Home KRYESORE Një kryeministër që ka mrekulluar botën. Nga Arben Rrozhani

Një kryeministër që ka mrekulluar botën. Nga Arben Rrozhani

Qeveria e dytë e Edi Ramës prej dy javësh vazhdon të mbetet në titujt kryesore të mediave më të rëndësishme botërore, duke e hedhur në erë thënien e vjetër se çudia më e madhe zgjat tre ditë. Strategët e PR-it pranë burrështetasve të fuqishëm po përpiqen të kuptojnë sadopak se si arriti shefi i qeverisë shqiptare që krijojë një kabinet aq të vogël, me aq pak buxhet, duke eleminuar burokracitë e shumta që vetëm gërryejnë fondet e shtetit. Komisioni Europian ngriti një grup të gjerë auditimi për të parë se si arriti Shqipëria të presë burokracinë jo nga degët, por nga rrënjët, me shpresën se një operacion i tillë do të rehabilitojë imazhin e superqeverisë së Brukselit që për ironi të faktit ka më shumë lloje përkthyesish se sa të gjitha ministritë dhe drejtoritë e qeverisë shqiptare të marra së bashku. Në të vërtetë, për Edi Ramën puna kishte qenë shumë më e lehtë. Që mbrëmjen e 25 qershorit, kur exit-poll-et treguan se partia e tij kishte fituar e vetme shumicën në Kuvend, ai hartoi planin e mini-qeverisë. Dikush i tha se në fillim të shekullit të kaluar, një qeveri shqiptare kishte patur vetëm 4 ministra dhe në mendje i mbeti vetëm ministri Punëve Botore, term që e godiste si çekan që kur nisi punën si kryetar bashkie në tetor 2000 dhe u bë dashnor i çmendur pas betonit, bojërave, fasadave, pemëve dhe shtyllave të ndriçimit. Pasi bëri llogaritë, duke hequr ministritë që kishte ende LSI-ja dhe këta ministrat e shtetit, nga 19, numri do të binte në 11.

U hoqën të gjitha ministritë që e kishin përmbushur misionin e tyre dhe që t’i mbaje hapur do të thoshte që mijëra nëpunës të administratës vetëm të dridhnin zinxhirin. Por kjo s’mund të lejohej. Ministria e parë që fshiu pa asnjë hezitim ishte ajo e Transporteve. Kishte mjaftuar një mandat qeverisës që vendi të ndërtonte një rrjet fantastik superstradash me nga 8 korsi, të cilat i mrekullonin miliona turistët perëndimorë që tashmë vijnë në Shqipëri për pushime në 12 muajt e vitit, për plazhet, pistat e skijimit, turizmin malor dhe të kulturor. Një rrjet i gjerë hekurudhor i trenave të shpejtësisë së lartë, që kishte bërë xhelozë edhe TGV-në franceze, ishte ndërtuar në kohë rekord nga një koncesionar i huaj dhe tashmë nga mund të shkoje për 2 orë nga Shkodra në Pogradec, e më tej në Greqi dhe për 1 orë nga Durrësi në kufirin me Maqedoninë. Mijëra turistë hyjnë në vend me avionët e tyre privatë, tashmë kur çdo qytet i kategorisë së parë ka aeroportin e vet, ndërsa portet e jahteve janë bërë aq të shumtë saqë autoritetet portuale kanë deklaruar emergjencën pasi bregdeti shqiptar është mbushur me anije luksoze nga gjithë bota, që nuk duan të ankorohen më në brigjet e Italisë, Greqisë, Kroacisë apo Malit të Zi, për shkak të taksave të larta, kur në Shqipëri është falas. Dyndja e madhe e të huajve u pasua me patrullimin e policëve ndërkombëtarë nëpër rrugë dhe qendra rezidenciale nga meraku i ndonjë vepre kriminale, pasi rënia drastike e krimit ordiner dhe e veprave të rënda penale u pasua me shkrirjen e Policisë së Shtetit. Të vetmet uniforma të paarmatosura janë inspektorët fitosanitarë që kontrollojnë numrin dhe parametrat e bimëve të kanabisit të mijëra fermerëve të licensuar, pasi edhe Shqipëria iu bashkua pjesës tjetër të botës që e ka bërë të ligjshme drogën e lehtë për qëllime farmaceutike dhe industriale. Mijëra të huaj, po vijnë vetëm për turizëm mjekësor, pasi qeveria ofron për të gjithë pacientët pa dallim feje, vendi dhe ideje, trajtim mjekësor dhe operacione pa asnjë kosto, falë suksesit të “Shëndetësisë Falas”, në katër vitet e shkuara. Qeveria rihapi dosjen e sjellë nga ish-kryeministri italian, Berluskoni, në vitin 2003 për të furnizuar Puglian me ujin e Syrit të Kaltër dhe tani po ndërtohet tubacioni i pestë nënujor nga Shqipëria në Italinë e kufizuar me burime ujore. Popullata e merr këtë ujë me çmim simbolik, ndërsa uji i pishëm i nxjerrë nga përpunimi i ujërave të zeza jepet falas. Ç do shqiptar në moshë madhore përfiton tashmë falas nga qeveria një apartament 100 metër katrorë dhe shumica e beqarëve po përfitojnë duke ua dhënë me qera të lartë të huajve.

Ndërtimi i dy mega HEC-eve në vend ka siguruar tepricë të madhe energjie dhe Zvicra po e blen me shumicë nga Shqipëria, pasi referendumi popullor vendosi mbylljen e centraleve bërthamore për prodhim energjie.

Gjatë mandatit të parë, pasi punësoi të gjithë shqiptarët e aftë për punë brenda vendit, emigrantët që kishin humbur vendet e punës dhe refugjatët që iknin nga vendet në luftë, qeveria shqiptare, u bëri thirrje edhe grekëve të dëshpëruar që të pranonin punën me mëditje në plantacionet e agrumeve në jug të vendit. Në Athinë, ky propozim u quajt thirrje për luftë. Opozita thirri një seancë të posaçme në Parlamentin Grek dhe një deputet e PASOK-ut deklaroi se Greqia ishte gjunjëzuar përpara Shqipërisë dhe Rama po ua kthente reston më mënyrën më të dhimbshme grekëve që punësuan shqiptarët e uritur, 27 vite më parë. Sa për gjermanët, francezët, italianët, apo maqedonasit, nuk kishte nevojë për apele, sepse nëpër sheshet e krijuara prej Rilindjes Urbane gjeje turma prej tyre duke pritur ofertën më të mirë për punët ditore që ofronin zotërinjtë shqiptarë. Për të qenë sa më transparentë me publikun, ministri i Ekonomisë, Financave, por edhe i Punës, u detyrua që të bëjë një mbledhje urgjente me INSTAT-in, organ që e ka në varësi, që të bëjë një census të ri të (pa)punësisë, që të llogaritet saktë, nëse ka mbetur ndonjë shqiptar, apo i huaj pa gjetur punë në vend. Rama nuk hezoi të kopjonte idenë e referendumit që bëri Zvicra më 2016-ën, duke u propozuar të gjithë shqiptarëve që edhe pa punuar asnjë minutë të merrnin nga 5000 euro shpërblim në muaj, ose gati dy herë më shumë se sa ofroi konfederata helvete. Por përgjigjia e popullit në referendum ishte disfatë e rëndë për të: vetëm 3 për qind ishin pro, por edhe këta, sipas exit-polleve, janë burra të martuar të fiksuar pas kumarit dhe një kategori pensionistësh që duan t’i kalojnë vitet e fundit të jetës nëpër udhëtime të shtrenjta jashtë.

Kryeministrit të Shqipërisë iu desh të ngrinte me urgjencë Ministrinë e Sipërmarrjes, me qëllim që të disiplinonte sa më shpejt dyndjet e bizneseve të huaja në vend. Koorporata të mëdha dhe firma botërore populluan zonat e lira ekonomike. Dy javë më parë sherri mes BOEING-ut amerikan dhe AIRBUS-it europian për të transferuar teknologjinë aerospaciale në zonën e fundit ekonomike të mbetur në Shqipëri, rrëzoi aksionet e tyre në bursë me 5 për qind, ndërsa qeveria shqiptare u propozoi gjigandëve që të ndanin zonën në gjysmë, ose të bashkëpunonin në të mirë të biznesit të të ardhmes. Italianët që dikur sillnin vetëm call-center-a në Tiranë, tani kanë selinë qendrore të ENEL-it në Vlorë, AGIP-i ka zaptuar Patosin, ndërsa shtëpitë e modës së Milanos janë transferuar në zonën e zgjeruar të ish-Bllokut, që tashmë ka përfshirë edhe vilat superluksoze të miliarderve shqiptarë dhe të huaj në zonën e Farkës. Qeveria miratoi edhe një ligj që favorizonte sekretin bankar, më shumë se Zvicra dhe Luksemburgu, duke shkaktuar eksod monetar nga këto vende drejt Shqipërisë. Luksemburgu akuzoi për këtë një ish-vartëse të Ramës në bashkinë e Tiranës, e cila kishte edhe dy shtëpi në Dukatin e pasur europian dhe në shenjë revolte i kërkoi të shiste pronat, sepse do t’ia ndalonin qëndrimin e mëtejshëm në vend.

Për t’ia ngulur thikën deri në fund burokracisë së Brukselit që i kishin mbajtur prej 20 vitesh kërkesat për anëtarësim të Shqipërisë në BE, Rama, në mënyrë demonstrative, shkriu Ministrinë e Integrimit dhe urdhëroi ambasadoren shqiptare që të merrte mbrapsht të gjithë arkivin me kërkesat e Shqipërisë ndër vite për hapjen e negociatave. Autoritetet më të larta europiane u lodhën më kot që të bindnin zyrtarët shqiptarë që t’u jepnin edhe dy ditë kohë sa të përpiloheshin dokumentet e anëtarësimit me të drejta të plota dhe që pranimi i Shqipërisë të pasohej me një ceremoni madhështore që do të mbahej në kryeqytetin belg, ku do të ftoheshin liderët nga mbarë bota, por Rama nuk ua hapi telefonin dhe urdhëroi ambasadoren që, pasi të merrte arkivin, të dorëzonte edhe zyrën, duke e tërhequr përfundimisht edhe përfaqësinë. Ky veprim shokoi më tepër se të gjithë britanikët që kishin vuajtur aq shumë me Brexit-in e tyre. Albexit-i spektakolar ishte në kopertinë të tabloideve britanike disa ditë rresht me tituj që tregonin supremacinë e Shqipërisë ndaj Britanisë si në një ndeshje futbolli, ndërsa rrjeti BBC intervistoi ish-kryeministrin Tony Blair. Pyetja e parë ishte nëse ia kishte propozuar ai qeverisë shqiptare këtë skemë që turpëron britanikët dhe nëse po, sa milionë paund kishin kaluar në llogarinë e firmës së gruas së tij, Cherry. Blair e mohoi një përfshirje të tillë edhe kur drejtuesi i emisionit këmbënguli duke i kujtuar se kështu ishte përgjigjur edhe në komisionin hetimor të Parlamentit Britanik për të ashtuquajturat armë kimike të Sadamit, që çuan në pushtimin e Irakut, 15 vite më parë. Zyra e presidentit francez, Makron, dërgoi një ekip të posaçëm në Tiranë për t’u takuar me Ramën, që më në fund Parisi të bënte realitet Frexit-in e shumëdebatuar dhe të mbështetur nga francezët, por ai ua preu shkurt se rasti shqiptar ishte i veçantë dhe nuk mund të aplikohej nga asnjë vend që ka qenë pjesë e Unionit. “Ky skenar mund të zbatohet vetëm nga Turqia-u tha Rama ekspertëve francezë-por kam frikë se ata, atë punë që unë e bëra për 2 orë, ta përdorin si skenar për një telenovelë 2-vjeçare të cilën më pas na e shesin shtrenjtë ne për ta transmetuar në TV-të tona dhe për më tepër nuk dua që rolin tim ta luajë një aktor turk, kur fare mirë mund ta bëj vetë”. Nën shembullin e Shqipërisë, edhe Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia tërhoqën kërkesat për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnje-Hercegovina ndërpreu procesin e përmbushjes së kritereve. Beogradi zyrtar dërgoi një delegacion në Tiranë dhe i propozoi Ramës që me shumë kënaqësi do të pranonin të ishin pjesë e të ashtuquajturës Shqipëria e Re, që kryeministri shqiptar e ngatërroi fillimisht me ish-Kinostudion e kohës së rregjimit komunist. “Ideja jonë është që Shqipëria të udhëheqë federatën ballkanike, së bashku me Kosovën, dhe ne të pranohemi si anëtarë. Ne do të bindim edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë që të na bashkohen”-tha drejtuesi i delegacionit serb. Ramën e mikloi ideja që ishte një rast i mirë për t’u ndier lider rajonal dhe për më tepër t’ua përplaste turinjve atyre zagarëve të opozitës së djathtë që dikur e akuzonin se po e bënte Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë së Re.

Pak para se të mbyllte hartimin e qeverisë së re, Ramës i ishte kujtuar se kishte lënë jashtë saj figura që kishin lidhje të hershme me PS-në. Të vjetrit, përveç Gramoz Ruçit, i kishte nxjerrë në pension, apo shpallur armiq. Iu kujtua Pandeli Majko dhe nuk u mendua dy herë. Fytyrën e ngrysur të tij e kishte përballë gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe kur i lexoi emrin si Ministër Shteti për Diasporën, Majko qeshi, rrudhi ballin dhe uli kokën për të qëndruar ashtu pak sekonda. Një koleg ia bëri me shenjë nga Ermonela dhe nga xhepat, por Pandi nuk e kuptoi që po i thoshte se do të ishte ministër pa portofol. Në fakt, Majko kishte aq shumë lidhje sa s’kishte nevojë as për portofol, as për zyrë dhe as për fonde. Vetë kishte marrë edhe pasaportë të Kosovës, vëllai është dhëndërr atje, Kosova e quan ende “kryeministri i luftës” dhe nuk e kanë problem t’ia financojnë udhëtimet dhe shpenzimet e akomodimit nëpër shtetet ku ende jetojnë disa dhjetra mijëra shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi. Ata janë të vetmit që ende nuk janë kthyer në vendet e tyre, pasi jo të gjitha patën fatin të zhvilloheshin si Shqipëria, por Rama i ftoi që të vinin në atdheun amë, siç bënë të gjithë emigrantët shqiptarë që lanë Perëndimin për t’u kthyer në shtëpi dhe madje u bënë thirrje edhe ish-fqinjve të tyre të kombësive të tjera që të zgjidhnin Shqipërinë si “tokën e premtuar”.

Si një gjest simbolik dhe të fundit, ditën kur prezantoi qeverinë e re, Rama vendosi që të bëjë aktin më të dhimbshëm të karrierës së tij: mbylljen e ERTV, dritares që e kishte mbajtur hapur për të ndarë me shqiptarët hapat e Rilindjes së Shqipërisë. Fatura prej 4 mijë eurosh në ditë ishte bërë një luks i kotë dhe prej 11 muajsh Ramës i ishte dukur vetja si të ishte një një shtëpi shëtitëse Big Brother, ku 4 kamera të rezolucionit të lartë fiksonin çdo lëvizje të shefit të qeverisë në 360 gradë. Ai nuk u tërhoq nga ky vendim, edhe pasi drejtuesit e televizioneve kombëtare i sollën shifrat e shikueshmërisë ku lidhjet e tij direkte 4-5 herë në ditë ishin 30 pikë përqindje më të larta se telenovelat turke. Duke i vënë një gur zemrës, Rama shpalli menjëherë një ankand publik ku pajisja e blerë me çmimin 18 mijë euro u shit për 1.5 milionë euro nga një koleksionues arti i panjohur, që refuzoi të merrte harddisqet me mijëra orët e rregjistrimeve, për mungesë hapësire dhe propozoi që ato të shpërndaheshin nëpër azilet e vendit. Rama pranoi, por me një kusht: Një pjesë e tyre të shkonin te jetimoret dhe të shfaqeshin çdo pasdite për fëmijët, nën rubrikën me titull “S’keni parë gjë akoma”.

Share: