Home KRYESORE Tatimet për bizneset: Dorëzoni urgjent librat e shitblerjes, ndryshe gjobë!

Tatimet për bizneset: Dorëzoni urgjent librat e shitblerjes, ndryshe gjobë!

Drejtoria e Tatimeve u ka dërguar shkresa subjekteve VIP që të dorëzojnë librat e shitjes për muajin shtator, përndryshe ata do të dënohen me gjoba nga 10 në 50 mijë lekë për mosdhënie informacioni. Librat e shitblerjes për çdo muaj dorëzohen online deri në datën 10 të muajit pasardhës.

Sipas njoftimit të tatimeve dërguar subjekteve, “Nga raportimi I të dhënave mbi deklarimin e librave të shitjeve dhe blerjeve, rezulton se subjekti juaj nuk ka dorëzuar librin e shitjeve dhe librin e blerjeve për periudhën tatimore shtator 2017 sipas afateve të parashikuara në ligj.

Konkretisht referuar Ligjit nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në RSH” si dhe Udhëzmin nr.6 datë 30.01.2015 në zbatim të tij përkatësisht Neni68.pika5. dhe vendimit nr.922 datë 29.12.2014 “Për deklarimin e detyrueshëm të deklarimeve tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike” afati I fundit I dorëzimit të librit të shitjeve dhe blerjeve është data 10 e muajit që pason periudhën tatimore që deklarohet.

Përsa më sipër, kërkojmë vëmendjen tuaj maksimale për dorëzimin sa më parë të librave në zbatim se më korrekt të kërkesave ligjore për të shmangur çdo dënim në zbatim të nenit 126 të Ligjit të procedurave Tatimore nr.9920, datë 19.05.2008, I ndryshuar”, përfundon njoftimi i tatimeve.

Sipas ligjit të procedurave tatimore, neni 26 për mosdhënien e informacionit sanskionon se “Refuzimi për dhënien e informacionit të kërkuar nga administrata tatimore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, dënohet me gjobë me 10 000-50 000 lekë për çdo shkelje”.

Që nga fillimi i këtij muaji tatimet kanë nisur aksionin antiinformalitet. Sipas një njoftimi të djeshëm të tatimeve, për dy javët e para të fushatës është mundësuar përfundimi i 4,773 kontrolleve (kontrolle nga zyra, vizita fiskale apo verifikime në terren) ku kontrollet nga zyra përbëjnë 73 % të totalit, këto kontrolle u shoqëruan me më shumë se 170 milionë lekë gjetje dhe raporti gjetjeve me penalitete është në masën 70% me 30%.

810 subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore, ku Tirana ka dhe numrin më të madh me 430 subjekte e ndjekur nga Vlora me 84 dhe Durrësi me 77./Monitor

Share: