Home KRYESORE LIROJENI SADRI RAMABAJËN! Nga Emin Azemi

LIROJENI SADRI RAMABAJËN! Nga Emin Azemi

Karakteri dhe kredoja morale e intelektuale e dr. Ramabajës nuk përputhen aspak me kornizat idiotike të aktakuzës, e cila përpos ndonjë alibie të shpifur nuk ka kurrfarë argumenti bindës për të na e shfaqur këtë njeri të ndryshëm nga ai që ne e njohim: korrekt, miqësor, i drejt, i devotshëm në bindjet e tija dhe mbi të gjitha një njeri i përkushtuar me gjithë qenien e tij për Republikën e Kosovës.

Nga Emin AZEMI

Historia e konfliktit në mes të shtetit dhe intelektualit është po aq e vjetër, sa është e komplikuar edhe marrëdhënia në mes të botëkuptimeve intelektuale dhe paragjykimeve të strukturave të caktuara shtetërore kundrejt atyre që i përfaqësojnë këto botëkuptime.

Edhe dr. Sadri Ramabaja mund të jetë viktimë e këtij komplikimi, por në asnjë mënyrë ai nuk është pjesa e ndonjë komploti, për çka po pretendon Prokuroria.

Nëse nesër dr. Ramabaja del i pafajshëm, për çka nuk ka asnjë fije dyshimi, atëherë do të vërtetohet se ngatërrimi i emrit të tij në një histori komploti ka qenë sajesë e ngutshme e segmenteve të caktuara politike-policore, të cilët kanë zgjdhur mënyrën më pak inteligjente për ta heshtur atë.

Karakteri dhe kredoja morale e intelektuale e dr. Ramabajës nuk përputhen aspak me kornizat idiotike të aktakuzës, e cila përpos ndonjë alibie të shpifur nuk ka kurrfarë argumenti bindës për të na e shfaqur këtë njeri të ndryshëm nga ai që ne e njohim: korrekt, miqësor, i drejt, i devotshëm në bindjet e tija dhe mbi të gjitha një njeri i përkushtuar me gjithë qenien e tij për Republikën e Kosovës.

Çdo minutë e mbajtjes në (para)burgim e dr. Ramabajës, në fakt është një shërbim lapidar që iu bëhet armiqëve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Është për të ardhur keq se si ngutia për të sajuar komplote po dominon ende mendësinë e një pjese të segmenteve shtetërore kosovare, kurse të gjithë ata që e njohin nga afër profesorin e nderur Sadri Ramabaja do të ngelin të dëshpëruar me këtë sasi kaq të madhe injorance që sundon në kokat e vendimarrësve paragjykues.

Me dr.Sadri Ramabajën mund të mos pajtohesh për një e më shumë çështje, por me të nuk mundesh në asnjë mënyrë të biesh në konflikt, sepse atë mundësi ai nuk ta ofron. Ndoshta edhe pse ndjesia e tij për të dashur është më e madhe se për të urryer.

Një intelektual liberal e tolerant si dr. Ramabaja, asnjëherë nuk lejoi që mospajtimin botkuptimor ta shndërroj në sherr brendakombëtar . ‘’Mëkati’’ i vetëm i tij, ndoshta ësht se ai mendon zëshëm, për dallim nga shumë bashkëmendimtarë e bashkpartiakë të tij, të cilët tinëz mendojnë identik si ai, por s’kanë kurajo qytetare e intelektuale ti shpehin publikisht mendimet e tyre.

Një drejtësi korrekte do të duhej ti peshonte mirë provat dhe alibitë e rrejshme, para se të nxirrte ndonjë vendim, sepse dr. Sadri Ramabaja, ashtu siç është i çiltër, vizionar e patriot, i duhet kauzës së tij të drejtë, i duhet studentëve e mbi të gjitha i duhet ardhërisisë së vendit të tij, për të cilin ai në rini sakrifikoi disa vite burg.

Në Kosovë mund të gjesh plot njerëz që nuk mendojnë si Ramabaja, por edhe atyre iu tingëllojnë absurde akuzat për të cilat ngarkohet ai. Prandaj, para se gjyqësia edhe më tej të komprometohet, do të ishte mirë ta shpallte një orë e më parë pafajësinë e tij.

 

Share: