Home KRYESORE Kaos në Gjykatën e Lartë, ikën i pesti anëtar, pse Adrian Dvorani...

Kaos në Gjykatën e Lartë, ikën i pesti anëtar, pse Adrian Dvorani nuk dorëhiqet?

Një tjetër gjyqtar ka dorëzuar dje detyrën, për shkak të përfundimit të mandatit të tij kushtetues, Andi Celiku i shtohet listës së katër kolegëve, Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Arjana Fullani të cilët u larguan më se dy muaj më parë nga postet e tyre.

Ndërsa gjyqtari tjetër i Gjykatës së Lartë, z. Adrian Dvorani, të cilit ka 4 vjet që i ka skaduar mandati nuk e bën një gjë të tillë.

Gjyqtari Dvorani me mandat të skaduar  i emëruar në këtë detyrë që në vitin e largët 2005, me dekret nr. 4481 ka rreth 13 vjet në detyrë, ndërkohë që ligji e parashikon që mandati të jetë 9 vjecar.

Mos dorëheqja e Dvoranit nga ky post në kohë dhe brenda cakut ligjor, është një tjetër rast abuziv dhe jo transparent në Gjykatën e Lartë nga i cili vuan sistemi i drejtësisë shqiptare dhe pasojat i paguajnë në kurrizin e tyre qytetarët e thjeshtë.

Për ambasadorin amerikan, z. Donald Lu mungesa e transparencës në drejtësi jo vetëm që lejon gjykatësit e politikanët të mbushin xhepat me para të pista, por po shkatërron dhe jetët e njerëzve të thjeshtë.

Raste të tilla jo transparente si ky në fjalë kontribojnë në përhapjen e fenomenit të korrupsionit duke e renditur sistemin e drejtësisë si më të korruptuarin, ku gjykatësit, prokurorët, doganierët dhe drejtuesit politik janë në majën e piramidës së korrupsionit.

Vetëm pak ditë më parë duke shfrytëzuar përvjetorin e Shkollës së Magjistraturës, Ambasadori i SHBA-së lëshoj akuza të forta dhe konkrete ndaj sistemit gjyqësor duke e quajtur atë si të dështuar.

Duke shpresuar që procesi i shumë diskutuar i Vettingut i cili është në fillesat e tij të kontribojë në eleminimin e këtyre rasteve abuzive dhe jo transparente dhe doreheqja e një gjyqtari me mandate të skaduar si rasti Dvorani t’i asistonte këtij procesi pozitiv në sistemin e drejtësisë. /News365.al

Share: