Home KRYESORE Lapsi.al: Rama po i bën presion Tahirit të largohet vetë

Lapsi.al: Rama po i bën presion Tahirit të largohet vetë

Situata e Saimir Tahirit po rëndohet me shpejtësi. Burime të mirëinformuara nga PS bëjnë me dije se kryeministri Rama i ka dhënë ultimatum ish krahut të tij të djathtë, që të bëjë një akt politik, të pranojë së paku “njollën morale” ose të pranojë që është “një dru i shtrembër midis rilindasve”, siç e etiketoi pak më parë Rama publikisht. Ky akt mund të shkojë nga një pranim faji i Tahirit e deri tek dorëheqja e ish ministrit nga funksionet politike.

Deri më atëherë situata do të mbetet e ngrirë. Kreu i grupit parlamentar të PS u ka dërguar mesazh deputetëve të tij që, deri sa situata të zgjidhet, ata duhet të tregohen “të ftohtë”, pra as mos e godasin dhe as mos e mbrojnë njeriun e “policisë që duam”.

Vetë Tahiri u ka pranuar njerëzve të tij të afërt, se ai është i vendosur në karantinë nga ish kolegët e tij dhe celulari me po të njëjtin numër si më parë, i bie rrallë e më rrallë. Një burim tjetër tha për Lapsi.al se ultimatumi për ish ministrin është i vlefshëm deri sot në mbrëmje.

Përndryshe ai është kërcënuar me faktin se Rama do të dalë vetë publikisht për t’u distancuar me të. Shenja të këtij distancimi u dhanë që dje me deklaratën e kryeministrit që thoshte se drejtësia nuk do të pengohet. Ajo u bë më e fortë sot me përmendjen e togfjalshit “një dru i shtrembër midis nesh”.

Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë. Por, ndryshe nga këta të Frontit të Çadrës së Vjetër, ne marrim përgjegjēsi për Shqipërinë dhe mbajmë përgjegjësi për çdo gjë që nuk e bëjmë mirë apo që del në dritën e realitetit si problem i yni” , shkruajti Rama sot duke aluduar se nuk mund të mos ketë përgjegjësi për përgjimet që u publikuan dje.

Në varësi të qëndrimit që do të mbajë Tahiri, do të vendoset edhe se ç’do të bëhet më tej. Dihet se kur ishte ende ministër, kur u thirr në zyrën e Ramës për të dhënë dorëheqjen, ai e refuzoi kërkesën e shefit të vet. Tahiri gjithnjë ka mbajtur qëndrimin se ai dhe Rama janë një, dhe kur është njëri keq, tjetri nuk mund të jetë mirë. Mirëpo dalja e përgjimeve italiane i ka dobësuar ndjeshëm pozitat e tij dhe nuk dihet se si do t’i përgjigjet ai ofertës për t’u zhdukur nga skena politike në këmbim të lënies në harresë të çështjes që po bën zhurmë këto ditë.©Lapsi.al

Share: