Home KRYESORE Frikë nga sulmet terroriste, masa ekstreme për Kombëtaren në Turqi

Frikë nga sulmet terroriste, masa ekstreme për Kombëtaren në Turqi

Autoritetet turke kanë marrë masa shumë të rrepta sigurie për mbarëvajtjen normale të ndeshjes mes Turqisë dhe Shqipërisë që luhet të hënën. Ndonëse ndeshja në fjalë është thjesht një miqësore e për më tepër mes dy shteteve që kanë një raport shumë të mirë njëri më tjetrin, autoritetet vendase kanë angazhuar një numër shumë të madh forcash policore për duelin që zhvillohet në një stadium që ka kapacitet prej 32 mijë spektatorësh.

Gjatë ndeshjes së të hënës, do të jenë 200 forca të mirëfillta policore që do të mbrojne perimetrin e stadiumit dhe ambientet e brendshme të tij, ndërsa do të jetë i angazhuar edhe një personel i sigurisë private i përbërë prej 825 personash.

Këshilli i Sigurisë të qytetit të Antalias, ai që ndërmerr vendimet për masat që do të aplikohen gjatë evenimenteve të tilla, ka bërë të ditur njëkohësisht edhe listën e gjërave të ndaluara në stadium, duke përfshirë çantat e shpinës apo edhe karikuesit e celularëve, pa harruar monedhat metalike. Këto të fundit do të konfiskohen në hyrje dhe do t’u jepen organizatave të bamirësisë.

Antalia është një nga rajonet më të frekuentura në Turqi gjatë sezonit të verës dhe frika e sulmeve terroriste ka bërë që gjatë viteve të fundit të aplikohen masa të larta sigurie në të gjithë këtë lokalitet turistik.

Share: