Home KRYESORE Dosja e Tahirit/ Pas Visho Ajazit ikën edhe Adriatik Llalla?

Dosja e Tahirit/ Pas Visho Ajazit ikën edhe Adriatik Llalla?

Në 4 vitet e aleancës PS-LSI, nuk mund të thuhet se Adriatik Llalla ishte prokurori që socialistët donin. Përplasjen kryesore, organi i akuzës e pati me Saimir Tahirin dhe Haki Çakon. Të parin kërkoi ta arrestojë pak ditë më parë për trafik droge, ndërsa të dytin e shkarkoi nga detyra në qershor të vitit të shkuar për llogari të hetimeve të IMSI CATCHER.

Në fillim të dhjetorit, mandati i Adriatik Llallës mbaron, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë (që duhet të zgjedhë pasardhësin e Llallës) nuk është krijuar ende.

Për këtë arsye, një variant që duket se ka pëlqimin e opozitës është shtyrja e mandatit të Adriatik Llallës. Por socialistët nuk kanë asnjë arsye të mendojnë njësoj. Përkundrazi, përshkallëzimi i skandalit të trafikut të drogës, për të cilin akuzohet Saimir Tahiri, po i bën të nxitojnë drejt largimit të prokurorit.

Ulsi Manja, deputeti i PS, i tha Birn se varianti i shtyrjes së mandatit të kryeprokurorit aktual nuk është në axhendën e mazhorancës.

“Nuk ka ende një vendim zyrtar se si do të veprohet në këtë rast, pasi kjo do të diskutohet në komisionin e ligjeve. Por mandati i kryeprokurorit Llalla mbaron në 3 dhjetor dhe se nuk ka mundësi për shtyrje, kjo është e përcaktuar në ligjin për Prokurorinë dhe nuk lë asnjë hapësirë për diskutim” u shpreh Manja.

Socialistët i kanë votat për ta zëvëndësuar Llallën, të cilin e akuzuan se qëndron direkt pas kërkesës për arrestimin e Saimir Tahirit. Në 20 tetor, akuzat i bëri Fatmir Xhafaj:

“Jemi në një moment ku segmentë të caktuar të prokurorisë po përdoren politikisht në një situatë të nxehtë politike. Nëse prokuroria ka prova të tjera, le të presim. Precedentë të tillë janë të rrezikshëm për drejtësinë dhe jetën parlamentare” u shpreh Xhafaj duke komentuar kërkesën për arrestimin e Tahirit.

Përgjigjia e Llallës, ishte se “nëse ministri Xhafaj nuk i ka të qarta ndryshimet ligjore, është problem i tij”.

Sulmin ndaj prokurorisë e vazhdoi edhe Edi Rama kur e quajti kërkesën për arrestimin e Tahirit me “një farse të inskenuar nga amatorë inatçi” dhe një “kopje surrogato e gjyqit politik që e kemi parë 4 vite në Parlament”.

Me ndryshimin e Kushtetutës, prokuroria është decentralizuar, që do të thotë se është vetë prokurori i çështjes që vendos se çfarë hapash duhet të ndjekë për hetimin, pa pasur nevojë për firmën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ndikimi i Prokurorit të Përgjithshëm në çështje të caktuara është tkurrur, por zëvëndësimi i Adriatik Llallës me një prokuror tjetër, të përzgjedhur direkt nga mazhoranca dhe jo nga KLP, lë hapësirë për dyshime se si do të vazhdohet me çështje të forta, si ajo e dosjes Tahiri-Habilaj.

Pak ditë më parë dha dorëheqjen edhe drejtori i SHISH, Visho Ajazi Lika. Ai nuk paraqiti asnjë motiv për largimin e papritur nga detyra dhe u largua pavarësisht garancive që kishte marrë nga presidenti për të vazhduar punën./Lapsi.al

Share: