Home KRYESORE Basha-Hahn, 2 orë kokë më kokë në PD, ja dosja që u...

Basha-Hahn, 2 orë kokë më kokë në PD, ja dosja që u diskutua mes tyre

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn, është takuar dje në selinë e Partisë Demokratike me kreun e saj, Lulzim Basha. Pas kthimit nga Vlora, ku ishte në një vizitë në qytetin bregdetar e ku Kryeministri ka këmbëngulur për disa projekte, Hahn ka qëndruar për dy orë në zyrën e Lulzim Bashës.

Mësohet se në qendër të takimit kanë qenë Reforma në Drejtësi dhe nisja nga puna e procesit të vetingut, për të cilin Lulzim Basha ka shprehur vullnetin e PD-së për të pastruar drejtësinë nga korrupsioni.

Mësohet se mesazhi i Hahn, që ai e artikuloi edhe dje në konferencën për shtyp, ishte qëndrimi që duhet të kenë të gjitha partitë politike për çështjen e integrimit, duke e cilësuar atë objektiv kryesor kombëtar. Për kreun e opozitës trafiku i narkotikeve mbetet rreziku më i madh për vendin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Mësohet se Basha i ka bërë një ekspoze të opozitës komisionerit Hahn të lidhjeve të politikës me grupet kriminale, duke sjellë shembuj edhe të blerjes dhe ndikimit të votës në zgjedhjet e 25 qershorit. Nuk dihet nëse në bisedën dyorëshe mes komisionerit Hahn dhe kryetarit të opozitës Basha është diskutuar “dosja Minniti”, dosja që thuhet se ministri i Brendshëm italian, Marko Minniti, u dorëzoi krerëve të shtetit shqiptar pak ditë më parë, kur bashkë me ministrin Xhafaj nisën operacionin e përbashkët kundër krimit, duke krijuar task-forcën speciale “Forca e ligjit”.

Kreu i opozitës është treguar shumë i ashpër me qeverinë, kur ka deklaruar se vetingu duhet të nisë nga ministrat dhe Kryeministri.

“Kur krimi i veshur me pushtet dhunon vetë policinë, vetingu duhet të nisë nga Kryeministri, ministri i Brendshëm e kryebashkiakët të bërë njësh me bandat”, është shprehur Basha pak ditë më parë. /panorama

Share: