Home KRYESORE Kryeministri: Nuk është tradhëti të kesh serbë në Qeveri

Kryeministri: Nuk është tradhëti të kesh serbë në Qeveri

0

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë fushatës sonte në Mitrovicë, tha se ka ardhur koha që në Mitrovicë të zgjidhen të gjitha problemet e grumbulluara deri tani. Ai ka premtuar avancimin drejt BE-së, liberalizim të vizave, mos lejim të korrupsionit, infrastrukturë moderne dhe të ngjashme.

Haradinaj ka përmendur integrimin e qytetarëve serbë, duke thënë se Kosova është e të gjithë qytetarëve pa dallim, transmeton gazetametro.net.

Ai ka kërkuar votën e mitrovicasve për kandidatin për kryetar të komunës nga radhët e AAK-së, dhe ka premtuar se tani është krijuar mundësia që të zgjidhen problemet e Mitrovicës.

“Më së paku faj për gjendjen në të cilën është Mitrovica keni ju. Kemi faj të gjithë. Ka ardhur koha me i zgjidhë ose me i la këto faj. Integrimi i veriut, dëgjoni, jemi fsheh shumë në Kosovë, natën kemi ndejtur me serbë, qoftë të veriut qoftë të tjetër kahut, ditën kemi shitur patriotizëm. Ka plotë kështu, i kemi edhe në parlament, nuk kemi pse me u fsheh, janë njerëz të këtij vendi dhe duam t’i integrojmë. Nëse këtë e bëjmë, ne vërtetë e përmbyllim Kosovën nga ana e brendshme. A është kjo tradhti, a është tradhti me pas në qeveri qytetarë serbë, nuk është tradhti, mbane mend. Unë në Mitrovicë kam ardh gjithnjë, kurrë s’ju kam rrejt, por kurrë s’kam pas mundësinë problemet me i zgjidhë. Mendoj se tani jemi në mundësi me i zgjidhë problemet. Esati ka kapacitet veprues, din me punu, din me zbatu, pra nuk është njeri që jep premtime dhe nuk ju beson as ky vet. Unë po ju them kështu, a na jepni votën Mitrovicë për Aleancën, a na jepni votën për Esatin, për asamblistët, apo ma jepni edhe mua votën”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës nga radhët e AAK-së, Esat Peci, pasi ka përmendur të metat e pushtetit të deritashëm, tha se është urgjente për Mitrovicën një qeveri lokale efikase çfarë di ta udhëheqë vetëm AAK-ja.

“Është urgjente instalimi i një qeverie efikase dhe moderne që do të krijonte zhvillim, punësim, shërbim efikas, mirëqenie sociale, siguri dhe atraktivitet për të gjitha grupmoshat, shtresat shoqërore, e veçanërisht për rininë. Këtë mund ta bëjë vetëm AAK-ja”, theksoi Peci.

Gjatë këtij tubimi janë prezantuar edhe kandidatët e AAK-së për Kuvendin Komunal të Mitrovicës./360grade.al

Share:
Reklama juaj