Home KRYESORE Pse duhet mbështetur Ramush Haradinaj nga VV dhe LDK?

Pse duhet mbështetur Ramush Haradinaj nga VV dhe LDK?

0

Nga Enver Bytyçi

Kosova e mbylli një process problematik për formimin e institucioneve të saj. Ky proces prodhoi një qeveri të kryesuar nga Ramush Haradinaj, i cili në rendjen pas postit të kryeministrit nuk i respektoi gjithnjë rregullat e moralit politik në demokraci. Megjithatë tashmë Kosova ka një qeveri të drejtuar nga zoti Haradinaj dhe ky realitet nuk ndryshohet. Eshtë gjithnjë lajm pozitiv që në Kosovë të formohen dhe veprojnë institucionet e qeverisjes. Do ishte mrekulli që këto institucione të formoheshin me kuota të larta qëndrueshmërie dhe kualiteti. Por gjithësesi tashmë kemi një qeveri, e cila për nga përmasat i ngjan qeverisë kineze 1.4 miliardëshe.

Eshtë thënë vazhdimisht se një qeveri e kushtëzuar nga lista serbe është një qeveri e varur, e diktuar, e pasigurt dhe nuk do të kishte sukses. Interesi ynë është që kjo qeveri, si të gjitha ato që do të vijnë pas saj, të ketë sukses, të dëshmojë vendosmëri për të kryer reformat e mëdha dhe për ta forcuar shtetin e shtetësinë e Kosovës. Jemi para një realiteti, të cilin nuk e ndryshojmë, deputetët shqiptarë nuk bëjnë shumicën parlamentare dhe kjo shumicë plotësohet me deputetët e listës serbe.

Lista serbe nga ana e saj nuk është përfaqësuese e qytetarëve serbë të Kosovës, por është përfaqësuese e vullnetit politik të Beogradit, të Kishës së Serbisë si dhe të qarqeve nacionaliste në Serbi. Ajo nuk mendon dhe vepron, as voton sipas ndërgjegjës së saj, përkundrazi vepron e voton sipas diktatit të qeverisë dhe presidentit të Serbisë, bazuar ende në Mitin për Kosovën, një mit i cili ka shkaktuar për shekuj gjakderdhje në Ballkan. Në këto kushte lista serbe do t’i bllokojë disa ligje të rëndësishme për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj, përfshirë dhe qytetarët e pakicave, ligje të cilat do ta forconin shtetësinë si dhe karakterin unitar të shtetit. Do të bllokojë psh modifikimet që mund t’i bëhen marrëveshjes për krijimin e asosacionit, bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjuriq ka paralajmëruar bllokimin e shndërrimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës. Lista serbe do të bllokojë proceset e privatizimit sidomos të kompanivë publike që veprojnë edhe në veri të vendit. Trepça është në shënjestër të presionit politik të saj. Por nuk besoj se ajo ka ndonjë interes për të bllokuar vendosjen e vijës së kufirit me Malin e Zi. Megjithatë Prishtina dhe Beogradi kanë interesa të kundërta e të ndryshme në Kosovë.

Në këto kushte Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të kryenin një veprim patriotik, që do të vlerësohej prej shqiptarëve në Kosovë dhe jo vetëm, në mbështetje të qeverisë të kryesuar nga zoti Haradinaj, gjithnjë nëse lista serbe bëhet pengesë për marrjen e vendimeve të rëndësishme, që lidhen me të sotmen dhe të ardhmen e shtetit, me zhvillimet ekonomike e financiare si dhe me çeshtjet politike të brendshme. Këto dy parti opozitare mund ta çojnë opozitarizmin e tyre deri te mosdëmtimi i interesave kombëtare. Kjo do të thotë se kur lista serbe bllokon vendimmarrjen në parlamentin e Kosovës, atëherë këtë ngerç duhet ta zhbllokojnë VV dhe LDK, edhe pse janë në opozitë. Ndërkohë ky vendim i LDK-së, ose Vetëvendosjes, ose të dyjave bashkë, duhet bërë publik që tani, me qëllim që deputetët serbë të mos lodhen për të bërë plane se si duhet ta bllokojnë dhe dëmtojnë qeverisjen në Kosovë.

Shumë kush nuk pajtohet me këtë opsion. Disa prej tyre fillojnë e numërojnë padrejtësitë që PDK i ka bërë LDK-së. Disa të tjerë tregojnë patriotizmin e Vetëvendosjes për të mos bërë kompromis “në dëm të interesave të Kosovës”, pasiqë qeveritë në pushtet përceptohen si “të korruptuara” e për pasojë vjen arësyetimi se “nëse i ndihëmon këto qeveri, atëhere ke vepruar kundër Kosovës”! Por qëndrime të tilla, në vend që ta ndihëmojnë e dëmtojnë interesin e Kosovës, sepse nuk është fjala që opozita të marrë pjesë në qeverisje e të “ndajë tepsinë” me mazhorancën. Nuk ka të bëjë ç’bllokimi që i bën opozita qeverisë e mazhorancës kur ajo bllokohet prej listës serbe me mos angazhimin në luftën kundër keqqeverisjes si dhe kundër korrupsionit, krimit të organizuar e të tjera fenomene, të cilat fatkeqësisht janë shumë prezent në qeverisjet tona në të dy shtetet shqiptare. Fjala është që t’i pritet çdo shpresë Beogradit se mund ta intimidojë dhe kushtëzojë qeverisjen në Prishtinë.

Nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se ky vendim i opozitës në Kosovë shkon në dëm të interesave të serbëve të Kosovës. Përkundrazi, opozita mund të mbështesë dhe komprmiset parimore midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, kur ato janë në interes të vendit e të qytetarëve. Pra, bërja publike e një vendimi si ky në mbështetje të qeverisë Haradinaj në kushte të caktuara nuk ka nevojë të shihet dhe interpretohet si nacionalizëm, e më pas liderët e partitë të vrapojnë për të marrë flamurin e fitores. Bërja publike e këtij vendimi duhet bërë si shprehje e kulturës demokratike në një vend normal e me qeverisje normale.

E gjitha kjo kërkon krijimin e raporteve të besimit midis palëve, mazhorancës dhe opozitës, gjë për të cilën zoti Haradinaj ka njësoj përgjegjësi sa edhe liderët e opozitës, aq më tepër kur ky besim është cënuar nga veprime politike të papërgjegjshme më parë. Nëse do të ndodhë kjo, nëse VV dhe LDK do të shpallin një qëndrim politik në mbështetje të qeverisë për vendime të cilat kundërshtohen prej listës serbe, atëhere do të rritet fryma e besimit edhe te qytetarët e Kosovës. Midis sistemit politik të qeverisjes e institucioneve të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës do të krijohet një lidhje harmonike e ndërsjelltë dhe kjo lidhje do të bëhet burim i mobilizimit të përgjithshëm të të gjitha palëve për përparim dhe zhvillim.

Share:
Reklama juaj