Home KRYESORE Lapsi.al: Mashtrimi i Saimir Tahirit në gjyqin e Emiljano Shullazit

Lapsi.al: Mashtrimi i Saimir Tahirit në gjyqin e Emiljano Shullazit

Pohimi i Saimir Tahirit në sallën e gjyqit sot, u bë shkak që Sali Berisha të thirret dëshmitar në procesin ndaj bandës së Shullazit. Tahiri tha se ishte njoftuar për kërcënimin e Mynyr Konit dhe Dhori Kules nga denoncimi publik i Sali Berishës. Edhe i akuzuari kryesor për ngjarjen, Emiliano Shullazi ishte në një mendje me Tahirin, kur i kërkoi gjykatës të thërrasë dëshmitar Berishën. Por sa e vërtetë është dëshmia e ish Ministrit të Brendshëm në sallën e gjyqit?

Shantazhi ndaj Mynyr Konit ndodhi të enjten e datës 14 Prill, ndërsa Sali Berisha doli në një konferencë për mediat, rreth orës 14:00 të datës 16 Prill.

“UNË, PARA SE TË VIJ KËTU, NUK JAM LIDHUR AS ME PROFESOR MYNYR KONIN DHE AS ME PROFESOR DHORI KULEN, BURIMI ËSHTË 100% I SIGURT, SE PËRNDRYSHE UNË NUK DO TË ISHA SOT KËTU PARA JUSH DHE AS JU NUK DO TË ISHIT NË ZYRËN TIME” I THA BERISHA GAZETARËVE.”

Nëse krahasohen dëshmitë e personazheve të ngjarjes, del se Saimir Tahiri nuk ka thënë të vërtetën sot në gjykatë. Ish Ministri i Brendshëm fsheh një takim që ka pasur mes tij, Dhori Kules dhe Mynyr Konit në zyrën e tij në Ministrinë e Brendshme, para se Berisha të denonconte ngjarjen në gjykatë.

HAKI ÇAKO

“NË PRILL TË VITIT 2016 ISHA DREJTOR I POLICISË, JAM TELEFONUAR NGA MINISTRJA E ARSIMIT, KAM TAKUAR DHORI KULEN DHE NIKOLLËN. KULE MË SHPREHU SHQETËSIMIN E KËRCËNIMIT TË MYNYR KONIT NGA DISA PERSONA, MES TË CILËVE DHE EMILJANO SHULLAZI. KËTA E KISHIN KËRCËNUAR KONIN QË TË TËRHIQEJ NGA GARA PËR REKTOR TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS”, KA THËNË HAKI ÇAKO SOT NË SALLËN E GJYQIT.’

Siç vihet re, Haki Çako pranon në dëshminë e tij një takim me Dhori Kulen dhe Mynyr Konin. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nxjerr Lindita Nikollën si njeriu që e njoftoi për ngjarjen. Duket e çuditshme që Lindita Nikolla, të ketë telefonuar Haki Çakon dhe të mos ketë njoftuar Saimir Tahirin, të cilin e ka koleg, shok partie dhe bashkëpuntor në fushatën e Tiranës.

MYNYR KONI

Në dëshminë e tij në prokurori, Mynyr Koni tregoi se pas kërcënimeve, kishte folur me dekanin, Dhori Kulen. Më pas, ai tregon se ka pasur një takim në zyrën e Saimir Tahirit në Ministrinë e Brendshme, ku ishin të pranishëm edhe Haki Çako, Ervin Hodaj, Lindita Nikolla dhe Dhori Kule.

“MESDITËN E SË SHTUNËS, SHKOVA DHASHË DORËHEQJEN NGA KANDIDIMI PËR REKTOR PËR SHKAK TË KËRCËNIMEVE. KAM MBYLLUR TELEFONIN DHE IKA NË SHTËPI. RRETH ORËS 13:30 MË ERDHI KANCELARI NË SHTËPI DHE MË THA: HAJDE SE DO TË SHKOJMË NË ZYRËN E MINISTRIT TË BRENDSHËM! ATY ISHTE SAIMIR TAHIRI, HAKI ÇAKO, ERVIN HODAJ, LINDITA NIKOLLA DHE DHORI KULE”

Mynyr Koni dëshmon pra se Tahiri ishte informuar para se Sali Berisha të dilte në konferencë, sepse ishte duke e pritur në zyrën e tij në ministri, bashkë me Dhori Kulen, që i kishte treguar gjithçka.

DHORI KULE

Dëshmia e Dhori Kules në prokurori nxjerr  në skenë Edi Ramën. Dekani ka thënë në prokurori se pas kërcënimit, telefonoi direkt Edi Ramën. Ishte vetë Rama që njoftoi Saimir Tahirin, sipas Dhori Kules. Bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çakon dhe Drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodajn, Saimir Tahiri ishte takuar me Dhori Kulen. Takimi është bërë rreth 1 orë para se Berisha të dilte në konferencë. Në deklarimin e tij në prokurori, profesor Kule ka thënë se gjatë bisedës, ministri Tahiri i ka premtuar se do ta zgjidhte këtë shqetësim, por pa dhënë shpjegime se si do të veprohej.

Nga kjo dëshmi del qartë se njeriu që e njoftoi Saimir Tahirin, nuk ishte Sali Berisha, por Edi Rama. Por Dhori Kule nuk dëshmoi sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ai u largua nga gjykata, me arsyetimin se një njeri i afërt i tij ishte shtruar në spital. Nëse do t’i qëndrojë asaj që ka thënë në prokurori, do të dilte e qartë se Saimir Tahiri gënjeu përballë gjykatësit./ Lapsi.al

Share: