Home KRYESORE Të sëmurët që na qeverisin! Nga Aurel Plasari

Të sëmurët që na qeverisin! Nga Aurel Plasari

As për historianë, as për gazetarë – sepse për mjekë jo që jo – nuk ka qenë e vështirë të dallojnë se një numër i madh liderësh politikë të shek. XX, nga ata që kanë mbajtur në duar fatet e vendeve të tyre dhe ndonjëherë edhe të botës, paskëshin qenë të sëmurë. Madje të sëmurë rëndshëm. Dhe që kanë pasur edhe ato, sëmundjet e liderëve të tillë, ndikimin e vet në përfitimin e regjimeve diktatoriale a qoftë edhe autoritare.

Dy njoh për vepra të rëndësishme në të cilat janë përmbledhur investigimet për rastet që janë mundur të nxirren në dritë dhe që, vetëkuptohet, edhe publikut i interesonin: më 1976 libri “Këta të sëmurë që na qeverisin” me autorë gazetarin Pierre Accoce dhe mjekun Pierre Rentchenick, ndërsa më 1983 një varianti i plotësuar vetëm nga mjeku Pierre Rentchenick, me titullin “Këta të sëmurë që bëjnë historinë”. Prandaj është ndër thonjëza titulli i këtij shënimi tim.

Kanë pasur fatin e vet në opinionin publik botëror vepra të tilla. Që nuk janë përkthyer edhe në shqipen, në të cilën përkthehen patëkeq edhe bërsi librore të kulturës europiane e botërore, kjo vetëm sa mund ta ketë vonuar informimin e një pjese të opinionit publik shqiptar. Ose qoftë edhe çmeritjen e këtij opinioni kur të mësonte, fjala vjen, që një lideri si Winston Churchill, – ky vendoste shpesh jo vetëm fatet e Britanisë së Madhe por edhe të vendeve të tjera, – ia kishte ënda të punonte në zyrë cullak, d.m.th. siç lind prej nëne, edhe duke bërë ecejake në studio ndërsa i diktonte tekstet e tij daktilografistes së besuar. Në rastin e Shqipërisë është fjala për një vend ku nga historia mund të merren dy shembuj që flasin vetë: të Ahmet Zogut dhe të Enver Hoxhës.

Ku janë vallë dosjet e tyre mjekësore? Dihet ulcera e rëndë e Zogut, e përgojuar dendur, për të cilën u mjekua me mjekë të huaj deri edhe jashtë Shqipërie, ashtu si edhe koleksioni i sëmundjeve të Enver Hoxhës, të cilat kanë mbetur vetëm të kamufluara me “kujtime” mjekësh a familjarësh. Gjurmë nuk u gjendet dosjeve të tyre mjekësore në arkivat e Shqipërisë ndërkohë që të dy regjimet, si ai i Zogut edhe ai i Hoxhës, janë dalluar për skrupulozitetin me të cilin kanë ruajtur nëpër arkiva edhe letra e letrurina ndër më të parëndësishmet për historinë, për të mos thënë deri edhe kartabythje.

Prej investigimeve të Accoce-it dhe Rentchenick-t mësohet se si liderë të sëmurë kanë bërë çmos e çnuk për t’i fshehur gjurmët e sëmundjeve të tyre, nganjëherë edhe tepër të rënda, shtatë pashë në dhé: duke i kamufluar ato, duke siguruar heshtjen e mjekëve, duke asgjësuar dëshmitë dokumentare, hera-herës duke zhdukur edhe vetë dëshmitarët etj.

Megjithëkëtë pikërisht libra si të autorëve të përmendur i shërbejnë konfirmimit të ligjësisë që e vërteta historike nuk fshihet dhe as manipulohet dot deri në fund: historia nuk të fal. Këtë të vërtetë, që historia nuk fal, sapo ma konfirmoi edhe një herë libri që kam për duarsh: “Duelet e Duce-s. Nga kujtimet e fshehta të mjekut të Mussolinit”, me autor gazetarin Roberto Festorazzi. Libri nuk ka ndonjë lidhje me veprat e përmendura të Accoce-it ose Rentchenick-ut. Tema që autorit i ka interesuar kuptohet nga titulli.

Por, për rindërtimin e ndodhive të mbajtura fshehur të dueleve të Duce-s dhe të përhapura në publik si njëfarë miti i trimërive të tij prej shpatari, autori ia ka dalë të shtjerë në përdorim kujtimet e pabotuara të doktorit Ambrogio Binda, mjek personal i Duce-s. Mund të ketë lexues që nuk e dinë se në duelet e modelit tradicional duelantët shoqëroheshin jo vetëm nga sekundantët e tyre, që ishin dëshmitarët, por edhe nga një mjek ose edhe nga dy mjekë.

Doktor Binda pati qenë pra mjek dhe, tërthorazi, dëshmitar në të gjitha duelet e Mussolinit si mik dhe njëherësh i besuar i tiji. Miqësinë dhe respektin për të Mussolini e ruajti deri në fund, sikundër edhe mjeku ia ruajti të fshehtat, me gjasë duke e përligjur veten me parimet e “zanatit” dhe duke mos i bërë ato publike sa pa kaluar nga kjo jetë. Suksesin autori i investigimit e ka arritur duke gjetur mënyrën e mirëkuptimit me trashëgimtarë të mjekut në fjalë, me kontin Alberto Maria Gandolfi dhe konteshën Wilma Gandolfi, për të shfrytëzuar kujtimet e mbajtura nën kyç deri pak më parë.

Por edhe nëpërmjet bashkëpunimit me miq si Pietro Enrico Mola, nip i Roberto Farinacci-t ishsekretar i përgjithshëm i Partisë NacionalFashiste Italiane, si dhe kolegë të tjerë. Ata ia zmadhuan fushën e investigimit, sepse në “bravurat” e dueleve qenkëshin përfshirë edhe të tjerë emra të shquar të këmishëve të zeza: vetë Farinacci, Galeazzo Ciano, deri edhe autori ynë i dashur Curzio Malaparte. Në hulumtim e sipër të lidhjes së ngushtë të Mussolinit me mjekun e tij personal, si dhe duke synuar të gjejë zanafillën e saj, gazetari investigues mësoi që njohja mes tyre datonte qysh prej viteve të Luftës së Parë Botërore, e regjistruar edhe në fotografitë përkatëse.

I plagosur nga shpërthimi i një predhe, kapteri i regjimentit të bersalierëve Benito Mussolini, mbas operacionit në një spital fushor, qe shtruar për ta marrë veten në një sanatorium ku për të u kujdes pikërisht Ambrogio Binda. Mjeku i zellshëm, që kërkonte të gjente shkaqet se përse pacientit të tij nuk i mbylleshin plagët e ciflave të predhës dhe i kishte marrë shëndeti për së keqi, qëlloi të ishte dalluar qysh në të ri për studimet e botuara kushtuar infeksioneve të sifilizit ndër pacientët e shtruar me sëmundje të sistemit nervor. Jetëshkruesit e diktatorit nuk guxuan ndonjëherë të shqyrtonin shkaqet e një shtrimi të tij aq të gjatë në spitalin ushtarak të Milanos, në sanatorium, mandej me “pushime” mbas “pushimesh”.

Ndërkaq, nëpërmjet vizitash dhe analizash, doktor Binda ia kishte zbuluar diktatorit të ardhshëm kapitullin më të fshehtë të jetës së tij: qysh kur kishte qenë drejtor i gazetës socialiste “Avvanti!” dhe zuzarepste ai ishte kuruar për “treponema pallidum”. Është sëmundja që italianët e quajnë “mal francese”, ndërsa shqiptarët “frëngjyzë”, si ajo e personazhit të Mitrush Kutelit te “Vjeshta e Xheladin beut”. Nuk kanë rëndësi mjetet e kohës që përdori mjeku dashamirës për t’ia lehtësuar pacienti të tij gjendjen e rëndë shëndetësore.

“Kur u paraqit rasti për ta ndihmuar Mussolinin që e kërkonte policia, – ka treguar nipi i mjekut një ngjarje të vitit 1921, – gjyshja jonë propozoi ta strehonim te ne. Atëherë tim gjyshi, duke pasur frikën e së bijës në moshe të re që e kishte në shtëpi, iu desh t’i shpjegonte gjyshes që ishte më e udhës ta fshihnin gjetiu, mbasi Benito ishte sifilitik. Mbas vdekjes së doktor Bindës më 1938 gjyshja ma ka treguar gjithë historinë…”. Duke u marrë me shëndetin e pacientit me përkushtim jo vetëm profesional, por tanimë edhe miqësor, doktor Binda kishte mbërritur në përfundimin që shëndeti i tij, veçan në nivelin neurologjik, ishte i komprometuar rëndë si rrjedhojë e efekteve degjenerative të cilat shkaktojnë dëme qoftë edhe pjesërisht të paprapsueshme.

Autori gazetar ia ka dalë të gjejë edhe gjurmë të tjera të regjistrimit të sëmundjes së pacientit sifilitik. Për shembull në një relacion të vitit 1919 të kuestorit të Milanos Giovanni Gasti, inspektor i përgjithshëm i sigurimit publik, për kryesinë e Këshillit të Ministrave. Duke përshkuar zanafillën e lëvizjes së re fashiste që sapo ishte shfaqur, ai jepte disa informacione edhe për Benito Mussolinin, të cilin e përshkruante “me konstitucion të mirë fizik ndonëse i prekur nga sifilizi”.

Gjurmë të tjera ka gjetur në dokumentet e një tjetër mjeku, Manlio Giordano, që pati për pacient të birin e paligjshëm të Mussolinit të quajtur Benito Albino. Pacientit, që nuk shihte nga njëri sy dhe e kishte njërën këmbë të paralizuar, mjeku i ka pas caktuar për diagnozë: “konstitucion limfatik, me gjasë sifiliz i trashëguar”. Edhe krizat e mëvonshme të Duce-s, që të afërmit ia përshkruanin si “dhimbje të forta gastrike”, si “deficite sensoriale”, deri edhe si “çrregullime motorike e optike”, do të shpjegohen vetëm me një shkak: sifilizin.

Më 30 prill 1945 kufomës së Mussolinit iu bë një autopsi dhe kurrfarë gjurme nuk iu gjet ulcerës gastro-duodenale me të cilën qe diagnostikuar më se një herë për të shpjeguar shkaqet e spazmave të stomakut që e torturuan për vite. Me sa kuptohet, edhe dhimbjet në fjalë, më shumë se të natyrës psikosomatike, kanë pasur të bë- nin me një sifiliz shkalle të tretë ose “sifiliz gastrik”.

Një gjendje e tillë nuk përjashton komprometimin edhe të sistemit nervor të diktatorit të shkaktuar nga sifilizi cerebral. Është interesante se si simptomat e një gjendjeje të tillë rezultojnë të regjistruara edhe në një dokument diplomatik të shërbimit inteligjent britanik: disa muaj para hyrjes në luftë të Italisë raportet e shërbimit në fjalë ngulmonin me një “growning paranoia” të Duce-s, d.m.th. në një sindromë paranoide progresive. I intervistuar nga gazetari, konti Gandolfi ka shprehur bindjen e tij që “sëmundja franceze” të ketë ndikuar dukshëm në sjelljet politike të Duce-s, sidomos gjatë viteve të fundit, duke ia tjetërsuar sa gjendjen psikike, aq edhe ekuilibrin mendor: “Do të thosha madje që pësoi një kolaps mendor”.

Me t’u ngritur në pushtet Mussolini u kujdes për të zhdukur gjurmët e sëmundjes së vet. Dokumentacioni klinik u falsifikua (“venne contrafatta”) për të mbuluar shkaqet se përse doktor Binda i caktoi pacientit të shquar një vit konvaleshencë, të cilën ia zgjati edhe gjashtë muaj të tjerë, sa të mos kthehej më në llogoret e luftës.

Mjeku i Mussolinit nuk i dha gojës kurrë, deri në fund të ditëve, dhe kujtimet e shkruara i mbetën deri dje të pabotuara. Fuqia fizike e Duce-s u shndërrua në mit jo vetëm për “Njëzetvjetshin” fashist, por edhe më përkëndej, mit i fabrikuar tinëzisht qysh prej biografes së tij të parë Margherita Sarfati, dashnorja hebreje e Mussolinit. Gazetari autor i librit “Duelet e Duce-s” nuk pati aspak synim të zbulonte të fshehtat e sëmundjes së tij të rëndë, e cila u qe kamufluar me përkujdesje italianëve. E megjithëkëtë? Megjithëkëtë ja ku e vërteta historike një ditë del në dritë: historia nuk të fal dhe s’ke ç’i bën. /Panorama

Share: