Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Raporti ekskluziv/Ministri Bushati paguan 2 drejtorë për 1 vend pune

Raporti ekskluziv/Ministri Bushati paguan 2 drejtorë për 1 vend pune

Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme janë paguar dy drejtorë për të njëjtin vend pune dhe në të njëjtën periudhë kohore. Sipas raportit të KLSH, për detyrën e drejtores së Drejtorisë së Brendshme në Ministrinë e Jashtme, janë paguar dy punonjës. “Në MPJ, në strukturën organike me detyrën e Drejtores së Drejtorisë së Brendshme janë paguar dy punonjëse, pasi ish drejtori është larguar nga detyra përkatëse, e cila me vendim gjyqësor ka fituar të drejtën për tu kthyer në detyrë, gjë e cila nuk është realizuar nga kjo ministri dhe është emëruar si audituese.

Emërimi është si audituese kurse paga i llogaritet në pozicionin e Drejtores duke i dhënë diferencën, ku për këtë periudhë kohore ka marrë shtesën neto prej 1,101,609 lekë”, thuhet në raport. Sipas KLSH, po në vazhdim të kësaj periudhe është emëruar Drejtorja e Drejtorisë së Auditit të Brendshëm, në kundërshtim me ligjet nr. 9720, datë 23.4.2007“Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, pasi në momentin e emërimit si drejtuese e njësisë së auditit të brendshëm nuk plotëson njërin nga dy kushtet e posaçme, sepse nuk ka përvojë pune 5 vjet si auditues i brendshëm ose i jashtëm si rezultat është kryer një shpenzim prej 1,101,466 lekë pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet të fondeve publike.

Masa disiplinore

Kontrolli i Lartë i Shtetit, nisur nga shkeljet e konstatuara, i kërkon ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, që të marrë masa disiplinore ndaj ish-sekretarit të Përgjithshëm të MEPJ, z. Qirjako Qirko. Ky i fundit është emëruar ambasador i Shqipërisë në Londër në vend të Mal Berishës. “Në lidhje me shkeljet e konstatuara e të trajtuara më poshtë por edhe shkeljet e tjera të trajtuara në Raportin Përfundimtar të Auditimit, i rekomandohet titullarit të institucionit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vlerësim dhe dhënie masash disiplinore sipas përgjegjësisë individuale të drejtuesve: Z. Q. Q, ish Sekretari i Përgjithshëm. Znj. B. K, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse. Znj. I. D, Drejtori i Planifikimit të Buxhetit dhe Financës”, thuhet në raportin e KLSH.

Shkelja

Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme janë paguar dy drejtor për të njëjtin vend pune dhe në të njëjtën periudhë kohore, duke shkaktuar një dëm ekonomik 1,101,609 lekë.

Kërkesa

Kontrolli i Lartë i Shtetit, nisur nga shkeljet e konstatuara, i kërkon ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, që të marrë masa disiplinore ndaj ish-sekretarit të Përgjithshëm të MEPJ, z. Qirjako Qirko.

Rekomandime të Kontrollit të Lartë të Shtetit

-Nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasada Paris të merren masat për arkëtimin e vlerës prej 781,64 Euro si diferencë midis fondit limit të miratuar, Oferta fituese 31,548 Euro dhe vlerës së blerjes sipas inventarit prej 32,329.64 Euro.

-Të merren masat për plotësimin e dosjeve pranë Ministrisë me dokumentacionin përkatës për blerjet e automjeteve nga përfaqësitë jashtë shtetit për vlerat sipas Urdhër Shpenzimin nr. 139, dt. 21.10.2014.

-Nga Drejtoria e Planifikimit të Buxhetit dhe Financë të merren masat që likuidimet nga Përfaqësitë jashtë shtetit për shpenzimet e tyre të kryhen nga llogaritë përkatëse të çelura sipas transfertave dhe natyrës së shpenzimet buxhetore.

– Me miratimin e memorandumit për kryerjen nga MEPJ e procedurave të blerjes së automjeteve janë marrë të drejtat e përfaqësive diplomatike dhe konsullore për të kryer vetë procedurat e prokurimeve sipas VKM nr. 28, dt. 14.01.2015.

-Nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Përfaqësitë Diplomatike të merren masat për të përcaktuar rregullat që do të ndiqen nga përfaqësitë për procedurat e blerjes së automjeteve. Sipas përcaktimit të VKM nr. 28, dt. 14.01.2015, i ndryshuar, nën pika 1.3 “Përjashtimisht, lejohen përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit, që procedurat për blerje automjetesh ti realizojë vetë, sipas rregullave të tyre të brendshme”.

Disa konstatime të KLSH gjatë kontrollit në Ministrinë e Jashtme
-Me urdhër shpenzimin nr. 180, dt. 31.12.2014 është transferuar fondi për llogari të ambasadave në vlerën 30,000,000 lekë. Ky fond është transferuar për ambasadat e mëposhtme në vlerën 211,348 euro; Misioni NATO-s Bruksel për 150,000 euro. Misioni i BE-së Bruksel për 61,348 euro.

-Bashkëngjitur urdhër shpenzimit janë urdhri i transferimit i datës 31.12.2014 i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm z. Q. Q. me vlerat përkatëse në euro për secilën nga përfaqësitë e mësipërme. Ky fond është transferuar në llogarinë e misioneve të mësipërme me arsyetimin për të mos u djegur në fund të vitit 2016.

-Memorandumi për vendimmarrje nr. 48/1, dt. 25.02.2015 nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm z. Q. Q. i është drejtuar Ministrit ku i kërkohet miratimi për procedurën që duhet të ndiqet për prokurimin e automjeteve për përfaqësitë ku argumentohet se zhvillimi i procedurave të prokurimit nga vetë përfaqësitë ka hasur në vështirësi në realizimin e tyre, si pasojë e mungesës së personelit dhe kualifikimit të tyre në fushën e prokurimeve publike. Për rrjedhojë MPJ duhet të vlerësojë përcaktimin e procedurës së prokurimit, bazuar në gjendjen faktike të personelit në dispozicion të çdo përfaqësie për të cilën është dhënë miratimi si dhe për procedurat që do të ndiqen në vlerësimin e ofertave………

-Në lidhje me procedurën e vlerësimit sugjerohet që KVO e miratuar nga ministri me nr. 59, dt. 04.03.2015 mbasi të grumbullojë ofertat e përcjella nga përfaqësitë duhet të vlerësojë ofertën në bazë të rregullave të prokurimit publik bazuar në ofertën me çmimin më të ulët. Ky memorandum është miratuar edhe nga ministri.

-Me memorandumin për vendimmarrje të datës 19.03.2015 e KVO është miratuar nga ministri sugjerimi për ofertat e përzgjedhur nga KVO dhe janë miratuar blerja e artikullit automjete për pajisjen me autoveturë protokollare të përfaqësive; Stokholm, Varshavë, Bari, Pragë, Misioni i BE, Bukuresht dhe Sofje.

-Me shkresën nr. 6845, dt. 15.04.2015 drejtuar konsullatës së përgjithshme të Shqipërisë në Bari nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse është dërguar udhëzimi që në zbatim të urdhrit të firmosni kontratën për blerjen e automjeteve me koncesionarin Mercedes Benz në Bari, me ofertën 32,400 Euro.

-Nga verifikimi i inventarëve dhe kontratave të dërguara nga përfaqësitë rezultoi se në inventarin e automjeteve në administrim të përfaqësive krahas automjeteve të tjera rezultojnë automjete e blera për vitin 2015.

-U konstatua likuidimi i vlerës së blerjes së automjeteve është kryer nga përfaqësitë nga llogaria e tyre e çelur sipas transfertave nga llogari 600, 601, 602, 605 dhe jo nga llogaria 231 për të cilën gjatë vitit 2015 nuk ka çelje përkatësish për përfaqësitë që kanë kryer likuidimin e vlerave për automjetet e blera si: Stokholm, Varshavë, Bari, Pragë, Misioni i BE, Bukuresht.

-Në memorandumin e datës 19.03.2015 e miratuar nga Ministri rezulton se në përfaqësitë që do të pajisen me automjete figuron edhe përfaqësia e Shqipërisë në Sofje, e cila nuk rezulton të jetë pajisur.

-Me miratimin e memorandumit të mësipërm nga MPJ janë marrë të drejtat e përfaqësive diplomatike dhe konsullore për të kryer vetë procedurat e prokurimeve. Gjithashtu nuk u paraqit ndonjë dokument ku të jenë përcaktuar rregullat që do të ndiqen nga përfaqësitë për procedurat e blerjes së automjeteve. Sa më lart është vepruar në kundërshtim me VKM nr. 28, dt. 14.01.2015, i ndryshuar, nën pika 1.3 “Përjashtimisht, lejohen përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit, që procedurat për blerje automjetesh t’i realizojë vetë, sipas rregullave të tyre të brendshme”./Shqiptarja.com

Share: