Home KRYESORE Zgjedhje farsë në Akademinë e Shkencave, ja çfarë i kërkoj Kryetarit

Zgjedhje farsë në Akademinë e Shkencave, ja çfarë i kërkoj Kryetarit

Nga Artan Fuga

Përqasja teknike dhe shkencore, jashtëpolitike, e kërkesa të mia drejtuar Kryetarit të Akademisë të Shkencave kundër zgjedhjeve farsë të 4 shtatorit 2017!

Si akademik unë parashtroj kërkesat e mia për :

1. Një bilanc përpara asamblesë për punën Tuaj në Akademi në mbarimin e mandatit Tuaj si kryetar i saj para mandatit që kërkoni për nënkryetar dhe një bilanc të punës të nënkryetarit para mandatit që kërkon të marri si kryetar.

2. Hyrjen në fuqi të rregullores së re të Akademisë të Shkencave përpara votimit për kryesinë.
Përndryshe Akademia e Shkencave në vend të reformimit të saj rrezikon të kthehet në vend të ndejtur ku prej vitesh ka vetëm rrotacione, dhe ku kryetari bëhet nënkryetar dhe nënkryetari bëhet kryetar.

3. Unë ju kërkoj publikisht që të hapet debati në Asamblenë e Akademisë të Shkencave lidhur me rolin e saj të ri në kuadrin e reformave që me të drejtë dëshiron të marrë ekzekutivi i shtetit për transformimin e sistemit të kërkimit shkencor në Shqipëri.

4. Akademia e Shkencave ka kërkuar nga agjencia përkatëse që të marri informacion mbi pastërtinë e figurës morale të anëtarëve të saj dhe se cilat kanë qenë eventualisht marrëdhëniet e tyre me organet e sigurimit dhe policisë të fshehtë në periudhën e diktaturës. Pa vendosur në dyshim askënd, dhe duke mos i lejuar vetes asnjë insinuatë, kam bindjen se iniciativa juaj e çuar deri në fund do të ishte në të mirë që votimi të ishte i pastër dhe i çliruar nga cdo ngarkesë.

5. Konsultimin me një jurist ose institucion juridik ceshtjen që pas moshës 68 vjeç nuk mundet askush të punojë si rregull në administratën publike, as edhe në ate të Akademisë të Shkencave.

6. Anullimin e rendit ditës të mbledhjes së ardhshme të Akademisë parashikuar në javën e parë të shtatorit ku bashkë me seancën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarit keni vendosur padrejtësisht për mua edhe zgjerimin e Akademisë sepse krijon përplasje konflikti interesi.

7. Të mos bëhen zgjedhjet për kryetar dhe nënkryetar të Akademisë të Shkencave pa alternativa rivale dhe konkurrenciale mes kandidatësh. Kjo do të ishte e turpshme për ne si Akademi e Shkencave.

8. Mosbërjen e votimeve për kryetar dhe nënkryetar të Akademisë pa debat të platformave të kandidatëve sikurse keni vendosur të bëhet.

Share: