Home KRYESORE Zbutet Irma, në Florida zbret në kategorinë 1

Zbutet Irma, në Florida zbret në kategorinë 1

Florida po ndjen peshën e uraganit Irma. 3,4 milionë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike dhe disa pjesë të Majemit janë mbuluar nga uji.

Stuhia preku fillimisht tokën e ishullit Marco pranë bregut lindor të shtetit amerikan, me erëra që mbërrinin shpejtësinë 192 km/h, por që atëherë forca e saj është ulur duke e çuar në uragan të kategorisë së dytë, edhe pse rreziku nuk është i vogël.

Tre vdekje të lidhura me Irmën raportohen deri tani.

Në rrugën e saj tani është qyteti i Tampas me 3 milionë banorë, i cili nuk është goditur nga një uragan i fuqishëm që prej vitit 1921.

Stuhia ka shkulur pemë nga rrënjët e i ka kthyer rrugët në lumenj në zona të tjera dhe frika në Tampa është e madhe. Pasojat e saj kanë qenë shkatërruese.

Edhe rajone që nuk ishin në rrugën e uraganit përjetuan përmbytje e rënie të linjave elektrike.

Në Riviera Beach, erërat e dhunshme të tij shkulën pjesërisht çatitë e dy blloqeve rezidenciale, duke detyruar evakuimin e menjëhershëm të rreth 50 personave të ndodhur në kompleks.

Më problematike situata paraqitet në qytetet bregdetare, ku stuhia-përbindësh kërcënon me dallgë të larta e përmbytje masive.

Dy tornado goditën ndërkohë kontenë Breuërd të Floridës, duke shkatërruar disa shtëpi të lëvizshme, por fatmirësisht nuk shkaktuan dëme në njerëz.

Gjatë ditës parashikohet që uragani të vazhdojë të lëvizë në perëndim të Floridas e të vazhdojë të martën rrugën e tij drejt rajoneve juglindore të vendit.

Metereologët besojnë se ai do të shndërrohet në stuhi tropikale kur të mbërrijë në jugun e Xhorxhas.

Share: