Home KRYESORE Rruga e Tretë e Qeverisë Rama 2, John Rawls, Bill Clinton dhe...

Rruga e Tretë e Qeverisë Rama 2, John Rawls, Bill Clinton dhe Tony Blair

Nga Kasem Seferi

Më tërhoqi vemendjen një shkrim i Zotit Ervis Iljazaj, pedagog në UET, pothuajse i përditshëm në Gazetën Mapo, në lidhje me politikën e mundshme tatimore (ose më saktë siç e ka deklaruar vetë Zoti Rama) ku bëhet fjalë për ulje të përqindjeve tatimore.

Ndër argumentet e sjellë nga Zoti Iljazaj në këtë shkrim, më ra në sy emri i të madhit John Rawls (cilësuar nga shtypi amerikan i ditëve të tij si KAUBOJ) pas botimit të librit të tij “Theory of Justice”, si dhe shumë trajtimeve të tjera shkencore në lidhje me drejtësinë shpërndarëse (distributive justice), temë kjo e përdorur shpesh në trajtime shkencore nga ekonomistë, juristë dhe politologë në lidhje me të tatuarit.

Po përpiqem të hedh pak më shumë dritë në lidhje me “Rrugën e tretë”, për të cilën Zoti Iljazaj thotë se Edi Rama ndjek rrugën e themeluar nga John Rawls.

Për të mos e kundërshtuar atë çfarë thotë Zoti Iljazaj, do të përdorja një mënyrë tjetër, atë të fakteve dhe opinioneve që gjen kudo në internet në lidhje me “Third way” nga autorë me këndvështrime të ndryshëm.

Për shembull, Marcel Wissenburg te Journal of Political Ideologies (2001), 6(2), 231 – 235 në shkrimin me titull The “third way” and social justice thotë:

“Në reagim të kontributit të mëhershëm në këtë revistë periodike të Steve Buckler dhe David Dolowitz, unë argumentoj se “New Labour’s “third way”, nuk mund të themelohet mbi teorinë e drejtësisë të John Rawls. Praktika “third way” kontradikton idetë e Rawls mbi drejtësinë shpërndarëse dhe drejtësinë sociale në një kuptim më të gjërë.”.

Në fakt, si teoricien i Rrugës së Tretë njihet Anthony Giddens, ndërsa Anthony Crosland e sheh Rrugën e Tretë si një docktrine etike që i sheh qeveritë social demokrate si qeveri që kanë arritur një socializëm etik të domosdoshëm me anë të heqjes së elementeve të padrejtë të kapitalizmit duke siguruar mirëqenie sociale dhe politika të tjera.

Vetë Tony Blair (MENTORI i Kryeminitrit tonë EDI RAMA) ka deklaruar: “Lloji tim i socializmit është një tërësi vlerash bazuar rreth nocioneve të drejtësisë sociale.”.

Por duhet të mos harrojmë se “Rrugën e tretë” e pat ndjekur para tij Bill Clinton në fushatën e tij të parë zgjedhore për President me sloganin: “Ekonomia e para, o budalla!”.

Por çfarë është në të vërtetë drejtësia shpërndarëse në një politikë tatimore?

As më shumë dhe as më pak por ricaktimi i parasë nëpërmjet të tatuarit për ta shpërndarë paranë në mënyrë të ndryshme nga sa do ta bënin transaksionet e tregut të lirë. Që këtej të tatuarit bëhet një mjet për të parandaluar mendjet e individëve nga përdorimi i parasë së tyre në mënyë të kundërt me gjykimin e tyre.

Kur tatimet përdoren për të rishpërndarë pasurinë dhe për të mbështetur programet shoqërore, ato jo vetëm i ndryshojnë burimet nga qëllime të tjerë të dobishëm, por bëhen gjithashtu një fuqi kundërshtuese ndërmjet grupeve të caktuara të interesit.

Besoj se Zoti Iljazaj nuk mund të jetë prej atyre që nuk ka dijeni në lidhje me konçensionet e fushës së shëndetsisë dhënë disa tatimpaguesve të mëdhenj për t’u kompensuar atyre paratë e dhëna për fushatë, si dhe për të qenë i ndikuar në politikën tatimore (ose në mënyrën e të tatuarit) në favor të tyre.

Kjo ka bërë të mundur që në katër vitet e Qeverisë Rama 1 (le të besojmë se u bënë përpjekje “për të bërë shtet”), trajtimet e ndryshme të veçantë që bëri Qeveria Rama 1, bënë të mundur që vendimet ekonomike të bizneseve të vareshin nga praktikat arbitrare tatimore dhe jo nga faktorët ekonomikë.

Megjithatë, le të vazhdojmë me “Rrugën e tretë” duke vënë në dukje se ajo si synim ka:

  • një egalitarizëm më të madh;
  • buxhete të balacuar;
  • mundësi të barabarta kombinuar me;
  • përgjegjësi personale;
  • decentralizim të pushtetit në nivele më të ulta;
  • inkurajimin e partneritetit publik – privat,
  • përmirësimin e furnizimit të punës;
  • investimin në zhvillimin njerëzor;
  • mbrojtjen e kapitalit shoqëror;
  • mbrojtjen e mjedisit.

Kuptohet që të bësh vlerësimin e Qeverisë Rama 1 në kontekstin e synimit, do të thotë të ngatërrosh perspektivën me të tanishmen, ose periudhën afatgjatë me atë afatshkurtër. Por edhe të thuash se në katër vitet e Qeverisë Rama 2 duke ndjekur Rrugën e Tretë do të rregullojnë ekonominë, sikur nuk besohet se mund ta hanë të gjithë këtë “kokërr ulliri“.

Sidoqoftë, çdo apologjet bën punën e tij.

Për të thënë një të vërtetë (mirë do të ishte ta thonin këtë vërtetë liberalët e UET – së, që nuk kanë mbajtur pak konferenca, seminare, etj në lidhje me mendimin liberal mbi politikat ekonomike, madje duke e përmendur shpesh August Friedrich von Hayek, nxënësin dhe pasuesin e të madhit Ludwig von Misses), “Rruga e tretë“ është e kundërta e kapitalizmit Laissez – faire.

Laissez – faire merret me veprimin e pavarur të secilit individ kundrejt veprimit të vetëm të qeverisë, ose më saktë merret me raportin e lirisë së individit kundrejt plotfuqishmërisë së qeverisë.

Laissez faire do të thotë: lejoni çdo individ të zgjedhë se si ai dëshiron të bashkëpunojë në ndarjen shoqërore të punës; lejoni konsumatorët të përcaktojnë atë çfarë duhet të prodhojnë sipërmarrësit dhe mos lejoni qeverinë më vete të zgjedhë dhe të marrë masa shtrënguese dhe të sundojë me aparatin e forcës dhe të detyrimit.

Laissez – faire përkrah ndërhyrjen e mirë dhe jo ndërhyrjen e keqe të qeverisë.

Aksioni i paralajmëruar këto ditë nga Ministri i Financave për “luftën” kundër informalitetit nuk është gjë tjetër vetëm se një ndërhyrje e keqe e Qeverisë Rama 2, që ashtu si ndërhyrjet e bëra me aksionet e Qeverisë Rama 1, jo vetëm nuk solli të ardhura shtesë, por nuk rishpërndau asgjë prej pasurisë së mbledhur së miliarderëve qeveritarë, miqve të tyre, etj.

“5 për qind e depozituesve zotëron 95 për qind të depozitave” është deklaruar para disa vitesh nga Agjensia Shtetërore e Depozitave dhe, nga kjo deklaratë, natyrshëm, sot, lind pyetja:

SA ËSHTË KY RAPORT SOT KUR QEVERIA RAMA 2 DO TË ULË PËRQINDJET TATIMORE?!

NË FAVOR TË KUJT BËHEN KËTO ULJE?!

KUSH PËRFITON, SA DHE SI PËRFITON NGA KËTO ULJE, QË TË KEMI “SHQIPËRINË QË DUAM”?!

Për ata që marrin dhe për ata që nuk marrin vesh, të ardhurat tatimore nga TVSH, akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale kanë pjesën e LUANIT kundrejt totalit të të ardhurave tatimore.

Për ata që e mbajnë veten ekspertë u bëj një kërkesë:

AKADEMIKË DHE “USTALLARË”!

KRAHASONI TË ARDHURAT E MBLEDHURA NGA TATIMI I FITIMIT ME TË ARDHURAT E MBLEDHURA NGA TVSH, AKCIZË, TATIMI MBI TË ARDHURAT PERSONALE!

THUAJANI QYTETARËVE NGA MBLIDHET SHUMICA E TYRE!

Dhe do ishte e ndershme që të përmendej ajo që shkruhej nga Zoti Iljazaj se socialistët nuk prodhojnë por dinë të shpërndajnë, ndërsa liberalët dinë të prodhojnë por nuk dinë të shpërndajnë.

Natyrisht dhe në mënyrë të thjeshtë për ta kuptuar edhe gjyshet pyes:

PO NUK PRODHOVE A KE SE ÇFARË TË SHPËRNDASH?!

Të tatuarit e tepërt (veçanërisht, nëpërmjet ndëshkimt me gjobë) është një nga format e tiranisë.

Shqetësimi i vërtetë i ekonomistëve dhe politikanëve duhet të përqendrohet mbi ato veprime të ndërhyrjes së qeverisë, të cilat synojnë t’i detyrojnë sipërmarrësit dhe kapitalistët t’i venë në punë faktorët e prodhimit në një mënyrë të ndryshme nga ajo që ata do të bënin në qoftë se ato do t’i bindeshin vetëm diktateve të tregut.

Kasem Seferi – ekonomist

 

Share: