Home KRYESORE Taksa e pronës/ Zbardhet vendimi: Ja sa do të paguani për shtëpitë

Taksa e pronës/ Zbardhet vendimi: Ja sa do të paguani për shtëpitë

Ministria e Financave tashmë ka hartuar vendimin për taksën e pronës.  Ajo do të vendoset mbi vlerën reale të tregut që është shtëpia dhe do të vilet përmes faturës së energjisë elektrike. Për vitin 2018-të ky tatim i ri do të nisë të mblidhet fillimisht në bashkinë e Tiranës, e cila ka edhe numrin më të lartë të pasurive të patundshme dhe njësive tregtare.

Burime zyrtare në Ministrinë e Financave thanë për Televizionin Klan se rritja për individët do të variojë nga 20- 50% të shumës që paguhet sot, ndërsa për godinat në periferi nuk do të ndryshojë. Bizneset, që aktualisht paguajnë një tatim të lartë, do të kenë një taksë më të zbutur vitin e ardhshëm.

Taksimi i ri do të varioje nga 0.076, 0.1 dhe 0.114% të vlerës së pronës. Në të gjitha variantet, një shtëpi që sot kushton 100 mijë euro, dhe është 100 metra katrorë do të paguajë 76 euro, 100 euro ose 114 euro në vit. Aktualisht një apartament i tillë në Tiranë, paguan 22.5 euro, po aq sa një i ngjashëm me të për nga madhësia, por më i ulët në vlerë pasi është në zonë periferike.

Taksa e re e pasurisë do të ndryshojë edhe për bashkitë e tjera, burimet sqarojnë se në qytete të tjera, banorët paguajnë jo më shumë se 5 euro në vit, çka e bën totalisht të papërfillshëm këtë tatim.

Përsa u përket bizneseve, një dyqan 100 metra katror një kryeqytet sot paguan 300 euro tatim pasurie, i cili është 10 herë më i lartë se ai i individëve. Zyrtarë të ministrisë së financave sqarojnë se kjo është edhe një porosi e FMN-së që taksimi i bizneseve të bëhet në mënyrë të drejtë, e në bazë të vlerës së qirasë që ata japin.

Për vitin 2018-të në programin që kanë hartuar financat synohet që të ardhurat nga tatimi i pronës të rritet nga 0.2% e prodhimit kombëtar në 0.5%, afro 30 milion euro më shumë. Në vitet e tjera, të ardhurat nga tatimi i pasurisë llogaritet të arrijnë në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose 100 milion euro gjithsej, por kjo pasi të shtrihet edhe në bashkitë e tjera. Vitin e ardhshëm qeveria nuk do të nisë aplikimin e takës së pasurisë në tokën bujqësore. /Tv Klan

Share: