Home KRYESORE Flet për herë të parë ministri Xhafaj per arratisjen e tre ish-drejtuesve

Flet për herë të parë ministri Xhafaj per arratisjen e tre ish-drejtuesve

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka folur ditën e sotme për arratisjen e tre ish-drejtuesve të lartë të Policisë se Shtetit, pasi akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda si pjesëmarrës në organizatat kriminale të trafikut të drogës.

Xhafaj u shpreh se ata nuk ishin nën vëzhgimin e policisë, ndërsa kjo e fundit nuk ka pasur dijeni për një hetim të tillë.

“Nuk ishte në dorën tonë. SHÇBA i mori faktet në 22 nëntor nga Prokuroria. Në Shqipëri ka shumë grupe kriminale”, u shpreh ai.

Në përgjigje të akuzave se operacioni është dekonspiruar nga policia, ministri Xhafaj tha se duhet të pyetet Prokuroria që të japë përgjigje se me kë institucion i ka ndjekur ata.

“Nuk kemi pasur dijeni. Tre ish-punonjësit e policisë nuk kanë qenë në vëzhgim nga Policia. Duhet të pyesni Prokurorinë se me kë i ka pasur në vëzhgim, jo me policinë. Nuk kam emra konkretë për dekonspirimin. Të arrestohen ata që kërkohen”, tha ministri Xhafaj.

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka kryer një kallëzim penal në Prokurori në lidhje me dekonspirimin e operacionit për kapjen e 3 ish-zyrtarëve të policisë të dyshuar si të implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike.

Nga ana tjetër, për Prokurorinë e Krimeve të Rënda nuk ka asnjë dyshim që operacioni për ndalimin e tre ish-drejtuesve të Policisë së Vlorës, të dyshuar si të implikuar në trafikun e narkotikëve me organizatën e Habilajve është dekonspiruar.

Këtë bindje ata e mbështesin me faktin se në momentin kur janë marrë vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, në datë 21 nëntor, për ndalimin e tyre, Prokuroria kishte informacion të sigurtë që ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar Gjergj Kohila dhe ish-shefi i Postës Policore të Radhimës, Sokol Bode ndodheshin në Tiranë.

Share: