Home KRYESORE Replika e mesnatës/ Nga “fantazmat” e Patozit e Jozefinës tek “gjella e...

Replika e mesnatës/ Nga “fantazmat” e Patozit e Jozefinës tek “gjella e mbetur nga dreka”, batutat e Ramës me Bashën

Gjatë replikës së orëve të vona të natës, në seancën maratonë të Kuvendit, kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer batutat me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha i rikthyer në parlament pas gjashtë vitesh.

Sipas tij, e gjithë opozita mbytet në një pikë ujë, kurse kryetari s’bëri gjë tjetër veçse tentoi të mbrohet nga ato që Rama i quajti “fantazmat” e Astrit Patozit e Jozefina Topallit, që e përndjekin.

“Ju mbyteni në një pikë ujë dhe po ju sheh e gjithë Shqipëria. Humbët 140 mijë vota në krahasim me 4 vjet më parë, tani vini këtu 13 veta mangët nga ç’ishit kur shkuat në zgjedhje me konkluzionin se ne qënkemi në panik me 9 veta më shumë se sa ishim. Si mund të kuptoni programin tonë kur s’shikoni këtë fakt kaq të thjeshtë dhe tronditës që e lidhni me tronditjen e euros nga krimi.

Edhe kryetari Basha mu duk një kopje e tronditur, e udhëheqësit të Republikës së Re, mu duk se do mundte më shumë fantazmat e Astrit Patozit e Jozefinës që e akuzojnë nga penxheret e Mark Zuckenbergut se sa të paraqiste në replikën e tij kartvizitën e opozitës, vizionin alternativ, tamam si ajo gjella e mbetur nga dreka që ngrohet për ta ngrënë në darkë.

Mbarojeni atë gjellë, se kuptoj sa i madh paska qenë ai kazan. Ne jemi gati të hapim dialogun për çështjet e interesit të përbashkët”,- tha ai. /BW/

Share: