Home KRYESORE Greqi, ‘Agimi i Artë’ prish paradën pasi flamurin e mbante nxënësja shqiptare...

Greqi, ‘Agimi i Artë’ prish paradën pasi flamurin e mbante nxënësja shqiptare (Video)

Në Greqi, anëtarë dhe mbështetës të partisë së ekstremit të djathtë, Agimi i Artë kanë prishur një paradë shkollore për shkak se flamurin e paradës e mbante një nxënëse shqiptare.

Ata do të procedohen pasi autoritetet i kanë paditur  me akuzën “prishje e qetësisë publike”.

Ngjarja ka ndodhur në një nga njësitë bashkiake të ishullit Santorini.

Sapo ka nisur parada, rreth 20 persona të veshur me bluza të zeza me mbishkrimin “Hellas Ultras”, kanë protestuar pse flamurtare e paradës ishte një fëmijë emigrantësh shqiptarë. Ata bërtisnin “Jemi grekë. Flamurin duhet ta mbajnë grekët”.

Edhe pse shumë prej të pranishmëve iu kundërvunë atyre, parada përfundimisht u prish, pse mjaft prindër i tërhoqën fëmijtë e tyre nga frika e përshkallëzimit të ngjarjes.

Partia Agimi i Artë, e përcolli lajmin në faqen e saj zyrtare. “Dega e Santorinit e Agimit të Artë dhe qytetarë vendas, e ndërprenë paradën, në shenjë proteste energjike për fyerjen e simbolit kombëtar (flamurit), dhe duke theksuar se nuk do të lejojnë fenomene të tilla antigreke në ishull”, thuhet në njoftimin e Agimit të Artë.

Ndërkaq, gjithë partitë e tjera greke, përfshirë SYRIZA-n në pushtet dhe Demokracinë e re të opozitës, e kanë dënuar me forcë aktin e ekstremistëve të djathtë.

Ndërsa ministria e arsimit, në një deklaratë për ngjarjen, nënvizon se aktet e patriotizmit ekstrem nuk kanë vend në shoqërinë greke. Flamurin kanë të drejtë ta mbajnë të gjithë fëmijtë që ndjekin sistemin tonë arsimor”./lapsi.al

Share: