Home KRYESORE DASHURIA E PARË. Nga Agim Xhafka

DASHURIA E PARË. Nga Agim Xhafka

0

Doja të flisja qysh ca muaj më parë për dashurinë e parë. Por punët e rëndomta dhe udhëtimet ma shtynë. Këto ditë jam në Ohër e ky qytet të nxit të shkruash tema pasioni. Të bën ta kesh mendjen tek erosi dhe dashuria plot lëng. Edhe gruan e shoh ndryshe këtu e ndryshe në USA apo në Tiranë. Qenka ajri dhe pejzazhi që të bëjnë më delikat e më të ndjeshëm,si një tel violine të tendosur shumë,ku harpa i nxjerr veç tinguj qiellorë,të fortë e drithërues.

E dimë që të gjithë shkruajnë për dashurinë e parë. Në se nuk kanë aftësi për këtë e tregojnë plot ngjyra kush ishte ajo gocë që së pari sulmoi zemrën e dikujt. Ndodh që për këtë eveniment të flitet gjithë jetën. Ose kur mungon kurajo kujtohet me mendje i pari ose e para që të lëndoi e lumturoi. Në imagjinatë ngelet e/i bukur, e/i zgjuar dhe ndonëse vitet rrëshqasin ngjarja na ngel e stakuar,me plot dritë e me plot detaje emocionuese. Kjo ndodh nga që mbi 90 % e këtyre lidhjeve ndërpriten e në jetë funksionon thënia prozaike:”Të tjerë duam,të tjerë na duan e me të tjerë martohemi.”

Unë sigurisht e mbaj mend gocën e dashurisë së parë,por vegimet për të i kam anësore. Nuk më rri në qendër të tablosë. Se atë ditë që e emërtoj dashuri e parë ajo ka qënë si figurante e një magjie që ende nuk më lëshon.

Kam qënë në klasën e tetë kur në një mbrëmje vallzimi Lola,shoqja ime e klasës më thotë:”Ikim e bëjmë një xhiro se po bije dëborë përjashta?” As që bëhet fjalë të thoja jo. Më kapi për dore e zbritëm shkallët e shkollës tre nga tre. Dora e saj në dorën time si një prush i nxehtë,nga ata që nëna nxirrte prej sobës e i vinte në mangallin prej bronxi mes kuzhinës. Më përvëlonte pëllëmba. Lola ishte shumë e afruar me mua. Kaq shumë sa shokët e quanin kudo si dashnoren time. Unë për t’u dukur më i rritur nuk e mohoja,por as e pohoja. Se nuk doja që të dëmtohej ajo qoftë dhe nga një thashethem pa të keq.

Sa dolëm në rrugë ma lëshoi dorën e ngadalësuam hapat. Dëbora ia kishte nisur shtruar. Jashtë ishte bërë errësirë dhe në llampat e shtyllave dukeshin flokëzat e borës si ushtri fluturash të bardha. Sulmonin dritën,por ne e dinim se binin në tokë. Filloi rruga të mbulohej. As çadër kishim e as çadër donim. Bukur,thoshte Lola. Shumë bukur,i thoja unë. Filloi te ftohej e unë isha veç me një xhaketë tute. Poshtë kisha veshur tre bluza të vjetra,por nuk më mbronin. Mbase më dridhej pak mjekra nga emocioni se Lola,herë pas here më fshinte me dorë dëborën që më binte në faqe. Doja dhe unë,por ajo i fshinte vetë të vetat. Po ecnim rrugës e nuk flisnim. Shihnim njëri tjetrin herë pas here e qeshnim. Harrova acarin dhe kisha zjarrllëk. Më dukej sikur po avulloja. Ecnim e qeshnim.

-Hymë tek rrugica e gjyshes tënde?- më pyeti.
-Po,-iu gjegja e po ecnim në gjysëm errësirë. U ngatërrua tek një gur në rrugë e kur po binte e përfshiva tek mezi i saj. Kujtoj një bel që ishte kaq i fortë sa ia kalonte dhe trupit të sorkadhes që preka tek shtëpia e Nikos,kur ia solli të gjallë i ati nga pyjet e Voskopojës.

M’u duk sikur kisha prekur një gjë të ndaluar,por shumë të dashur,të fortë,por shumë mallëngjyese. M’u mbush trupi plot mornica e fluturat nga stomaku morën arratinë. Më falenderoi dhe me lezet ma hoqi dorën. Harrova,m’u duk se dora ime ishte pjesë e trupit të saj. Ecnim mes një gjysëm errësire e dëgjonim llap-llup,llap-llup. Ç’është kjo zhurmë ?- pyeti ajo. Nuk doja,por ia thashë:- Më futin ujë këpucët e kur e nxjerrin ashtu llapashiten,-i thashë duke qeshur. Ishte hera e parë që nuk ndjeja bezdi kur këpucët ishin bërë si legena mbushur me dëborë të shkrirë. Ecnim prapë,por tani nisa të ndjej ftohtë nga poshtë e nga lart. E preka tek flokët.

Je berë qull,i thashë e doja ta fshinja,por mundesha vetëm me bluzat e vjetra poshtë tutës. Ti je më keq,më tha Lola dhe hoqi shallin e më fërkoi si bënte nëna kur më lante në govatë. U drodha e u ngatërrova në fjalë e ndjenja. Mendova se më iku goja.Mos u bëra memec si Golja. U tremba,por kur Lola qeshi unë fola. Faleminderit,i thashë.

Nuk pashë që ishim para shtëpisë së saj. Më puthi në faqe si përherë,por m’u duk ndryshe. Sikur ishte më e ngrohtë,më e gjatë,më me kuptim.

U ndamë,por nuk isha vetëm prapë. Ecja me të në mendje. Aq isha i lumtur sa pas ca hapash Vaska,shoku i klasës më kapi për krahu.

-Po flet me vete,byrazer?

E vërtetë. Flisja me Lolën. Atë natë e kam kaq të fiksuar në trurin tim sa më duket që edhe kur nuk do jetoj më ajo natë do endet në eter nëpër glob,se nuk mundet ndryshe. Magjia nuk zhduket,jep sinjale kudo që të jetë.

Kaluan vite e Lola si shumica e korçareve u martua me një inxhinier. E shihja shpesh në xhiro në qytet e me vete thoja që inxhinieri të mori për grua,por natën e dëborës ai nuk ma merr dot. E kam unë si kujtim të një ndjenje të madhe,të një pasioni prej adoleshentësh. Dashuria e parë,edhe imja,edhe jotja ishte ajo natë. E di që e kujton si unë,nuk e harron. S’ke se si,se ishte natë plot magji,me sinjale emocioni per këtë jetë e për atë atje sipër. Dashuri bio,Lola ime e një nate!

Share:
Reklama juaj