç është solidarisht përgjegjës me ministrat e tjetër për çdo çështje tjetër.

Nëse ministri shndërrohet në një instrument propagande që flet e flet pa thënë asgjë, merret me tendera e liçensa, merret me punësime pa kriter e të tjera si këto jemi realisht larg, shumë larg misionit Kushtetues te tij.

Për çdo ministër mjafton vetëm një zëvendësministër. Jo më shumë, vetëm një! Detyra e tij/saj është vetëm të zëvendësojë ministrin kur ska mundësi të jetë në detyrën e tij kushtetuese. Kjo e bë automatikisht të detyrueshëm përfshirjen e zv.ministrit në çdo praktikë dokumentare që qarkullon në ministri.

Ministritë duhet të merren vetëm me politika, vendosje standartesh e jo me ekzekutime shërbimesh. Këto të fundit kryhen nga agjensi të specializuara nën varësinë e ministrit, por jo pjesë e ministrisë.

Nuk ka asnjë kuptim caktim i zêvendësministrit të ngarkuar me sektorë të veçantë! Asnjë kuptim kushtetues e as organizativ! Sipas Kushtetutës ekziston ministri dhe jo ministria e aq më pak “zëvendësministria”.

Sektorët e veçantë drejtohen nga drejtoritë e politikave dhe Standarteve. Shërbimet kryhen jashtë ministrisë por auditohen nga zyra e auditit që ka ministri.

Ky lloj organizimi zbeh dhe maksimalisht redukton kabinetet dhe Sekretarët e Përgjithshëm në ministri. Drejtorët në ministri janë këshilltarët më të mirë të mundshëm. Kjo kërkon edhe një rishikim të ligjit të shërbimit civil. Ky ligj duhet vendosur me rreptësi m çdo agjensi zbatimi të ligjit, por jo në drejtoritë e politikave në ministri.

Në kushtet kur zvogëlohen ministritë dhe zgjerohen agjensitë ligjzbatuese, pa dyshim edhe organizimi i shtetit në rajone më më mëdha është një gjë pozitive. Kjo do të thotë të shtohen shancet për planifikim më të mirë sepse territori bëhet më i madh.

Kushti i vetëm që duhet të plotësohet është që bashkitë duhet realisht të jenë autonome dhe që kryejnë shërbime në çdo cep të territorit.

Reforma e shërbimeve publike duhet të synojë kalimin e sa më shumë syresh në bashki. Vetëm disa shëbime me natyrë kombëtare mbeten për tu kryer nga agjensi qëndrore.

Pra ky lloj koncepti organizues i pushtetit ekzekutiv nuk do ishte i keq.

Kam frikë se propozimi i Ramës për qeverinë e re, do mbetet aq, vetëm tek numri i ulët i ministrave.

E lënë vetëm me kaq, i gjithë koncepti mbetet gjysmak dhe krijon kaos. Zakonisht këto llij “kaosesh” synojnë të evidentojnë leaderin e fortë që zgjidh çdo gjë!!!

Kjo pastaj ska lidhje me reformimin e shtetit por me çimentosjen e pushtetit të një njeriu të vetëm!

E parë në këtë këndvështrim, ndoshta është e nxituar “kritika” ndaj idesë! Duhet parë mirë se si ajo do vihet në zbatim.

Do synohet të organizohet efektivisht pushteti apo do të çimentoset Autoriteti i njëshit?

Kjo është çështja që presim të shohim!

Share: