Home KRYESORE Fatos Lubonja dhe unë, ose unë dhe Fatos Lubonja. Nga Kasem Seferi

Fatos Lubonja dhe unë, ose unë dhe Fatos Lubonja. Nga Kasem Seferi

0

Fatos Lubonjën e kam moshatar. U rritëm dhe u përgatitëm në kushte shumë të ndryshme në vitet 1950 e deri këto ditë që po jetojmë.

Jemi të ndryshëm në detaje dhe të njëjtët në karakter: REBELË!

Ai REBEL më i madh dhe unë REBEL më i vogël, që u shfaqa dukshëm në periudhën e viteve 1990 – 2017 dhe, në paçim fat, të jemi dhe më tej.

Pak a shumë, të dy sot jemi 67 – të vjeçarë.

Në moshën e pjekurisë, ai ishte në Gjimnazin “Sami Frashëri”, ndërsa unë në Gjimnazin “Petro Nini Luarasi”.

Kësisoj, kemi pasur kontribute të ndryshëm, trajtime të ndryshëm.

Ku Sami Frashëri (me ndershmëri e them një gjimnaz ku vlonin ide liberale) e ku Petro Nini Luarasi (ku vlonin ide revolucionare dhe ku strukturat e sigurimit të shtetit i kishim, për fat të keq, shojkë klase)!

Gjithësesi, ishin këto që i parapërmenda më sipër, thjesht, për të bërë një krahasim si një prej mjeteve të analizës dhe jo analizën vetë.

Përse?

Ai i biri Todi Lubonjës (që kur u hoq nga RTV dhe u zevendësua nga Thanas Nano – babai i Fatos Nanos u krijua barcaleta: “Iku Tod Italia, erdhi Thanas Çiftelia).

Unë i biri i Bajram Seferit (ish nxënës i “Harri Fultz” dhe i përndjekur deri në vdekje nga pushteti).

Sidoqoftë ishte më e më përpara meje në qëndrimet e tij liberale, për arsye që kuptohen lehtë dhe qartë.

Nga të lexuarit në shumë fusha, pata mësuar se simptomat tregojnë për dukurinë e një sëmundje, por jo sëmundjen vetë.

Simptomat e regjimit komunist i patën ndjerë shumë herët ata që kishin informacion mbi regjimin, si Zai Fundo e shumë të tjerë më pas që pasqyrohen në historinë e Partisë së Punës së Shqipërisë.

Në vitin 1975, do të kisha “fatin e madh”, të provoja direkt luftën e klasave mbi kurriz, për arsye se dajat e mi Esat dhe Ruzhdi Osmanaga (Osmanagiq), shqiptarë nga Mali i Zi, do të dënoheshin për agjitacion e propagandë (njëri në Spaç – Ruzhdiu, tjetri në Ballsh).

Për sqarim, kur mora diplomën si “Ekonomist për Industrinë“, vlerësuar me notën dhjetë dhe më pas me titullin “Student i Dalluar“, më caktuan një pagë prej 6 800 lekë të reja, pagë të cilën e “gëzova“ deri në vitin 1982 për arsye se dajat i kisha të dënuar për agjitacion e propagandë.

Zoti Lubonja, ndërkohë bënte një burgim tejet të vështirë dhe nuk thyhej. Daja Ruzhdi do të më dëshmonte pasi doli nga burgu se e merrnin Fatosin lart mbi kamp, na rrjeshtonin në shesh që të shikonin se si e ndëshkonin duke e goditur pa reshtur, por ai nuk jepej.

EDHE SOT NUK JEPET!

Por përse e bëj këtë krahasim?

Përposë dhimbjes (një anë kjo e monedhës), qëndron humori, që po e tregoj më poshtë.

Në vitin 1999, sikundër njihet botohej edhe gazeta “Dita Informacion“.

Atëkohë punoja në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në një zyrë që nuk komunikonte me të tjerat.

Një ditë prej ditësh, dëgjoj që po përflitek emri im dhe shoqërohej me të qeshura të mëdha.

Të them të drejtën, ajo e parpritur ishte shumë e rëndë për mua. U shtanga, u tkurra dhe prita.

U hap dera e zyrës dhe në të shfaq Zoti Koço Gaba (ish Kryetar i Degës së Tatimeve Tiranë, me një koleg tjetër, që më shikonin me simpati dhe qeshnin.

Nuk po kuptoja gjë dhe nuk po dija si të sillesha, kur Zoti Gaba më zgjati gazetën “Dita Informacion“ dhe më tha: “Shikoje!“.

Titulli që të binte në sy ishte: “Kush e futi në burg Fatos Lubonjën?“.

Në anë të majtë në krye me titullin fotografia e … Kasem Seferit (imja). Më ranë djersë nga sikleti dhe nga humori.

Kam edhe shumë “historiçka“ që më ngatërronin me Fatos Lubonjën dhe, kur një ditë ndeshem me të te ish Radio Tirana, e ndalova dhe i thashë se duhej të dilnim në televizion për të sqaruar se cili ishte ai dhe cili unë.

M’u përgjigj: “Ohu, ja paske nge humorit, o Kasem!“

Aty, ku edhe sot është një treg “GABI“, ishte një djalë i ri, të cilin e pyeta: “Cili nga ne të dy është Fatos Lubonja?“.

Përgjigja, për dreq, ishte: “Je ti.“, duke m’u drejtuar mua.

E njëjta gjë më ka ndodhur me vëllain e tij që punon në Radio Tirana dhe, për miqësinë që kam me, të ia pata treguar të gjitha.

Disa net më parë, po kthehesha për në shtëpi dhe, sapo kapërceva bulevardin te Hotel Rogner në drejtim të RTV – së, pashë dikë që më ngriti dorën lart. Ishte Gimi, vëllai i Fatos Lubonjës.

“Ngjani“ – më tha.

Ngjajmë, mendova kur po ngjitja me një lloj mundimi rrugën malore të Qytetit Studenti për në shtëpi dhe, atëhere, më lindi dëshira për të bërë një diferencë mes meje dhe Fatos Lubonjës, të cilën e shpreha më lart, sepse më ngacmoi shkrimi i Pëllumb Kullës, pas kritikave që ai ndeshi në lidhje me artikullin e botuar te “Dita Informacion“.

MEGJITHË RESPEKTIN QË KAM PASUR, KAM DHE DO TË KEM PËR PËLLUMB KULLËN, më mbetet të them sa vijon:

NGJAJMË, POR NUK JEMI NJËSOJ!

“DIMRI“ NUK KA QENË, NUK ËSHTË DHE NUK DO TË JETË NJËSOJ NË KËTË “BOTË“ TË POLITIKËS SHQIPTARE.

Kasem Seferi

Share:
Reklama juaj