Home KRYESORE “Më thoshte jam Mona Liza jote” rrëfimi i 30 vjeçarit që u...

“Më thoshte jam Mona Liza jote” rrëfimi i 30 vjeçarit që u mashtrua në Facebook

0

Njohja në “Facebook” me një vajzë i ka kushtuar shumë shtrenjtë një 30-vjeçari me origjinë nga Hasi, por banues në fshatin Kullë të Durrësit.

Vajza “bionde”, ku foto profili kishte një aktore të telenovelave turke ia ka marrë jo vetëm zemrën, por edhe mendjen Barush Ahmetit, drejtues i një institucioni në Manëz. Ai ka rënë në dashuri me “Mona Lizën” (jam Mona Liza jote i thoshte e reja), edhe pse nuk e njihte nga afër dhe nuk e takoi asnjëherë përgjatë tri viteve që komunikonte virtualisht me të. Në fakt, vajza e tij e zemrës, e cila gjithnjë i thoshte se ishte emigrante në Itali, është nga fshati fqinj, Manëza.

Bëhet fjalë për 27-vjeçaren Enertila Beqja, e cila jo vetëm e ka zhvatur përmes mashtrimit bashkëfshatarin e saj, duke i marrë 60 milionë lekë, por e ka tallur dhe e ka lënduar keq. Ka qenë shumë vonë, kur Barush Ahmeti ka kuptuar rrengun e të dashurës së tij, e cila i kishte premtuar se do të martohej me të. Pas tri vitesh dashuri virtuale, ajo i ka bërë bllok në “Facebook”.

I tronditur nga e gjithë kjo, por edhe nga kërkesa e vëllezërve të tij emigrantë për 60 milionë lekët që kishin “avulluar”, më 22 shtator të këtij viti, 30-vjeçari ka bërë denoncim në policinë e Durrësit. Pas hetimeve të kryera, hetuesit e çështjes kanë shtangur nga historia e padëgjuar më parë e që kishte si protagoniste një “fshatare”. Menjëherë pas zbardhjes së ngjarjes, blutë kanë arrestuar Enertila Beqjan, e cila akuzohet për mashtrim.

“Ne u njohëm në vitin 2015 në ‘Facebook’. Ajo më thoshte që ishte bionde e bukur dhe foto e saj e profilit ishte shumë e bukur. Pasi folëm disa herë, unë u dashurova pas saj. E kisha seriozisht, ishte vajza me të cilën do të martohesha. Më tha që jetonte dhe ishte emigrante në Itali dhe se familja e saj kishte disa vështirësi ekonomike. Që në fillim më kërkoi lekë. Ia kam nisur me ‘Ëesternënion’ 1 mijë euro në emrin e saj. Më pas më kërkonte lekë vazhdimisht, pasi më thoshte që donte të krijonte besim tek unë. Më thoshte se do të mi kthente paratë. Më pas i kam dërguar 10 mijë euro me ‘ëesternunion’, prej vitit 2015.

Një herë tjetër më tha se ishte sëmurë dhe unë u nisa për në Itali. Kur shkova në Itali, më tha që të kthehesha sepse kishte ardhur në Shqipëri. Në Itali kam shkuar dy herë, i kam blerë dhe të brendshme me tyl. Pas kësaj, më thoshte që jetonte në qytet në Durrës, por prindërit nuk e linin të dilte jashtë, nuk e linin të takonte asnjë njeri. Më thoshte që e mbanin të mbyllur brenda katër mureve”, ka deklaruar në policinë e Durrësit, Barush Ahmeti. Gjithashtu, Ahmeti ka treguar se, “për të vërtetuar dashurinë time karshi saj, ajo vajza më tha se më Manëz kishte një teze, e cila ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe ekonomike. Në fillim u kam blerë kolltuqe dhe divane. Iu kam blerë e dërguar orendi shtëpiake herë pas here. Më thoshte se më donte, se ishte Monaliza ime dhe tezen e saj duhet ta ndihmoja. Unë mendoja se do të martohesha me të.

Edhe drutë për t’u ngrohur në dimër, televizor, frigorifer, lavatriçe dhe çdo orendi shtëpiake ua kam blerë dhe ua çuar me paratë që më dërgonin vëllezërit nga emigracioni. Flisnim në telefon, ndërsa ajo më thoshte se do të mi shlyente të gjitha gjërat që bëja për të. Më thoshte se do të mi kthente lekët dhe do të martohej me mua. Punoja në fshat në punë shteti dhe njëkohësisht më dërgonin para vëllezërit që kam jashtë shtetit. Të gjitha paratë ia kam dhënë asaj që nga viti 2015 kur u njohëm. Ajo që mendoja se ishte e dashura ime donte dhurata të shtrenjta. Ia dërgoja lekët dhe i blinte. E doja nuse në shtëpi, por ajo më ka mashtruar. Kemi folur në ‘FB’ me mesazhe edhe në gjumë me njëri-tjetrin. Nga fotoja që shihja në ‘FB’ ishte shumë e bukur dhe shumë joshëse. Nuk e mendoja se do më bënte këtë gjë. Atë nuk e kam takuar asnjë herë. Më la kur më mbaruan lekët”.

Sipas policisë së Durrësit, vëllezërit e 30-vjeçarit gjatë tri viteve të fundit i kishin dërguar atij një shumë prej 60 mijë eurosh në banesë. Kjo për faktin se Barushi u kishte thënë atyre se “nëna është pa qejf”. Kur emigrantët u kthyen në shtëpi dhe nuk gjetën asnjë lekë në arkën e kursimit, “shtrënguan” vëllain e tyre, duke e pyetur se ku i kishte çuar paratë. I ndodhur në një situatë të tillë, 30-vjeçari u ka thënë vëllezërve të tij se paratë ia kishte dhënë vajzës, me të cilën ishte dashuruar dhe do të martohej me të. Po të njëjtat burime pohuan se Barush Ahmeti u ka thënë vëllezërve se vajza që ai dashuronte ia kishte marrë borxh paratë dhe do ia kthente. 30-vjeçari ka kontaktuar me vajzën në “FB” për t’i kërkuar paratë, por ka konstatuar se ajo i kishte bërë bllok. I plagosur keq nga dashuria, por edhe i zënë ngushtë nga vëllezërit e tij emigrantë në Angli prej shumë vitesh, i riu iu drejtua policisë së Durrësit ku edhe bëri denoncimin.

Pas denoncimit të bërë nga 30-vjeçari, ekspertët e antikrimit ekonomik dhe prokurorët e Durrësit ndalën hapin në Manëz. Barush Ahmeti i drejtoi inspektorët e policisë në banesën e Myrteza Beqajt, shtëpisë së tezes së presupozuar të së dashurës së tij imagjinare. Ai u tregoi se të gjitha orenditë i kishte blerë vetë, madje edhe drutë e zjarrit për ngrohjen e tyre në dimër. Krahas punës në terren, një grup tjetër bënë verifikimin e telefonit të 30-vjecarit dhe të një pjese të mesazheve që kishin shkëmbyer dy të dashuruarit. Ekspertët kon-kluduan se vajza, e cila i tho-shte Ahmetit se jetonte në Durrës, ishte bashkëfshatare e tij në Manëz. Atëherë prokuroi bëri një ballafaqim midis dy të rinjve dhe 30-vjeçari nuk e njohu vajzën. Ai tha se nga zëri i ngjante shumë, por pamja e saj s’kishte lidhje me foton në “FB”. “Zërin e kanë të njëjtë, por nuk është vajza që flisja unë, sepse ajo më ka thënë se është bionde”, ka thënë i riu./lapsi.al

Share:
Reklama juaj