Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Avokati Bojken Bendo: Ja shkeljet ligjore qe bëhen me planin rregullues ne...

Avokati Bojken Bendo: Ja shkeljet ligjore qe bëhen me planin rregullues ne Himarë, ne dem te banoreve!

Flet për Perqasje.com avokati i Zyrës se Avokatisë Bendo qe mbron Shoqatën për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhe Kulturës Himarë drejtuar nga Nikollaq Neranxi

  1. Cilat janë shkeljet ligjore nga ana e autoriteteve lokale dhe qendrore në raport me pronën në Himarë dhe projektin urbanistik të qeverisë?
  2. Së pari, me Vendimin Nr.2898/1 datë 23.09.2016 Kryetari i Bashkisë Himarë ka miratuar projektin “Rikualifikimi Urban Spile, Himarë”. Ky projekt, referuar përmbajtjes së tij dhe mënyrës se si është zbatuar, i tejkalon kufijt e një projekti të mirëfilltë mirëmbajte të kushteve ekonomike, fizike, sociale dhe mjedisore të territorit apo të ndërtimeve. Duke parashikuar prishje të ndërtesave ekzistuese dhe, për më tepër, duke parashikuar shpronësime për interes publik të pronarëve të pronave të ndodhura në zonën objekt rikualifikimi, vërehet qartë se në kuptim të ligjit, projekti “Rikualifikimi Urban Spile, Himarë” është një plan i detajuar vendor me qëllim riberjen e një zone urbane.

Për sa sipër, Kryetari i Bashkisë Himarë ka vepruar në kundërshtim me ligjin nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” pasi nuk ka respektuar procedurën ligjore për miratimin e dokumentit të planifikimit. Rezulton se në rastin konkret nuk është kryer këshillimi publik me palët e interesuara, pra me banorët e Himarës pronarë të pasurive që preken drejtpërdrejt nga zbatimi i këtij projekti. Ligji përcakton shprehimisht se nisma e Kryetarit të Bashkisë për hartimin e një plani të detajuar vendor duhet të mbështetet nga  pronarët që kanë në pronësi jo më pak se 51 % të sipërfaqes së zonës, për të cilen propozohet plani i detajuar vendor.

Theksojmë se qytetarët e Himarës kanë shfaqur publikisht (fakt i njohur botërisht) kundërshtimet e tyre kundrejt projektit “Rikualifikimi Urban Spile, Himarë” të miratuar nga Kryetari i Bashkisë. Këto kundërshtime të palëve drejtpërdrejt të interesuara nuk janë marrë aspak në konsideratë nga Kryetari i Bashkisë, i cili as nuk ka arsyetuar e as nuk ka dhënë shpjegime të nevojshme për mospranimin e kërkesave të qytetarëve.

Përveç sa sipër, në momentin e marrjes së këtij vendimi nga Kryetari i Bashkisë Himarë, ky i fundit nuk ka patur kompetencë për një vendimmarrje të tillë. Kjo pasi, duke qënë një periudhë tranzitore kur Plani i ri i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Himarë ishte ende në fazë hartimi, kompetenca për hartimin e dokumentëve të planifikimit për zonën e brezit bregdetar, ku përfshihet Gjiri i Spilesë Himarë, i përkiste Këshillit Kombëtar të Territorit. Pra, rezulton se Kryetari i Bashkisë Himarë ka nxjerr një akt administrativ në tejkalim të kompetencave të tij.

  1. Së dyti, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 145 datë 22.2.2017 është vendosur shpronësimi për interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi Urban Spile, Himarë”. Sipas këtij vendimi, urdhërohet Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, dhe të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësive në favor të Bashkisë Himarë.

Tabela bashkëlidhur vendimit të sipërcituar përmban llogaritjet paraprake të pronarëve të shpronësuar për interes publik me përcaktimet e sipërfaqeve të prekura sipas rastit të truallit a banesave.

Nga analiza e të dhënave të përmbledhura në tabelë ku për pjesën më të madhe të pronarëve Z.V.R.P.P. Vlorë nuk disponon dokumentacion, rezulton qartë se Bashkia Himarë nuk ka kryer një hetim të plotë administrativ për të mbledhur të dhënat shkresore mbi titujt e pronësive të këtyre banorëve. Duke qënë se gjatë procedurës përgatitore të dosjes së shpronësimeve nuk është bashkëvepruar me qytetarët, Bashkia Himarë nuk ka marrë në konsideratë dokumentacionin e vërtetimit të pronësisë që disponojnë pronarët.

Ky fakt cënon rëndë të drejtat pronësore të individëve pasi rezulton që ne përmbledhëse nuk janë pasqyruar të dhëna të saktë mbi sipërfaqet truall/banesë pronë private. Rrjedhimisht, nga zbatimi i këtij vendimi, pronarët do të kompensohen vetëm për atë pjesë të pronës të cilën e ka deklaruar në mënyrë arbitrare Bashkia Himarë, pa marrë asnjë shpërblim për pjesën tjetër të pronës që përfshihet në projektin “Rikualifikimi Urban Spile, Himarë” por që nuk është deklaruar nga Bashkia Himarë.

Për më tepër, për percaktimin e vlerës totale të shpronësimit për secilin individ, është marrë në referencë çmimi 4350 Lekë / m2. Është evident fakti se ky çmim nuk përkon aspak me çmimin real në ditët e sotme të truallit në Qytetin e Himarës sipas ekonomisë së tregut të lirë. Për më tepër, marrë në konsideratë se qytet e tjera bregdetare si Durrësi, Vlora, Orikumi, Saranda, kanë një çmim referencë dyfish më të lartë, nuk shpjegohet se përse territori i Gjirit të Spilesë Himarë, me bukuri natyrore të veçantë, kompensohet me një vlerë të nënvlerësuar dhe përçmuese.

  1. Së treti, me Vendimin nr.122 datë 30.08.2017, Këshilli i Bashkisë Himarë ka miratuar Planin e ri të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë në kundërshtim me ligjin material mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe dispozitat e akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

Përsëri, edhe për vendimin e sipërcituar nuk rezulton që të jetë përmbushur kushti ligjor i bashkërendimit, këshillimit dhe shqyrtimit publik të dokumentëve të planifikimit të territorit nëpërmjet procesit të dialogut me grupet e interesit. Ky proces është parashikuar si pjesë thelbësore e procedurës së miratimit të dokumentëve të planifikimit pasi synon ndërmjetësimin në zgjidhjen e konflikteve midis autoritetit shtetëror dhe individëve.

Bazuar në dispozitat ligjore, Kryetari i Bashkisë Himarë, si autoriteti përgjegjës për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, duhet të pasqyronte në një përmbledhëse kundërshtimet apo sugjerimet e marra gjatë takimeve publike nga palët e interesuara dhe t’i bashkëlidhte ato projektit. Në rast se Kryetari i Bashkisë Himarë do të vendoste të mospasqyronte në Planin e Përgjithshëm Vendor kundërshtimet apo sugjerimet e marra gjatë takimit publik, atëherë, ai duhej që detyrimisht të jepte arsyet e argumentet e mospranimit.

Nga analiza e dokumentëve shoqërues të Planit të Përgjithshëm Vendor nuk rezulton që Kryetari i Bashkisë Himarë të ketë respektuar procedurën e sipërcituar. Gjatë takimeve publike, banorët e Himarës kanë shprehur masivisht kundërshtimet e tyre për Planin e Përgjitshëm Vendor të propozuar për miratim, duke dhënë edhe sugjerimet përkatëse. Kryetari i Bashkisë Himarë në mënyrë arbitrare ka vendosur të mos pasqyrojë asnjë kundërshtim në P.P.V, dhe për këtë qëndrim nuk ka dhënë asnjë arsye dhe asnjë argument. Edhe pse palët e interesuara i janë drejtuar me shkresë zyrtare Kryetarit të Bashkisë me qëllim që të shprehet mbi kërkesat e banorëve Himariot, këto kërkesa kanë mbetur pa përgjigje.

  1. Sipas standardeve evropiane, si veprohet në raport me projektet me interesa publike mbi pronën private?

Të gjithë vendet evropiane detyrohen të zbatojnë nenin 1 të Protokollit n.1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të veprojnë në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbi këtë temë.

Neni 1 i Protokollit 1 të K.E.D.Nj.-së njeh për çdo person fizik ose juridik të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij dhe përcakton gjithashtu se askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.

Në këtë aspekt, shtetet evropiane ndjekin procedura të ndryshme për shpronësimin për interes publik megjithatë vihet re kryesisht një aspekt i rëndësishëm i kësaj procedure që mungon në procedurën shqiptare: përfshirja e pushtetit gjyqësor që në fazën e kalimit të pronësisë dhe jo vetëm në fazën e kontrollit të mëvonshëm të vendimit të autoritetit publik. Kjo përfshirje gjyqësore paraprin dhe redukton rrezikun e kundërshtimit të vendimeve të shpronësimit dhe garanton shpronësimin e pronës në bazë të vlerës ekonomike të saj në treg.

  1. Në të drejtën franceze, do të theksonim se procedura e shpronësimit fillon me ngritjen e një komisioni i cili në kushtet e kontradiktoritetit të plotë me pronarët, përcaktojnë pjesët të cilat do të shpronësohen. Vendimi që do të merret më pas, përmban në mënyrë të detajuar shkaqet dhe arsyet që përbëjnë interesin publik të këtij shpronësimi. Më tej, kalimi i pronësisë kryhet ose në marrëveshje mes palëve ose nëse kjo nuk është e mundur atëherë kryhet nëpërmjet një vendimi gjyqësor. Vlen të theksohet se në përllogaritjen e vlerës së kompensimit për pronën e shpronësuar përfshihen përveç dëmshpërblimit sipas vlerës së pronës në ditën e dhënies së vendimit, edhe shpenzime të tjera si p.sh. shpenzime për blerjen e një pasurie të ngjashme, shpenzime për transferimin e aktivitetit ekonomik etj. Për përcaktimin e vlerës së shpronësimit mund të caktohet një ekspert, megjithatë duhet detyrimisht të jetë i pranishëm pronari dhe nënpunësi publik i tatimeve i cili në këtë rast mbron interesin shtetëror.
  2. Në të drejtën angleze, procedura e shpronësimit fillon me një “urdhër” nga ana e administratës publike i cili përmban të dhënat e sakta të pronës që do të shpronësohet. Ky urdhër publikohet ne gazetat lokale dhe i njoftohet secilit prej pronarëve. Në rast se sikur vetëm një pronar të paraqesë kundërshtime brenda afatit 21 ditor, caktohet një seancë publike me autoritetin publik dhe të gjithë pronarët e palët e interesuara. Seanca zhvillohet përpara një inspektori ekspert teknik i cili dëgjon palët dhe shqyrton provat e paraqitura prej tyre. Ai mund të vizitojë vendet ku ndodhen pronat dhe mund të kryejë negocime mes palëve me qëllim arritjen e një marrëveshje. Në përfundim, vendimi i shpronësimit merret nga Ministri i cili jep dhe arsyet e shkaqet e pranimit ose jo të kundërshtimeve të pronarëve. Vlen të përmendet se pronarëve ashtu si dhe autoritetit publik, i njihet e drejta për të ankimuar vendimin e Ministrit përpara Gjykatës së Lartë nëse vendimi i tejkalon kufijt e ligjit, është marrë në kundërshtim me procedurën ose nëse inspektori a Ministri nuk kanë mbajtur një qendrim të drejtë pasi nuk ka prova të mjaftueshme në mbështetje të vendimit dhe arsyetimit të tij.
  3. Në të drejtën gjermane, theksojmë se procedura e shpronësimit kërkon nga autoriteti publik të kërkojë të fitojë pronësinë e pronës nëpërmjet mënyrave të tjera ligjore përpara kryerjes së shpronësimit, pra nëpërmjet blerjes së pronës me marrëveshje ose kompensim-shkëmbim të pronës. Përveç kësaj, autoriteti publik duhet të tentojë të realizojë interesin publik duke ndjekur mënyrën që cënon sa më pak interesin privat, siç mund të jetë shpronësimi vetëm i një pjese të pronës ose vendosja e një servituti mbi pronën. Pra, procedura e shpronësimit fillon me një “ofertë të arsyeshme” drejtuar pronarit. Do të jetë gjykata e cila do të vlerësojë ofertën, nëse ajo i përmbush kushtet e të qënit e arsyeshme apo jo. Pas procedurës së negocimit paraprak të palëve mbi ofertën e arsyeshme, çelet procedura administrative në të cilën dëgjohen përsëri pretendimet e palëve dhe tentohet të arrihet marrëveshje mbi kalimin e pronësisë.
  4. Në të drejtën italiane, procedura e shpronësimit fillon me identifikimin e pronës në dokumentin e planifikimit urban të miratuar. Për këtë arsye, pronarët të cilët do të kushtëzohen në të drejtat e tyre nga dokumenti i ri i planifikimit duhet të njoftohen që në momentin e miratimit të këtij dokumenti. Interesi publik mbi një pronë përcaktohet me anë të një deklarate nga autoreti shtetëror, e cila është akt administrativ që mund të ankimohet pasi drejtpërdrejt prodhon efekte cënuese të të drejtave të individit, prandaj edhe jurisprudenca njeh se autoriteti publik duhet të njoftojë pronarët që në fillimin e procedurës që konkludon në lëshimin e deklaratës së interesit publik. Pas kësaj faze të parë, fillon faza e shpronësimit me njoftimin e vlerës së dëmshpërblimit të ofruar pronarit dhe përfundon me deklaratën e këtij të fundit për pranimin e ofertës, ose me marrëveshjen e shkëmbimit të pronave ose me vendimin e ndërmjetëm për dëmshpërblim dhe depozitimin e shumës nga autoriteti publik.
  1. Si mund t’a interpretojmë ligjërisht rastin e Himarës, në raport me mungesën e Certifikatave të pronësisë?

Kuvendi i Shqipërisë, pas vitit 1991, ka miratuar një sërë ligjesh mbi të drejtat e pronësisë. Ekzistojnë problematika ligjore për shkak se gjatë kësaj periudhe tranzicioni janë miratuar ligje të shumta të veçanta që rregullojnë sektorë të ndryshëm të të drejtave të pronësisë. Këto ligje janë ndryshuar dhe rishikuar vazhdimisht, prandaj kanë krijuar mbivendosje të proceseve që lidhen me regjistrimin e pronësisë.

Në vitin 2012, me miratimin e ligjit nr.33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” janë përcaktuar rregullat e reja për organizimin dhe funksionimin e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe kushtet dhe procedurat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme nëpërmjet sistemit online. Ky ligj ka për qëllim eliminimin e mbivendosjes së titujve, por mbi të gjitha garantimin e sigurisë dhe qartësisë së titujve të pronësisë dhe lëshimin e Certifikatave të Pronësisë.

Me financim dhe me ndihmën e projekteve të Bankës Botërore, Këshillit Evropian, Bashkimit Evropian, FAO, USAID dhe donacioneve të veçanta të vendeve evropiane për administrimin dhe menaxhimin e tokës në Shqipëri, është nisur fushata e regjistrimit të pronës parashikuar të zbatohet në vitet 2012-2020. Planveprimi i regjistrimit të pronës ka nisur konkretisht në vitin 2013 me krijimin e sistemit one-stop-shop të regjistrit të pasurive të paluajtshme dhe është shtrirë ngadalë në pjesën më të madhe të territorit shqiptar dhe aktualisht është mbuluar rreth 90 % e territorit të tij.

Në Bashkinë Himarë, pak muaj përpara zgjedhjeve administrative të vitit 2015, Z.V.R.P.P. Vlorë nisi fushatën për regjistrimin fillestar të pasurive për një pjesë të vogël të territorit te kësaj bashkie. Në shkurt 2015 është njoftuar publikisht fillimi i kësaj procedure për zonën kadastrale nr.1481 Dhërmi. Për këtë qëllim, i është kërkuar pronarëve të përgatisin dokumentët e pronësisë dhe të bashkëpunojnë me grupin e regjistrimit. Megjithatë, procedura e regjistrimit fillestar të pasurive nuk është vazhduar më tej.

Aktualisht, rezulton se zona e territorit të Bashkisë Himarë është zonë e pamenaxhuar, pra ku ende nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar i pronave. Kjo situatë është krijuar nga mungesa e vullnetit të autoriteteve publike në zbatimin korrekt të planveprimit qeveritar dhe në përshpejtimin e procedurave për kryerjen e regjistrimeve.

  1. Përkatësia etnike ose e origjinës si përcaktohet në raport me standardet evropiane?

Kuptimi i etnisë përkon me një komunitet në raport numerik në minorancë me popullsinë e vendit, që mbart në vetvete tipare të njëjta gjuhësore, kulturore, të zakoneve dhe të historisë, i vendosur zakonisht në një pjesë të caktuar të territorit.

E drejta ndërkombëtare njeh dhe mbron minoritetet etnike njëlloj si minoritetet fetare, gjuhësore dhe kombëtare. Fillimisht të drejtat e tyre janë njohur me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut të vitit 1950. Më pas Akti i Helsinkit i vitit 1975 përkufizon parimin se “Shtetet pjesëmarrëse në territorin e të cilëve ekzistojnë minoritete kombëtare respektojnë në barazi përpara ligjit të drejtat e individëve që i përkasin këtyre minoriteteve, i ofrojnë atyre mundësitë e plota për të gëzuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në këtë aspekt mbrojnë interesat e tyre të ligjshme.” Në konferenca ndërkombëtare të mëvonshme, Shtetet pjesëmarrëse janë angazhuar të evidentojnë minoritetet etnike nëpërmjet marrëveshjeve politike me qëllim parandalimin e konflikteve të cilat mund të prishin qetësinë dhe sigurinë publike.

Njohja e grupimeve minoritare dhe njohja e përkatësisë etnike janë ende tema të debatueshme në të drejtën ndërkombëtare pa një përkufizim ligjor. Shtetet preferojnë t’a konsiderojnë si çështje të brendshme politike dhe për këtë arsye, shpesh, ndjekin procedura të ndryshme për njohjen zyrtare të një minoriteti etnik.

Megjithatë, mënyrat e ndjekura nga Shtetet për njohjen e minoriteteve etnike mund t’i përmbledhim në katër kategori:

  1. Nëpërmjet njohjes kushtetuese të ekzistencës së grupimeve të ndryshme dhe të drejtës së anëtarëve të këtyre grupimeve të gëzimit të një statusi të veçantë, në veçanti në mbrojtje të zhvillimit në komunitet;
  2. Nëpërmjet njohjes specifike të një minoriteti etnik dhe mbrojtja e tij nëpërmjet mjeteve ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare;
  3. Nëpërmjet njohjes faktike duke miratuar ligje kombëtare dhe akte nënligjore kombëtare drejtuar zhvillimit të kulturës së një grupi të caktuar etnik;
  4. Mosnjohja e minoritetit nga sistemi i drejtësisë shtetëror, si pasojë e qëndrimeve politike të mohimit total të ekzistencës së tyre, ose me qëndrime politike neutrale.

