Home KRYESORE Amerika Latine dhe zhgënjimi nga oligarkitë e majta

Amerika Latine dhe zhgënjimi nga oligarkitë e majta

0

Nga Dr. Diana Skrapari

Amerika e Jugut u përfshi nga vala e antiliberalëve të frymëzuar nga Fidel Kastro në fund të shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit të ri. Më të zellshmit midis tyre ishin Hugo Chavez në Venezuela dhe Evo Morales në Bolivi. Ardhja në fuqi të këtyre liderave u pa si një mundësi për më të varfërit për të pasur një rishpërndarje të pasurive dhe rritjen  e mirëqënies së tyre.

Ky ishte trendi ideologjik i Chavez në Karakas,Luis Inácio Lula da Silva në Brasilia, Nestor Kirchner në Buenos Aires dhe më vonë, i Tabaré Vasquez në Montevideo dhe Michelle Bachelet në Santiago, të cilët krijuan një situatë krejtësisht të re “.Qeveritë e reja të Amerikës së Jugut ndanin kritikën e neoliberalizmit, duke vënë në pikëpyetje privatizimin e tepruar, hapjen e tepërt të tregjeve dhe pabarazinë sociale. Ata propozonin të krijonin forma më produktive dhe autonome të kapitalizmit, me një rol më të rëndësishëm të rregullimit të shtetit.

Në fakt, ajo që ndodhi më pas, nuk ishte ajo që pritej në të vërtetë. Vendet u drejtuan nga njerëz aspak kompetent, si psh Evo Morales, presidenti i Bolivisë një pjesë të ministrave të tij i kishte njerëz të pashkolluar, të cilët nuk mund ti jepnin zgjidhje problemeve vitale të vendit. Vende si Brazili u përfshinë nga korrupsioni i Presidentëve të majtë si Lula dhe Dilma Rousseff. Argjentina dhe Kili shpëtuan nga diktaturat dhe qeveritë e këtyre vendeve patën si qëllim shërimin e plagëve të shkaktuara nga këto diktatura. Argjentina përjetoi një krizë ekonomike në vitin 2002, kur vendi pothuajse falimentoi nën udhëheqjen e Presidentit Fernando de la Rua. Pushtetin më pas e morrën Nestor Kirchner dhe pas vdekjes së tij Kristina Kirchner, gruaja e tij. Pra, këto vende të Amerikës Latine karakterizohen nga monopoli i pushtetit, madje një farë oligarkie politike e frymëzuar nga rrymat e majta. Këta udhëheqës të majtë nuk kanë refuzuar të përdorin as dhunën ndaj popullit të tyre sic bëri presidenti Maduro, një chavist i bindur, në Venezuela për të shtypur revoltën e popullit venezuelian.

Këto regjime të majta kanë sjellë pasoja shumë negative në ekonominë e vendeve të Amerikës Latine. “Sipas raportit të Faim et inegalite në vendet e Andeve, 27% e fëmijëve në Bolivi vuajnë nga uria, 26% në Ekuador dhe 25% në Peru. Në Amerikën Qendrore, varfëria prek 18% të qytetarëve të Kosta Rikës, 60% të popullsisë së Hondurasit dhe Guatemalës, 46% të Nikaraguas dhe 43% të El Salvadorit. Në Bolivi, me 9 milionë banorë, çdo vit vdesin 150,000 fëmijë nga sëmundjet e shërueshme; një në katër fëmijë boliviane vuan nga uria. Në Paraguaj, 36% e popullsisë prej 6 milionëshësh është e varfër.

Nëse marrim figurën prej $ 5 në ditë si niveli i varfërisë, më shumë se 70% e amerikanëve të Amerikës Latine jetojnë në varfëri dhe pothuajse 40% janë të varfër dhe jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Me fjalë të tjera, situata sociale mbetet shumë shqetësuese pavarësisht kthimit në të majtë të vendeve të Amerikës Latine dhe megjithëse situata ekonomike është përmirësuar vitet e fundit. Këto ndryshime të kohëve të fundit në Amerikën Latine ende nuk kanë pasur ndonjë ndikim në varfërinë dhe pabarazitë në rajon.

Në të vërtetë, përparimi ekonomik është ndarë në mënyrë të pabarabartë mes grupeve në shoqëri. Është vlerësuar se nga 500 milionë njerëz, rreth 200 milionë janë në varfëri (në prag prej 2 dollarë në ditë). Rritja nuk shoqërohet nga një rritje reciprokisht në të ardhurat e popullsisë; rajoni vuan nga pabarazi të thella në shpërndarjen e pasurisë. Amerika Latine konsiderohet të jetë rajoni më pak i barabartë në botë megjithëse udhëheqësit e saj janë të majtë dhe një nga sloganet e tyre është barazia sociale, e cila është vetëm një gënjeshtër për vjedhur vota dhe për të mbajtur pushtetin nga Fidel Kastot e rinj të kontinentit.

Share:
Reklama juaj