Home KRYESORE Skandali me radarët, raporti sekret: Nuk filmojnë asgjë!

Skandali me radarët, raporti sekret: Nuk filmojnë asgjë!

0

Pas letrave të zyrtarëve të lartë, ku zbuloheshin problemet me sistemin e radarëve në det, Qendra e Menaxhimit të pamjeve konfirmon skandalin.

“News 24” ka siguruar raportin konfidencial që qendra ndërinstitucionale operacionale detare i dërgon ish-ministres së mbrojtjes Mimi Kodheli 24 orë pas publikimit të lajmit.

Në raportin sekret të Qendrës shkruhet se performanca e radarëve ka pësuar rënie, ndaj zbulimi i mjeteve lundruese nën shtatë metra bëhet i vështirë dhe në kushtet e motit të keq, radarët nuk filmojnë asgjë.

“Pavarësisht mbajtjes në gatishmëri të Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD), sipas ekspertëve me kalimin e viteve performanca e radarëve ka pësuar rënie. Për arsye objektive në varësi të kushteve klimaterike apo lartësive të dallgëve të detit, nganjëherë zbulimi/vëzhgimi i objekteve të vogla lundruese (sidomos nën 7 metër) bëhet i vështirë. Ideja apo pretendimi për të zbuluar njerëzit nga sistemi është thjesht absurditet”.

Përpos të tjerave Qendra pranon se për më shumë se një vit, radari në Ksamil ka qenë jashtë gatishmërie, duke konfirmuar shqetësimet e ngritura nga Haki Çako dhe ish-ministri Dritan Demiraj në letrat e tyre.

“Aktualisht përveç Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare janë në funksion edhe dy radarë të administruar nga Policia Kufitare dhe Migracionit; njëri ne Hoxharë dhe tjetri në Ksamil. Këto radarë nuk janë të integruar, pasi i përkasin një gjenerate më të vjetër.

Si rezultat Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) nuk merr pamje nga këto radarë, por vetëm nga njësitë e Policisë Kufitare dhe Migracionit, që shërbejnë atje. Radari i Ksamilit ka qenë jashtë gatishmërisë nga data 18 prill 2016 deri më datë 24 maj 2017”.

Qendra pranon gjithashtu se sistemi nuk siguron mbulim të të gjithë hapësirës detare. Edhe ky institucion ashtu si zyrtarët e rendit, konfirmon se sistemi i vjetruar i radarëve duke krijuar kënde të vdekura, që duket se shfrytëzohen mirë nga trafikantët e drogës.

“Duhet qartësuar se sistemi që kur është ndërtuar, nuk siguron mbulimin 100 % të hapësirës detare. Komandanti i Qendrës së Vëzhgimi Detar, ka zhvilluar disa herë seanca sqaruese, si për gatishmërinë dhe performancën e sistemit, ashtu edhe për zonat e pambuluara me sinjal nga Sistemi i Vëzhgimit të Hapësirës Detare, me qëllim rritjen e kontrollit me mjete me mjete apo shërbime të tjera alternative.”

Skandali me radarët përplasi institucionet, por në fakt asnjë prej tyre nuk informoi nëse do të merren masa për përmirësimin e sistemit, që sipas kryepolicit Çako do të rriste efektivitetin e policisë në luftën kundër drogës./lapsi.al

Share:
Reklama juaj