Home KRYESORE Spanja me ultimatum të ri për Katalonjën, i jep edhe tre ditë...

Spanja me ultimatum të ri për Katalonjën, i jep edhe tre ditë kohë

Qeveria e Spanjës i dha edhe tri ditë të tjera kohë Presidentit të Katalonjës, Puigdemont për të thënë nëse Katalonja ka shpallur pavarësinë. Puigdemont ka kërkuar bisedime direkte me kryeministrin e Spanjës, Rajoy. Zëvendëskryeministrja e Spanjës, Soraya Saenz de Santamaria e hodhi poshtë të hënën kërkesën e Presidentit të Katalonjës, Carles Puigdemont për bisedime të drejtpërdrejta.

Ajo i dha një afat tjetër të fundit deri të enjten, për të sqaruar çështjen e pavarësisë.Saenz de Santamaria u tha përfaqësuesve të medieve në Madrid se qeveria qendrore pati kërkuar deri në orën 10 të së hënës thjesht një “po” ose “jo” nga Puigdemont-i, për faktin nëse Katalonja e kishte deklaruar shkëputjen nga Spanja. Por ai nuk e dha një përgjigje të tillë.

“Nuk ishte shumë e vështirë që të thuash “po” ose “jo””, tha Saenz de Santamaria. “Nuk është e vështirë që të kthehesh në arsye në këto tri ditë të tjera.”

Në një letër dy faqëshe të dërguar pa përfunduar ultimatumi i së hënës, Puigdemont-i nuk e sqaroi nëse kishte deklaruar pavarësi nga Spanja. Në vend të kësaj, ai kërkoi dy muaj negociata për këtë çështje me kryeministrin Mariano Rajoy.

“Në dy muajt e ardhshëm, objektivi ynë kryesor është apeli ndaj për dialog”, dhe lejimi i “ndërmjetësve ndërkombëtarë, spanjollë dhe katalanë” që të hapin një linjë negociatash”, shkruhet në letrën drejtuar Rajoy-t.

Puigdemont-i shkroi se “suspendimi i mandatit politik” të qeverisë së tij rajonale për të deklaruar pavarësinë, tregon “synimin e qartë të qeverisë së tij për të gjetur zgjidhje në vend të prodhimit të konfrontimit”. Megjithatë, në letër thuhet se Parlamenti i Katalonjës ka një “mandat demokratik” për të deklaruar pavarësinë pas referendumit të diskutueshëm të 1 tetorit. Më pak se gjysma e personave me të drejtë vote shkuan në votim dhe rreth 90% e tyre mbështetën shkëputjen nga Spanja.

Share: