Home KRYESORE Superpagat e Vettingut, anëtarët do të marrin deri në 7.5 milionë lekë

Superpagat e Vettingut, anëtarët do të marrin deri në 7.5 milionë lekë

0

Të 27 njerëzit e organeve të Vetingut, të cilëve u është besuar identifikimi dhe largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë, përmes verifikimit të pasurive, lidhjeve me krimin dhe aftësive profesionale, do të kenë një pagë mujore tre herë më të lartë se paga e Presidentit të Republikës.

Një anëtar i një prej tre organeve të Vetingut do të marrë 7.5 milionë lekë të vjetra pagë në muaj ose 5.6 mijë euro, duke u shndërruar kështu një prej zyrtarëve më të paguar në piramidën e shtetit shqiptar.

Llogaritja e pagës

Paga bazë e anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit dhe dy Komisionerëve Publikë do të jetë sa paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kalojnë procesin e Vetingut. Gjyqtari i Kolegjit të Apelimit do ta ketë pagën sa anëtari i Gjykatës së Lartë, i cili kalon procesin e Vetingut. Konkretisht, paga bazë e anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit dhe dy Komisionerëve do të jetë 3 milionë lekë të vjetra në muaj, ndërsa e gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit do të jetë rreth 4 milionë lekë të vjetra, shkruan shqiptarja.com. Por, pika 4 e nenit 29 të ligjit të Vetingut parashikon që anëtarët e institucioneve të Vetingut përfitojnë një pagesë mujore shtesë për shkak të vështirësisë. Pra, me këtë pikë, paga e anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit dhe dy Komisionerëve Publikë shkon automatikisht në 6 milionë lekë, ndërsa e anëtarëve të Kolegjit të Apelimit 8 milionë lekë. Rritja e pagës nuk ndalon këtu.

Në mbledhjen e djeshme, qeveria ‘Rama 2’, ka vendosur të rrisë më tej pagat e anëtarëve të Vetingut, duke u akorduar një shumë shtesë mujore sa 50 % e pagesës bazë. Me këtë vendim, paga e anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit dhe dy Komisionerëve Publikë shkon në 7.5 milionë lekë ose 5.6 mijë euro në muaj, ndërsa e gjyqtarëve të Kolegjit rreth 10 milionë lekë në muaj. Ndërkaq, këshilltarët ligjorë dhe ekonomikë përfitojnë përkatësisht 80 për qind të pagës mujore përkatëse të anëtarit të institucionit të rivlerësimit si dhe një pagesë shtesë për shkak të vështirësisë. Me këtë parashikim, këshilltarët marrin 2.4 milionë lekë të vjetra pagë bazë plus edhe një pagë shtesë, pra 4.8 milionë lekë të vjetra pagesë mujore.

Vendimi i qeverisë

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, njoftoi dje një shtesë në masën 50 % të pagesës mujore për anëtarët e Vetingut. “Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave mori një vendim të rëndësishëm për përcaktimin e pagesës shtesë të të gjithë anëtarëve të institucioneve rivlerësimit, duke i akorduar kështu, shumën shtesë në masën 50% të pagesës mujore të përcaktuar me ligj. Qeveria shqiptare, ashtu siç ka premtuar se do të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në aspektin buxhetor dhe atë infrastrukturor, me vendimin e sotëm konfirmoi edhe njëherë angazhimin e saj serioz. Mbështetja nga ana e qeverisë për sa i përket buxhetit është një detyrim sa kushtetues edhe ligjor, aq sa edhe shprehja e një vullneti të plotë për rritjen e pagesës me 50% më shumë”, tha Gjoni.
Godinat
Sipas qeverisë, organet e Vetingut mund të nisin punën menjëherë. “Me vënien në dispozicion të godinave dhe infrastrukturës, me miratimin e strukturës, si dhe me shtesën e pagës që ju bë sot të gjithë anëtarëve të komisioneve të Vetingut, institucionet e reja janë gati të fillojnë nga procesi, po që sot. Qeveria shqiptare është shumë e interesuar që procesi i Vetingut të nisi sa më parë. Proces për të cilin u punua gjatë për ta dizajnuar dhe për ta miratuar. Proces nga i cili mezi pritet edhe nga qytetarët, që të jap rezultatet e tij të para. Qeveria për një periudhë tepër të shkurtër arriti të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme, pavarësisht vështirësive ligjore dhe atyre financiare. Por tani mbetet të tregohet nga vetë organet e Vetingut vullneti dhe angazhimi për fillimin e këtij procesi”, tha Gjoni.

Garda do shoqërojë anëtarët e Vetingut

Garda e Republikës do të ruajë dhe shoqërojë anëtarët e tre organeve të Vetingut. “Është gjykuar nevoja për ofrimin e mbrojtjes së veçantë, nga personeli i Gardës së Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjin e saj organik. Në këtë kuptim personeli Gardës së Republikës së Shqipërisë do të ofrojë jo vetëm mbrojtjen e posaçme, por do të sigurojë edhe shërbimin e transportit për anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në përputhje me këtë arsyetim, në variantin e rishikuar është rikonceptuar propozimi për pajisjen me shoferë”, thuhet në raportin e Komisionit të Ligjeve, i cili është mbështetur nga parlamenti. Përpos pagave të larta dhe mbrojtjes, njerëzit e anëtarët e Vetingut do të jenë njerëzit më të survejuar në Shqipëri. Çdo bisedë, lëvizje, transaksion bankar, takim etj., do të monitorohet dhe përgjohet. Monitorimi është pranuar vetë nga anëtarët e Vetingut para se të zgjidheshin, shkruan Tema, duke radhitur dhe 27 anëtarët…

27 anëtarët e organeve të Vetingut

Etleda Çiftja, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit

Firdes Shuli, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit

Genta Bungo, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Xhensila Pine, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Roland Ilia, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Alma Vokopola, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Pamela Qirko, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Valbona Sanxhaktari, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Brunilda Vasha, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Lulzim Hamitaj, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Olsi Komici, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Suela Zhegu, Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit
Vojo Malo, zëvendësues për pozicionin e Komisionerit të Komisionit
Pal Shkambi, zëvendësues për pozicionin e Komisionerit të Komisionit
Herald Saraçi, Komisioner Publik
Florian Ballhysa, Komisioner Publik
Dariel Sina, zëvendësues për pozicionin e Komisionerit Publik
Aldona Hysa, zëvendësuese për pozicionin e Komisionerit Publik
Ardian Hajdari Gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit
Natasha Mulaj Gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit
Sokol Çomo Gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit
Ina Rama Gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit
Luan Daci Gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit
Albana Shtylla Gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit
Rezarta Schuetz Gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit
Mimoza Tasi Zëvendësues për pozicionin Gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit
Etleva Paplekaj Zëvendësues për pozicionin Gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit./360grade.al

Share:
Reklama juaj