Home KRYESORE Carlo Bollino kundër rrymës dhe kundër shtetit te Edi Rames

Carlo Bollino kundër rrymës dhe kundër shtetit te Edi Rames

0

Nga Carlo Bollino

Beteja ambjentaliste e shpërthyer pak ditë më parë kundër një sipërmarrësi, të akuzuar se po ngrinte një strukturë druri në Grykën e Këlcyrës për të testuar një burim ujor, fsheh një hipokrizi të madhe.

E lindur nga një denoncim në Facebook dhe më pas e riprodhuar nga disa media online, denoncimi që kjo strukturë prej druri ishte pa leje solli një reagim përshtypje/lënës nga ana e shtetit: jo pak, po tre ministra u mobilizuan dje, pavarësisht se ishte ditë e diel, për të bllokuar “katastrofën ekologjike të Këlcyrës”, u hap një hetim i brendshëm në Polici për të kuptuar se si ishte e mundur që sipërmarrësi nuk u arrestua për “ndërtim abuziv” dhe policët do të ndërhyjnë në orët në vijim për të çmontuar strukturat prej druri dhe për të sekuestruar tubat.

A u vendos drejtësia? Protagonistët e denoncimit ngritën dolli për suksesin dhe duartrokitën për forcën e shtetit, i cili, më në fund, ndërhyri kundër një oligarku dhe kjo, vetëm në sajë të denoncimit nga shoqëria civile (e cila kishte shkruajtur disa postime për këtë në Facebook) dhe nga disa media online. Një reagim i ashpër dhe i menjëhershëm nga ana e shtetit, për të cilin “nuk ka ndikuar as mungesa e mobilizimi i televizioneve”.

Por, a ishte me të vërtetë ky një demonstrim i forcës së shtetit?

Biznesmeni në fjalë quhet Harri Lena dhe shteti ndërhyri kaq me shpejtësi kundër tij pikërisht se nuk është një oligark. Në treg ndodhet prej 30 vjetësh dhe ka 30 vjet që lufton me banka, furnitorë dhe konkurrencë të pandershme duke qendruar larg nga politika. Mund ta ndeshësh lehtësisht duke drejtuar makinën e tij në mes të trafikut: veç të tjerash shet edhe super-fuoristrada, por për veten e tij ka zgjedhur një makinë modeste që e nget vetë, pa shofer dhe pa truproje.

Nuk mbijetoi në tregun e vështirë shqiptar duke fituar tendera publikë apo duke privatizuar prona shtetërore, por vetëm duke bërë tregti private dhe “privilegji” i vetëm që mori nga shteti (të paktën, aq sa dimë ne) është pikërisht leje për shfrytëzimin e burimit të Këlcyrës, për më tepër, të marre në 2009 kur në pushtet ishte Sali Berisha. Leje si ajo u dhanë me mijëra raste te tjera në sektorët më të ndryshëm.

Emri i tij nuk del në listën e të pasurve të Shqipërisë, por prova e fundit për të kuptuar se Harri Lena nuk është as njeri i fuqishëm dhe as oligark është ajo, që nuk ka mundur të sigurojë nga shteti licensën për të ndërtuar strukturën e nevojshme për të marrë një prurje më të madhe uji nga burimi i Këlcyrës, e domosdoshme kjo për fuqizimin e linjës së tij të prodhimit të ujit mineral. Ata që janë me të vërtetë të fuqishëm do ta kishin marrë firmën mbi atë dokument, edhe sikur ta kishin kërkuar natën e Vitit të Ri.

Ky, pra, është pikërisht “faji” i Harri Lenës, që nuk u bë aq i pasur dhe i fuqishëm sa duhet për të fituar një favor të duhur në momentin e duhur. Dhe gabimi i tij është ai që nuk beson ende tek shteti dhe kështu që filloi punimet pa pritur një leje. Ndryshe nga sa deklaroi publikisht një ministër, nuk duket asnjë shenjë betoni në atë vend, por vetëm trarë druri të montuar për të mbajtur një tub të hapur që shkarkon në lumë ujin e burimit, pikërisht një provë për të verifikuar prurjet e burimit.

Me thënë të vërtetën, Policia kishte ndërhyrë në Këlcyrë shumë kohë më parë se denoncimi nga mediat: që më 6 shtator kishte bllokuar “kantierin”, duke ia lënë atë në ruajtje Harri Lenës, siç ndodh normalisht në raste të tilla. Sipërmarrësi thotë se ka aplikuar për të kërkuar lejen, por pa marrë ende asnjë përgjigje deri tani, ndoshta për shkak se, nga 18 maji e deri tani, qeveria dhe institucionet publike duken si të ngrira.

Natyrisht, nuk dalim në asnjë mënyrë në mbrojtje të zgjedhjes për të montuar ato trarë të drunjtë pa leje, por nuk besojmë se bllokimi i tyre flet për një shtet të fortë dhe efikas, as nuk besojmë se ajo çka ndodhi qenka triumf i shtypit dhe shoqërisë civile ndaj forcës së pushtetit dhe mungesës së efikasitetit të institucioneve.

Në të vërtetë, ky është një rast i përsëritur kur një shtet që nuk funksionon tregohet i fortë me të dobëtin e radhës, qoftë edhe me një më pak të dobët se të tjerët. Një shtet efikas do t’i kishte krijuar kushtet Harri Lenës (si dhe cilitdo tjetër sipërmarrës) për t’u pajisur me autorizimet e duhura në kohën e duhur dhe pa patur nevojë për të pritur favore nga politika dhe një shtet i fortë do të ishte treguar i fortë edhe kundër krimeve të tjera ambientaliste, që kryhen çdo ditë në vend, por që mbeten të pandëshkuar vetëm sepse kryhen nga të fuqishëm të vërtetë.

Pikërisht pranë skelave prej druri katër metra të larta të ndërtuara abuzivisht nga Harri Lena, ngrihet një hotel me katër kate dhe një restorant mbi lumë, sëbashku me një parkim të madh: reporterët e shoqërisë civile dhe ata të mediave online, të mobilizuar në betejën kundër skelave prej druri, nuk e kanë treguar këte pallat ne reportazhet e tyre dhe nuk e dimë nëse për një pallat të tillë ekziston apo jo një leje dhe as se ku i derdh ujrat e zeza. Por, edhe sikur të ishte në rregull me letrat, a do të
mjaftonte kjo për të justifikuar indiferencën e ambientalistëve dhe të autoriteteve qendrore përballë këtij tmerri urbanistik?

Ndryshe nga sa u pa me ngjarjen e Grykës së Këlcyrës, nuk kemi parë një mobilizim të njejtë nga ana e medias apo shoqërisë civile në rastin e ndërtimit me tulla e beton të një qendre shumëfuksionëshe në brendësi të Butrintit, park arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO (këtu ministrja kompetente, jo vetëm që nuk ndërhyri, por refuzoi madje edhe t’u jepte shpjegime mediave, duke iu shmangur me vrap mikrofonit). Nuk mbajmë mend as të ketë patur indinjatë të njejtë për vilën e një personazhi politik, të ndërtuar mbi muret e kështjellës antike të Prezës.

Dhe nuk kemi parë as edhe një ndërhyrje nga ana e shtetit (shpesh as nga mediat) përballë katastrofave të vërteta ekologjike, të tilla si hidrocentralet që ndërtohen në Valbonë apo përgjatë lumenjve më të bukur të vendit (duke përfshirë ato në projekt pikërisht mbi Vjosë), guroret që kanë ngrënë malet duke shëmtuar përgjithnjë panoramën, masakrimin e pyjeve, skandalin e tymrave kancerogjene në Elbasan, fshtarave të tërë turistikë të ndërtuar para se të merret leja e ndërtimit, apo kullave luksoze të ndërtuara në shkelje të ligjeve urbanistike në zemër të qyteteve.

Çfarë peshe patën mediat dhe shoqëria civile përballë këtyre masakrave të vërteta? Dhe si ka ndërhyrë shteti për t’i ndaluar dhe për të ndëshkuar fajtorët?

Edi Rama ka premtuar se synon të ndryshojë shtetin dhe ne duam ta bësojmë. Por shteti që godet vetëm të dobëtit ekziston prej kohësh. Ajo çka ne ëndërrojmë është një shtet i aftë që të dëgjojë shtypin dhe të reagojë me forcë, edhe kur fjala është për abuzime të kryera nga të fuqishmit. Dhe, në Këlcyrë nuk ishte kështu./l.q/Shqiptarja.com

Share:
Reklama juaj