Referuar kategorisë së fundit, nëse ekzistenca e një minoriteti etnik vërehet qartë brenda territorit të një vendi, mosnjohja e tij zyrtare nuk e shmang Shtetin nga  detyrimi i tij për të zbatuar parimet e normave ndërkombëtare.

  1. Në këndvështrim juridik të së drejtës, fakti që një pjesë e Komunitetit Himariot po mbrohet duke u deklaruar si pakicë greke, a është i justifikuar?

Po, mbrojtja e të drejtave të pakicave kombëtare dhe garantimi i ushtrimit të të drejtave specifike të njeriut për çdo person që i përket një pakice kombëtare, janë parime thelbësore në një shoqëri të integruar.

Shteti Shqiptar angazhohet në respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe veçanërisht nga Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare e ratifikuar nga Shqipëria dhe drejtpërdrejt e zbatueshme. Nga rekomandimet e monitoruesve ndërkombëtar, është evidentuar në Shqipëri nevoja e miratimit të legjislacionit specifik me qëllim plotësimin e mangësive ligjore ne mbrojtjen e pakicave kombëtare.

Në këtë kuadër, është në fazë diskutimi e shqyrtimi projektligji “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Në kuptim të këtij projektligji, parashikohet njohja ndër të tjera e pakicës kombëtare greke në bazë të të dhënave të vetdeklaruara në censusin periodik të popullsisë. Pra, konkretisht por edhe me miratimin e ligjit të ri, përkatësia e personit në një pakicë kombëtare kryhet nëpërmjet një procesi vetdeklarimi sipas vullnetit të lirë të personit.

Sakaq, pakicave kombëtare i njihet në rang ndërkombëtar e drejta e barazisë së plotë përpara ligjit dhe garantimi i mosdiskriminimit për shkak të përkatësisë së tyre. Shtetet duhet të angazhohen në nxitjen e kushteve të nevojshme për personat që iu përkasin pakicave kombëtare për të ruajtur dhe zhvilluar kulturën e tyre, dhe për të ruajtur elementët themelorë të identitetit të tyre, konkretisht besimin fetar, gjuhën, traditat dhe trashëgiminë kulturore. Asnjë Shtet nuk duhet të ndërmarrë politika apo praktika që synojnë në asimilimin e personave që iu përkasin pakicave kombëtare kundër vullnetit të tyre por duhet të mbrojnë këta persona nga çdo akt që synon një asimilim të tillë.

  1. Pra ligjërisht, si duhet të procedohet në Himarë nga ana e shtetit?

Shteti duhet të marrë masa urgjente dhe konkrete në përshpejtimin e procesit të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme në Bashkinë Himarë, me qëllim realizimin dhe garantimin e plotë të të drejtës pronësore të banorëve të territorit të saj.

Në përputhje me ligjin nr. 33/2012, regjistruesi, një person ose çdo grup i ngarkuar nga Kryeregjistruesi bashkëpunojnë me pronarët dhe kërkojnë paraqitjen e dokumentëve në bazë të këtyre kritereve:

  • pronësia dhe kufijtë e pasurive të paluajtshme përcaktohen nga aktet e fitimit të pronësisë,
  • individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumentë pronësie por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen, duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, plan rilevimi të pasurisë dhe deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë.

Brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së dokumentëve, regjistruesi duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit pronar. Informacioni mbi regjistrimin e pronës duhet të afishohet për 45 ditë në një vend të përshtatshëm brenda zonës kadastrale ku këto pasuri janë të lokalizuara. Ky afishim kryhet me qëllim që të lajmërohen individët që mund të kenë pretendime për pasuritë e paluajtshme të regjistruara. Pas periudhës së afishimit publik, të gjitha pasuritë e paluajtshme, për të cilat nuk ka asnjë pretendim të pazgjidhur, regjistrohen siç janë në kartelat dhe hartat kadastrale. Që nga ky çast, regjistruesi mund të lëshojë certifikatat e pronësisë.

Në rast të konflikteve apo pretendimeve të të tretëve mbi pronën, regjistruesi konsultohet me palët me qëllim që të qartësohen dhe të korrigjohen gabimet materiale. Kur palët paraqesin pretendime mbi pronësinë, regjistruesi bën korigjimet e nevojshme bazuar në aktin e fitimit te pronësisë ose në aktin noterial. Mosmarrëveshjet që nuk mund të zgjidhen me pëlqimin e palëve, zgjidhen nga organet gjyqësore dhe fakti i ekzistencës së kësaj mosmarrëveshje pasqyrohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme.

Në konkluzion, hartat kadastrale duhet të krijohen dhe të përditësohen duke treguar kufijtë dhe pozicionet gjeografike të pasurive të paluajtshme pavarësisht  konflikteve gjyqësore që mund të kenë individët për pronësinë e pasurisë. Për këto pasuri të cilat pretendohen nga disa individë, duhet bërë shënimi përkatës në kartelën e pasurisë i cili pasqyron arsyen e moslëshimit të Certifikatës së Pronësisë.

Theksojmë se regjistrimi i një pasurie të paluajtshme i jep personit, si individ, si bashkëpronar, të drejtën për të disponuar këtë pasuri të paluajtshme në përputhje me ligjin. Çdo veprim juridik i mëtejshëm, që ka të bëjë me të drejtat mbi pasurinë e paluajtshme, duhet detyrimisht të regjistrohet në Z.V.R.P.P.

  1. Si përfaqësues ligjor të Shoqatës “Për Mbrojtjen e Shtëpive, Pronave, Historisë dhe Kulturës së Himarës”, si do mbroheni në rast të një veprimi arbitrar të shtetit?

Zyra e Avokatisë, si përfaqësues ligjor i Shoqatës “Për Mbrojtjen e Shtëpive, Pronave, Historisë dhe Kulturës së Himarës” ka qënë gjithmonë mbështetëse e kauzës së Komunitetit Himariot dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjor për mbrojtjen e të drejtave pronësore të banorëve.

Për çështjen e projektit “Rikualifikimi Urban Spile, Himarë” janë kundërshtuar gjyqësisht veprimet e Kryetarit të Bashkisë në zbatimin e këtij projekti. Dosja gjyqësore është në fazë studimi në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë dhe mbetemi në pritje të caktimit të datës për shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore.

Lidhur me Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë dhe shkeljet e vërejtura në miratimin e këtij dokumenti planifikimi, janë dërguar ankesa / kërkesa zyrtare autoriteteve përgjegjëse për monitorimin e kësaj procedure, konkretisht Këshillit Kombëtar të Territorit, Sekretariatit të tij Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Pavarësisht kësaj, është paraqitur kërkesë-padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë me objekt shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Bashkisë Himarë pasi është marrë në kundërshtim me ligjin material për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Për këtë çështje, ende nuk është caktuar një datë për zhvillimin e seancës gjyqësore.

Me bindjen e plotë në një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të çështjeve nga ana e gjykatave, do të vazhdojmë të ndjekim në çdo shkallë të sistemit gjyqësor çështjet e sipërcituara, duke paraqitur ankim në gjykatat e niveleve më të larta, me qëllim garantimin e të drejtave kushtetuese të individëve dhe zbatimin korrekt të ligjit nga ana e autoriteteve të administratës publike.

Vlen të përmendet se së fundmi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë ka marrë një vendim për marrjen e masës së sigurimit të padisë duke urdhëruar pezullimin e veprimeve në zbatim të projektit “Rikualifikimi Urban Spile, Himarë” dhe V.K.M.-së nr.145 datë 22.02.2017. Ky vendim është bazuar në argumentin se Bashkia Himarë është duke vepruar në shkelje të ligjit dhe interesave legjitime të kërkuesve të cilët janë pronarë të pronave objekt shpronësimi.

Në konkluzion, ky vendim hap një dritare dhe është një shpresë më shumë për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Komunitetit Himariot.

Share: